​Misioni i vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE vlerëson pozitivisht balotazhin e së dielës

Periskopi.com Lajme

Misioni i vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE e vlerësoi raundin e dytë të zgjedhjeve si të administruar mirë. Të dhënat janë paraqitur nga shefi i këtij misioni, Lukas Mandl, i cili tha se disa prej problemeve që janë prezantuar në raport janë probleme që janë evidentuar edhe në të kaluarën.

Mandl tha se ditën e zgjedhjeve kanë vizituar 269 vendvotime dhe votimi e numërimi janë vlerësuar pozitivisht nga vëzhguesit.

“Në ditën e zgjedhjeve vëzhguesit e BE-së vizituan 269 vendvotime në tërë Kosovën në të 21 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve. Vëzhguesit e BE-së vlerësuan votimin dhe numërimin në mënyrë pozitive, votimi u vlerësua si ‘shumë i mirë’ ose ‘i mirë’ në 99.2 përqind të vendvotimeve të vizituara në të 21 komunat dhe numërimi u vlerësua si ‘i mirë’ apo ‘shumë i mirë’ në të gjitha vendvotimet e vizituara edhe pse ka pasur ca vështirësi në përputhshmërinë e fletëvotimeve në 1/3 e vendvotimeve të vëzhguara”, tha ai.

Mandl deklaroi se partitë politike dhe kandidatët kanë filluar fushatën zgjedhore shumë kohë para periudhës zyrtare prej pesë ditësh.

Në raportin e vëzhguesve të BE-së thuhet se “kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje shpesh e portretizuan veten si garantues të projekteve të financuara nga buxheti qendror”, derisa Mandl përmendi rritjen e pensioneve nga qeveria në mes të dy raundeve të votimit.

“Fushata ishte dinamike, e gjallë dhe e qetë. Edhe pse toni i fushatës ishte pak më i ashpër sesa në raundin e parë. Në mungesë të ndëshkimeve për zhvillim të fushatës jashtë periudhës zyrtare pesëditore shumica e kandidatëve filluan ta kërkojnë votën shumë para se të fillojë fushata zyrtare. Në tubimet e kandidatëve morën pjesë udhëheqësit e partive kryesore, përfshirë kryeministrin dhe ministrat. Ne mes të dy raundeve qeveria shpalli një rritje të përkohshme të përfitimeve sociale që dërgoi në akuzat e opozitës për blerje indirekte të votës. Mungesa e hapur e transparencës që lidhet me financimin e fushatave të garuesve vazhdoi edhe në raundin e dytë, duke vazhduar zbatimin e dobët të rregullave për financim të fushatës Kuvendi i Kosovës nuk pati mundësi të garantojë auditimin me kohë të raporteve dhe KQZ-ja nuk mbështeti sa duhet zbatimin e rregulloreve që janë në fuqi”, tha ai.

Shefi i misionit të vëzhguesve të BE-së, Lukas Mandl, tha se tabelimi i rezultateve të raundit të parë vuri në pah një dobësi të theksuar në numërim dhe plotësim të formularëve të rezultateve. Rinumërimi i 1000 vendvotimeve, Mandl tha se tregon nevojën për një rishikim gjithëpërfshirës të dizajnimit të fletëvotimeve dhe të formularëve të rezultateve.

Ai foli edhe sa i përket paraqitjes së kandidatëve në media, derisa theksoi se janë përdorur edhe faqe të dyshimta nëpër rrjetet sociale për të përhapur përmbajtje mashtruese.

“Mediat publike ofruan një mbulueshmëri të balancuar dhe u përpoqën të organizojnë debate me kandidatët për të gjitha 21 komunat edhe pse shumica e kandidatëve vendosën që të mos marrin pjesë. Mediat private intervistuan kandidatët në mënyrë të rregullt dhe ia dolën që të mbajnë disa debate. Mediat e transmetuara u përmbajtën nga transmetimi i përmbajtjeve të paguara politike jashtë fushatës zyrtare zgjedhore duke respektuar rregulloren, megjithatë disa kanale televizive publikuan sondazhe të pabesueshme. Derisa kandidatët ndanë informacione të dobishme përmes platformave online, disa faqe jo transparente të Facebook u përdorën që të përhapin përmbajtje çorientuese që ndikuan në mundësinë e votuesve për të marrë vendime pa ndërhyrje”, deklaroi ai.

Mandl foli edhe për sa i përket ankesave të parashtruara në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ku tha se u paraqiten gjashtë ankesa që kishin të bënin me shkeljen e rregullave të fushatës zgjedhore dhe 24 ankesa për shkeljen e periudhës së heshtjes zgjedhore dhe parregullsi të ditës së zgjedhjeve.

Duke qenë se proceset zgjedhore në vazhdimësi vlerësohen si pozitive nga ana e BE-së, Mandl është pyetur se a është kjo dëshmi e mjaftueshme që t’i ndihmojnë Kosovës në liberalizimin e vizave. Mirëpo, Mandl refuzoi të përgjigjet duke thënë se kjo nuk lidhet me misionin që ai e ka drejtuar.