​Escobar paralajmëron NATO-n: Mos ndani informacione me Malin e Zi

​Escobar paralajmëron NATO-n: Mos ndani informacione me Malin e Zi

Zëvendës ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Ballkanin, Gabriel Escobar konfirmoi se në samitin e fundit të NATO-s, nuk u fsheh frika se është e rrezikshme të ndahen informacione me qeverinë e re në Podgoricë.

Zyrtari i lartë amerikan, i cituar nga Euractiv, shtoi se shqetësimi është real dhe publiku malazez duhet të jetë i ndërgjegjshëm për këtë. Escobar i bëri komentet e tij gjatë një lidhjeje me video në forumin 2BS në Budva.

Duke komentuar mbi ndërhyrjen ruse në çështjet e brendshme të këtij vendi, ai u shpreh se Shtetet e Bashkuara e kanë përgjigjen si diplomatike, ashtu edhe politike për t’iu përgjigjur forcave të izoluara që nuk e duan Malin e Zi, sovran dhe demokratik, raporton Top Channel.

“Ato forca politike në Mal të Zi që janë pro-serbe duhet të pranojnë që Mali i Zi duhet të jetë demokratik, i pavarur, dhe i kthyer drejt Perëndimit e të qëndrojë si pjesë e NATO-s. Anëtarësimi në NATO dhe procesi i integrimit e kanë bërë Malin e Zi shembull për rajonin në 20 vjetët e fundit, dhe për ato parti që me të vërtetë po përpiqen të minojnë këto vlera, ne kemi shumë mënyra për t’iu përgjigjur. Disa prej tyre janë sanksionet, si dhe izolimi diplomatik dhe politik”, deklaroi Escobar.

Shpërndaje në: