​Biden fton Kinën e Rusinë të negociojnë mbi kontrollin e armëve bërthamore

Periskopi.com Lajme

Presidenti i SHBA-së Joe Biden i bëri thirrje sot Rusisë dhe Kinës që të fillojnë negociatat për kontrollin e armëve bërthamore, duke theksuar se Moska duhet të tregojë përgjegjësi të veçantë pas pushtimit të Ukrainës.

Në një deklaratë, ai përsëriti se administrata e tij është e gatshme për “negociata të shpejta” për të zëvendësuar New START, traktatin që skadon në vitin 2026 dhe kufizon sasinë e armëve bërthamore ndërkontinentale të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

“Rusia duhet të tregojë se është e gatshme të vazhdojë të punojë për kontrollin e armëve bërthamore”, tha Biden.

“Por negociatat kërkojnë një partner të vendosur dhe me vullnet të mirë. Agresioni bruto dhe i paprovokuar rus kundër Ukrainës ka prishur paqen në Evropë dhe është një sulm ndaj parimeve themelore të rendit ndërkombëtar”, shtoi ai.

Lidhur me Kinën, e cila ka forcuar arsenalin e saj shumë më të vogël bërthamor, Biden tha se Pekini ka një detyrim, si një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, “të merr pjesë në negociatat që do të zvogëlojnë rrezikun e llogaritjes së gabuar dhe do të përballen me dinamikën ushtarake destabilizuese.”

“Asnjë vend apo bota nuk do të përfitojë nga kundërshtimi i një angazhimi të rëndësishëm për kontrollin e armëve dhe mospërhapjen bërthamore,” tha ai.

Ai vuri në dukje se superfuqitë bërthamore, kryesisht Rusia dhe SHBA, kanë përgjegjësinë të jenë shembull se si të garantohet qëndrueshmëria e traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore (NPT), i cili duhet të parandalojë përhapjen e teknologjisë së armëve bërthamore në botë.