​Flasin nga KQZ-ja për zgjedhjet e nesërme, tregojnë numrin e votuesve të infektuar me COVID-19 në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

​Flasin nga KQZ-ja për zgjedhjet e nesërme, tregojnë numrin e votuesve të infektuar me COVID-19 në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën finale të përgtitjes së zgjedhjeve për kryetar që do të mbahen nesër, e diel, në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për Kosovapress për aktivitetet që kanë mbetur të kryhen nga ky institucion deri në hapjen e vendvotimeve, të dielën në orën 07:00. KQZ

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën finale të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut, të cilat do të mbahen më 29 nëntor. Sipas planifikimeve me Planin Operacional ka mbetur që gjatë ditës së shtunë të bëhet rregullimi i qendrave të votimit. Ndërsa, të dielën në orët e hershme të mëngjesit do të bëhet dërgimi i materialit të ndjeshëm zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet. Natyrisht se për KQZ-në këto zgjedhje janë më ndryshe nga herat e kaluara, pikërisht për faktin se organizohen në kohë pandemie, prandaj KQZ-ja kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e masave mbrojtëse”, tha Elezi.

Elezi ka bërë të ditur edhe numrin e qytetarëve të cilët për shkak të testit pozitiv me COVID-19 janë në karantinë shtëpiake dhe për shkak të masave kufizuese nuk do të munden që të shkojnë në vendvotime.

“Komisioni Komunal i Zgjedhjeve ka kontaktuar me qytetarët me të drejtë vote nga komuna e Podujevës të cilët janë në karantinë shtëpiake për shkak të testit pozitiv me COVID-19. Janë kontaktuar rreth 500 persona dhe pothuajse gjysma e tyre kanë shprehur vullnetin e tyre për të votuar përmes ndonjërit nga ekipet lëizëse që ditën e diele do t’i dërgojmë në adresat e këtyre votuesve. Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut janë kontaktuar 21 persona dhe shumë prej tyre deri më tani kanë shprehur vullnetin për të votuar. Të gjithë personat të cilët janë kontaktuar nga Komisionet Komunal të Zgjedhjeve të këtyre dy komunave, i takojnë listës zyrtare të cilën e kemi pranuar”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, numri i vëzhguesve të akredituar për të vëzhguar procesin zgjedhor në këto dy komuna është rreth 1 mijë e 700 vëzhgues. Numri më i madh i tyre përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, pastaj nga organizatat jo-qeveritare vendore si dhe nga mediat vendore e ndërkombëtare.

KQZ ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e masave të ndërmarra me qëllim të mbrojtjes së shëndetit.

Shpërndaje në: