​Kurti për deklaratat e Vuçiqit për vrasje: Po flet për imagjinatën dhe planet e tij

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Albin Kurti duke folur për deklaratat e çuditshme të presidentit serb Aleksandër Vuçiq se institucionet e Kosovës “po përgatisin likuidimin e popullit në veri”, tha se Beogradi kur flet për dhunë e vrasje flet për vete dhe jo për Kosovën. Sipas tij, në emër të Kosovës flasin vetëm institucionet e Kosovës.

Ai e përsëriti se është kryeministër i shpresës dhe progresit ndërsa Serbia ka një president të frikës dhe kërcënimit.

“Kur ata flasin për dhunë, kur ata flasin për vrasje, flasin për vete, flasin për imagjinatën, mendimet dhe planet e tyre, nuk flasin për Republikën tonë. Për Republikën tonë, flet Qeveria e Republikës së Kosovës, flasin institucionet e shtetit tonë. Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore dhe do të ishte dita e parë e punës, javës e muajit të tetë të vitit, mirëpo më 31 korrik, u ngritën ato barrikada prej njerëzve të cilët kishin nxitur, planifikuar, përgatitur e financuar strukturat ilegale që u bënë banda kriminale nëpër rrugët në veri të Kosovës. Pra, kur ata flasin nuk janë duke folur për neve por janë duke folur për vete. Ne jemi për paqe, për siguri, për stabilitet afatgjatë dhe na duhet që me shtetin tonë, jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe demokracinë, kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit, dhe kurrë nuk bën ta harrojmë, progresin”, deklaroi Kurti.

 

Kreu i ekzekutivit u shpreh se progresi në Kosovë duhet të mbrohet. Duke thënë se Dogana e Kosovës ka shënuar rritje të të hyrave dhe progresi ndihet në çdo fushë, ai, duke aluduar në udhëheqësin e Serbisë, tha se disa autokratë janë të shqetësuar me shembullin e mirë të Kosovës për demokraci cilësore.

Ndërsa, në lidhje me aksionet anti-kontrabandë në veri të Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se ato po mirëpriten edhe nga vet serbët lokalë në atë pjesë të vendit.

“Edhe vet popullata lokale është në njëfarë forme e çliruar që po luftohen grupet kriminale dhe grupet e kontrabandës, nëse u kujtohet në njërin nga operacionit numri i sasisë së konfiskuar të pajisjeve për prodhim të kriptovalutave ka qenë enorm dhe popullata atje është falënderuese sepse gjatë kohës sa kanë qenë ato pajisje tu operuar e kanë dobësuar tensionin e energjisë elektrike për komplet fshatin, me konfiskimin e atyre pajisjeve fshati mund të furnizohet me tension të rregullt, pra edhe grupet e tjera kriminale që bëjnë kontrabandë janë gjithnjë shqetësim për popullatën lokale”, tha Murati.

Këto deklarata Kurti dhe Murati i bënë gjatë një vizitë në Doganën e Kosovës.