​Istrefi: Me 30 korrik shkëputet kontrata me Z-Mobile

​Istrefi: Me 30 korrik shkëputet kontrata me Z-Mobile

Nga 30 korriku i këtij viti, Telekomi i Kosovës ka marrë vendim që të shkëpus kontratën dhjetë vjeçare me kompaninë Z-Mobile.

Kështu ka njoftuar sot kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi. Ky i fundit doli para protestuesve të Federatës Sindikale të  Postë Telekomit të Kosovës, të cilët po protestonin kundër vazhdimit të kontratës me Z-Mobile.

Istrefi tha para tyre se kjo kompani do të njoftohet sot për shkëputjen e kontratës më 30 korrik të këtij viti.

“Ne jemi në takim ende duke diskutuar edhe aspektin financiar që kemi kontaktuar një kompani ndërkombëtare të bëjë një analizë financiare, ku si raport preliminar ka dalur pozitiv sa i përket aspektit të Telekomit të Kosovës. Në të njëjtën kohë kemi pranuar edhe një njoftim zyrtar nga ekspertiza e jashtme ligjore, ku në të njëjtën kohë na jep të drejtën neve si Telekom të njoftojmë që sot gjatë ditës e njoftojmë edhe operatorin që deri më tani ka qenë partner me neve, në këtë rast Z-Mobile që shkëputja e MSA-së vazhdon që nga data 30 korrik. Sot ju shkon njoftimi”, ka deklaruar Istrefi.

Gjatë protestës, sindikalistët kanë kërkuar nga Qeveria që ta përkrahin vendimin e PTK-së për shkëputje të kontratës. Kryetari i sindikatës Lahmi Balaj tha se kontrata me Z-Mobile është kontratë korruptive dhe e dëmshme për Telekomin e Kosovës, ai ka drejtuar disa kërkesa edhe ndaj kryeministrit të Kosovës

“Së pari kërkojmë nga menaxhmenti i Telekomit të Kosovës që para datës 30 qershor të këtij viti ta njoftoj Z-mobile për mos vazhdimin e kontratës, pasi skadimi i saj është 30 korrik. Kërkojmë nga bordi i drejtorëve të Telekomit të Kosovës që të përkrah menaxhmentin e Telekomit për mos vazhdimin e kësaj kontrate me Z-mobile. Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që edhe me detyrimet e veta kushtetuese ta përkrah bordin e drejtorëve të Telekomit për mos vazhdimin e kontratës me Z-mobile, si dhe ta përkrah bordin e drejtorëve në mbrojtje të interesave të Telekomit. Për këtë rast kërkojmë nga kryeministri dhe Qeveria, që siç parasheh ligji t’ia kthejë dividentën prej 15 milionë euro Telekomit të Kosovë, të cilës i janë marrë jashtëligjshëm”, tha Balaj.

Ai është zotuar se në rast të mos marrjes së një vendimi për shkëputjen e kontratës me Z-Mobile, do të ndryshojnë edhe formën e protestës.

Ndërkaq, Nexhat Llumnica në emër të sindikatës së Re të KEK-ut tha se kontrata me Z-Mobile është  e dëmshme. Ai ka kërkuar që punëtorët të mos jenë pasiv ndaj këtij shkatërrimi të madh që po tentohet të ndodhë.

Të njëjtën kërkesë pati edhe Rashit Gashi, kryetar i sindikatës së KEDS-it, i cili tha se nuk duhet të lejohet privatizimi i Telekomit.

“Ju inkurajojmë të vazhdoni rrugën tuaj drejtë, tashmë ju keni një qëllim, keni marrë një vendim, mos lejoni në asnjë mënyrë t’i gjejë ajo që na gjeti neve, ne u privatizuam, sot tentohet që edhe pas kohës së privatizimit, infrastrukturën tonë të rrjetit në gjithë Kosovën ta shfrytëzojnë edhe kompani të tjera legale dhe ilegale, prandaj qëlloni të bashkuar, dhe në këtë rrugë mos lejoni që dikush t’iu shantazhoj ose t’iu largoj nga kjo rrugë e drejtë deri në qëllimin e madh që e keni”, tha Gashi.

Fatmir Zeqiri, inxhinier i Telekomit, ka përmendur humbjet që i ka shkaktuar Telekomit, kontrata me Z mobile.

“ Kontrata dhjetë vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile ka rezultuar me 104 milionë humbje reale për Telekomin dhe 79,2 milionë bruto fitim për Z-Mobile. Krejt rrjeti ynë, krejt mundi ynë ata vetëm me shpenzime të marketingut, rroga për disa punëtorë dhe një pajisje, e 104 milionë euro kosto për ne, e 79 milionë fitim bruto për të. Prej 79 milionë euro fitim bruto ata deklaruan vetëm pesë milionë euro fitim për 10 vjet, vetëm pesë milionë euro fitim të deklaruar së fundmi nga Z-Mobile është sa qesharake, aq edhe naive. Sepse tregon se sa janë në gjendje të shtrembërojnë të vërtetën përfaqësuesit e Z-Mobile”, tha Zeqiri.

Sipas tij, mbi 140 milionë euro është vlera e llogaritur e të hyrave të humbura për Telekomin me nënshkrimin dhe implementimin e kësaj kontrate.

Zeqiri tha se sikur të mos ishte kjo kontratë Telekomi sot do të kishte edhe 140 milionë të hyra më shumë.  Kjo kontratë, siç tha ai, ka shkaktuar dëme të pa riparueshme të imazhin, duke shfrytëzuar kështu resurset, me ç’rast ka pasur edhe përkeqësim të cilësisë së shërbimeve, për të cilat janë derdhur miliona euro investime. /Sh.Pajaziti/

 

Shpërndaje në: