Opozita: Nuk kemi atdhe rezervë, kemi vetëm Kosovën

Për dallim prej herëve të tjera, takimi mobilizues i opozitës sot ka filluar me një dokumentar ku janë paraqitur premtimet elektorale të kryeministrit Isa Musafa e presidentit të zgjedhur Hashim Thaçi.
Në dokumentar janë paraqitur, siç i quan opozita, dështimet e pushtetit gjatë mandateve të kaluara.
Aty janë hedhur poshtë të gjitha premtimet e tyre për 200 mijë vende pune.
Po ashtu, ishte publikuar edhe fjalimi i Kadri Veselit, ku ka thënë që sigurimi nuk do të hyjë asnjëherë në Kuvend dhe fjalimin e kryeministrit Isa Mustafa, ku kishte thënë se nuk do të shkojë në Bruksel për të negociuar me Serbinë, por në dokumentar ishte paraqitur vizita e tij në Bruksel si kryeministër i vendit.
Takimi nisi me një pikë artistike të përgatitur nga aktori Çun Lajqi, i cili shprehi gatishmërinë për mbrojtjen e tokës së Kosovës.
Fjalimet filluan Ramadan Istrefin nga Kroi i Vitakut, i cili shprehi shqetësimet e tij për shqiptarët që janë shpërngulur nga veriu i Mitrovicës, për të vazhduar me Anita Gërdocin, studente në Universitetin e Prishtinës, e cila foli për gjendjen e të rinjve në vend.
Më pas, fjalimet vazhduan krerët e partive opozitare, të cilët u bënë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se tash e disa muaj po përballemi me njerëz që e kanë shkelur Kushtetutën, kufijtë e shtetit dhe e kanë kthyer Kosovën në zonë të pasigurt.
Ai tha se pushteti e ka shndërruar Kosovën në poligon të hajnisë dhe të krimit dhe, sipas tij, nga frika e tyre për të shpëtuar vetën, ata po e harxhojnë Kosovën.