​Teuta Hadri përfundon dëshminë në gjykimin ndaj Salih Mustafës

​Teuta Hadri përfundon dëshminë në gjykimin ndaj Salih Mustafës

Dëshmitarja e mbrojtjes Teuta Hadri ka përfunduar dëshminë e saj para trupit gjykues në rastin ndaj Salih Mustafës në Hagë. Ajo ka thënë se 19 ose 20 maji 1999 ka qenë hera e fundit kur ajo ka qëndruar në Zllash.

Hadri, e cila ka mjekuar të plagosurit gjatë luftës në Kosovë, ka përshkruar edhe rastin e Sokol Sopit, të cilit i kishte ofruar ndihmë mjekësore.

“Sokoli ka qenë me shtatë tetë plagë në trup, copa të granatave, ai ka qenë në gjendje shumë të rëndë anemike, me ia dhënë infuzionin për ta re-animuar dhe pastaj për t’i qepur plagët… Sa më kujtohet kjo ka qenë me Sokolin pas ofensivës, pasi është bërë ofensiva. Ofensiva ka qenë më datën 18, aty kemi pasur të plagosur të tjerë, më 18 kanë qenë ndoshta dhjetë të plagosur, dy kanë qenë më rëndë. Ndërsa me datë 19 i kanë prurë këta prej një fshati, duhet të jetë 19, 20, nuk e mbaj mend, sepse ka qenë ofensivë dhe kemi qenë të traumatizuar nuk e kemi mbajt mend saktë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se pas ofrimit të ndihmës mjekësore Sokol Sopi dhe të tjerë janë bartur për në zona të tjera.

“Sokol Sopi pastaj është bartë se ofensiva ka filluar dhe ne i kemi bartur për t’i shpëtuar të plagosurit që të mos bien në dorën e serbëve, sepse dihen masakrat që bëhen, pastaj i kemi bartur të plagosurit i kemi dërguar në zona më të lira. Kur ka shkuar në zonë më të lirë fatkeqësisht i ka rënë në pritë të armikut, forcave serbe, ai me Isa Kastratin, edhe unë kam qenë në atë makinë, por kam dalë këmbë, sepse gjuanin granatat direkt në atë makinë dhe kam dalë jashtë, fati im që të vij sot për të treguar. Unë kam shpëtuar, Sokol Sopin me ushtarë të tjerë dhe Isën, tre vetë i kanë vrarë forcat armike, i kanë masakruar”, ka thënë Hadri.

Në fund të dëshmisë së saj, Hadri ka thënë se me ofensivën e 18 prillit 1999 ishin larguar nga Zllashi për t’u kthyer një ditë më vonë. Por sipas saj, për shkak të sulmeve të forcave serbe, më 20 prill ishin larguar prapë nga ajo zonë.

“Forcat serbe na ndiqnin në çdo kënd dhe nuk na lanë vend të zbresin me pacientë në Keqekollë, apo Llap, dhe prapë këta ushtarë, ju them trima para trupit gjykues, neve na shpëtuan. Tetë të plagosur i kishim me vete dhe një numër të madh të ushtarëve na kanë kthyer në zonë se Zllashi ishte djeg shkrumb. Ne nuk kemi pasur as vend ku të flemë. Zllashi ka qenë i djegur krejt. Kur jemi kthyer kemi fjetur në trungje të drunjve, dru të kallur, nuk ka pasur as vende, jemi kthyer aty dy orë kemi qëndruar, sepse përsëri forcat serbe kanë hetuar që jemi kthyer në Zllash dhe përsëri na kanë sulmuar dhe jemi tërhequr nga Zllashi, kanë qenë me sa kujtoj dy orë, asgjë nuk kemi parë as shtëpi”, ka thënë ajo.

Procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës në Hagë do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitares së 15 të mbrojtjes, Ibadete Canolli-Kaçiu.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

Shpërndaje në: