​Macron do të bisedojë me Putin të premten për krizën në Ukrainë

​Macron do të bisedojë me Putin të premten për krizën në Ukrainë

Presidenti i Francës Emmanuel Macron do të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin të premten për krizën në Ukrainë.

“Do të kem një bisedë telefonike me presidentin Putin të premten në mëngjes, në mënyrë që të mund të shikojmë të gjithë situatën së bashku”, tha Macron pas një takimi sot me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin.

Pallati Elysee njoftoi të hënën se Macron do t’i propozojë Putin “një mënyrë për të qetësuar krizën ukrainase”.

“Ne jemi të shqetësuar dhe shumë të kujdesshëm për të mos krijuar paqartësi dhe paqëndrueshmëri shtesë,” tha Presidenca franceze mes tensioneve midis Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën.

Macron tha se biseda e tij me Putinin të premten do t’i jepte mundësinë udhëheqësit rus për të dhënë një “sqarim” mbi planet e Moskës për Ukrainën.

Macron akuzoi Rusinë se sillet si një “fuqi e çekuilibrit” përmes sjelljes së saj jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Bjellorusi, Kaukaz dhe Moldavi.

Ai tha se situata është shqetësuese dhe kërkon që Evropa të qëndrojë e bashkuar dhe të përgatisë një “përgjigje të përbashkët”.

“Kjo gjithashtu do të thotë që ne duhet të kemi një dialog sqarimi me Rusinë, sepse unë mendoj se ky dialog është i nevojshëm për të hequr qafe paqartësitë,” u shpreh Macron.

Grumbullimi i trupave ruse në kufirin me Ukrainën ka ngritur frikën e një konflikti, por mbetet e paqartë se cilat janë qëllimet e Kremlinit.

Disa analistë parashikojnë se Rusia po shqyrton një lloj ndërhyrjeje në Ukrainë, megjithëse Moska ka këmbëngulur se nuk po planifikon një sulm të ri ndaj fqinjit të saj pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Përfaqësues të lartë të Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës do të diskutojnë në Paris të mërkurën mbi Ukrainën së bashku me zyrtarët francezë në të ashtuquajturin format katërpalësh “Normandi”, përcjell France24.

Shpërndaje në: