​Macron pas fitores: Nga sonte jam presidenti i të gjithëve

​Macron pas fitores: Nga sonte jam presidenti i të gjithëve

Projeksionet e televizioneve franceze tregojnë se Emmanuel Macron ka fituar mandatin e dytë në zgjedhjet presidenciale të Francës me 58 për qind të votave.

Francezët kanë votuar më 24 prill për të zgjedhur presidentin e tyre për pesë vjetët e ardhshëm.

Macron ka garuar kundër kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Ajo besohet se ka fituar 42 për qind të votave.

Projeksionet e përgatitura nga mediat franceze janë kombinim i rezultateve reale dhe atyre të sondazheve, andaj konsiderohen tejet të besueshme.

Momentet e gëzimit janë parë menjëherë në ekranet e mëdha afër Kullës Eiffel, ku janë mbledhur mbështetësit e Macronit, të cilët janë parë me flamuj francezë dhe ata të Bashkimit Evropian.

‘Jam president i të gjithëve’

Macron ka nisur fjalimin e fitores duke falënderuar mbështetësit e tij dhe popullin francez.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se disa e kanë votuar për të bllokuar të djathtën ekstreme.

Macron ka thënë se është duke menduar për ata që nuk e kanë votuar dhe ata që kanë votuar për Le Penin e tani janë të zhgënjyer.

“Prej tani e tutje unë nuk jam kandidat i një kampi, jam president i të gjithëve”.

“U them atyre që kanë votuar për të djathtën ekstreme që do të jetë përgjegjësi e imja dhe ekipit tim që të adresojmë shqetësimet e tyre”.

Mbështetësit e tij kanë bërtitur “edhe një, edhe dy, edhe pjesë vjet tjerë”.

Në anën tjetër, mbështetësit e Le Penit kanë bërtitur me zemërim teksa kanë marrë vesh lajmin.

Shpërndaje në: