​Vala e Telekomi, vazhdojnë me humbje e dështime

​Vala e Telekomi, vazhdojnë me humbje e dështime

Vala dhe Telekomi i Kosovës, përveç humbjeve nga të hyrat e shërbimeve, ka pësuar humbje të mëdha edhe nga depozitat e parave në bankat e vendit. Me ardhjen e Agron Mustafës në pozitën e kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, të hyrat nga interesi bankar, të fituara gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, kanë rënë në 224 mijë euro nga 525 mijë euro sa ishin në vitin 2014.

Kjo për arsye se norma e interesit të depozitave prej 4.3 për qind ka zbrit në 1.3 për qind. Kështu thuhet në raportin e vitit 2015. Analistët deklarojnë se bordi i PTK-së, duhet të kërkojë llogari sepse nga mjetet e PTK-së po fitojnë bankat dhe po humb PTK-ja.

Bazuar në raportin financiar të Valës dhe Telekomit të vitit 2015, të cilën e ka siguruar KosovaPress, ka rënie të madhe nga të hyrat prej depozitave.

“Depozitat bankare mirëmbahen në të gjitha bankat në Kosovë. Nuk ka llogari rrjedhëse në bankat e huaja. Norma efektive e interesit e fituar nga depozitat bankare në vitin 2015, është 1.30 për qind, ndërsa, në vitin 2014 ishin nga 2.0 për qind deri në 4.1 për qind. Të hyrat nga interesi të fituara gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, arrin shumën prej 224 mijë euro nga 525 mijë euro sa ishte në vitin 2014.”, thuhet në raportin e vitit 2015.

Për këtë humbje të depozitave duhet të japin llogari dhe të dihet se kush e ka shkaktuar këtë humbje, menaxhmenti apo bordi i korporatës. Kështu tha për KosovaPress, Arton Demhasaj, drejtor ekzekutiv nga Organizata Joqeveritare “Çohu”.

 

Ai po ashtu ka shtuar se PTK është në një situatë ku me negociata me banka kishte mund t’i rris normën e interesit në depozita. Nga normat e depozitave, PTK do të mund të realizonte një të hyrë të mirë, por në këtë rast nuk ka ndodh.

Ndërsa, në përgjithësi e sheh situatën ndryshe, Blerim Grainca, anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ku thotë se ulja e normave të depozitave vjen si pasojë e mungesës së tregut më të madh të sistemit bankar.

Besnik Kada, zëdhënës i BQK-së  thotë se profiti i bankave deri në qershor të këtij viti ka arritur vlerën në 37.7 milionë euro.

“Norma mesatare e interesit në depozita në korrik 2016, ishte 1.26%  ka një rritje të theksuar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë e cila ishte 0.83% në korrik 2015. Profiti i bankave deri në qershor 2016, ka arritur vlerën 37.7 milionë euro, apo krahasuar me një vit më parë kemi një rënie të theksuar prej 7.2 milionë. Të dhënat tregojnë se në vitin e kaluar në tremujorin e dytë apo muajin qershor 2015, profiti i bankave kapte shumën e 44.9milionë euro.”, tha Kada, përmes përgjigjeve elektronike.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, gjegjësisht njësia për monitorimin e Ndërmarrjeve Publike nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet se a kanë kërkuar raport shtesë për rënien e normave të interesit nga Bordi i PTK-së.

Dikur PTK, kishte fitime vjetore qindra miliona euro, ndërsa, vitin e kaluar kishte të hyra në vlerë prej 84 milionë euro.

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), dikur kompania më profitabile në vend, me mbi 2 mijë të punësuar, po përballet me rënie drastike të të hyrave. Bazuar në raportin vjetor të vitit 2015, kompania ka vazhduar më rënie, rreth 20 milionë euro më pak se në vitin 2014. Nga 104 milionë euro të planifikuara pas rishikimit, Telekomi ka realizuar 84.3 milionë euro, apo 20% më pak.

Fitimi i PTK-së edhe përkundër rënieve, në vitin 2012, ka qenë 38 milionë euro, ndërsa, në vitin 2015-të, ka rënë në 6  milionë euro. Vetëm dividenta e PTK-së për Qeverinë e Kosovës për vitin 2013-të, ka qenë 40 milionë euro.

Sipas raportit të Auditimit të siguruar nga KosovaPress, e cila është miratuar nga Bordi, rëniet e Telekomit të Kosovës kanë vazhduar më një ritëm edhe më të madh pas ardhjes së Agron Mustafës, ndërkohë, shpenzimet operative janë rritur për disa miliona.

Qeveria ka dështuar dy herë radhazi ta privatizojë këtë kompani. Oferta e fundit për këtë aset ka qenë 277 milionë euro por që kishte dështuar si proces.

Emërimi i Agron Mustafës në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës ishte kritikuar ashpër nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Por më vonë, ai i kishte tërhequr këto deklarata gjatë një vizite të bërë në Telekomin e Kosovës.

Sipas një marrëveshje paraprake në mes të koalicionit qeveritar, kompanitë publike janë ndarë në mes të PDK-së dhe LDK-së, dhe të tjerëve.

Telekomi i Kosovës dhe Posta e Kosovës po menaxhohen nga persona që me shumicë, në bordet e këtyre kompanive janë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Shpërndaje në: