​Pesë vjet nga ndalimi i hyrjes së trenit serb në Kosovë

​Pesë vjet nga ndalimi i hyrjes së trenit serb në Kosovë

Beogradi zyrtar para pesë vitesh kishte nisur një tren drejt Kosovës, i dekoruar me flamuj serbë, me mbishkrimin Kosova është Serbi në 20 gjuhë dhe ikonografi mesjetare.

Treni ishte nisur pa lejen e Prishtinës zyrtare, e cila e vlerësoi synimin për hyrjen e tij në Kosovë si provokim dhe shkelje të sovranitetit të saj, andaj edhe nuk e lejuan hyrjen e tij.

Nisja e trenit provokues, sipas autoriteteve të Beogradit ishte një “sprovë me synimin për vendosjen e linjës së rregullt Beograd – Mitrovicë”.

Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi ishte i qartë në qëndrimin e tij se treni me afishe nacionaliste nuk duhej lejuar të hyjë brenda Kosovës.

“Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme. Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi”, pati thënë ai.

Edhe kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, pati deklaruar se nuk do të lejojnë provokime të tilla që kanë për qëllim kthimin e Kosovës dhe rajonit në vite të errëta dhe me pasoja të paparashikueshme.

Treni sipas autoriteteve serbe ishte ndaluar në Rashkë, një komunë në Serbinë jugperëndimore.

Kryeministri i atëhershëm serb Aleksandër Vuçiq akuzoi Prishtinë për provokim, ndërsa ishte ankuar te shefja e asaj kohe e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe se paralajmëroi se do të njoftonte Rusinë, Kinën dhe SHBA për siç tha, ‘faktin se Prishtina po luan lojëra lufte’.

Ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, u pati bërë thirrje të dyja palëve për përmbajtje, duke thënë se ka nevojë për normalizim, e jo për konfrontim.

Por, presidenti i atëhershëm serb Tomisllav Nikoliq, u kërcënua se do të dërgojë ushtrinë në Kosovë, pasi kjo e fundit ndaloi trenin serb të hyjë brenda territorit të saj. Megjithatë, deklaratat e tij ishin më shumë një retorikë nacionaliste se sa realitet, pasi në Kosovë do të përballej me NATO-n.

Tensionet ndërmjet dy vendeve u përcollën me vëmendje të madhe nga mediat e huaja, të cilat shkruanin se “gjuha luftarake që u përdor mes Kosovës dhe Serbisë, është bubullimë teatrale sepse nuk priten përplasje të dhunshme mes dy shteteve, por incidenti tregon se sa e brishtë është paqja dhe stabiliteti në Ballkan”./KP/

Shpërndaje në: