​Trajkoviq: Serbët e duan Rusinë vetëm në kriza

​Trajkoviq: Serbët e duan Rusinë vetëm në kriza

Momçillo Trajkoviq, ish-lider komunist i serbëve në Kosovë, ka folur lidhur ndikimin e Rusisë tek serbët, duke nënvizuar se “serbët i duan rusët vetëm në situata krize”.

Trajkoviq, i cili në vitin 1999, kishte pasur në Aeroportin e Prishtinës një debat të nxehtë me kongresmenët amerikane lidhur me shtypjen ndaj shqiptarëve, tash thotë se “populli serb, pavarësisht politikës autoritare në Beograd, ka potencial demokratik”. Ndërsa fajin për “ndikimin e huaj”, siç ai e quan, ua vë elitave politike në Ballkanin Perëndimor.

“Të gjitha elitat politike në regjionin e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende të gatshme që të mendojnë strategjikisht dhe që ta gjejnë rrugëdaljen që të dilet nga aty ku janë të gjithë popujt që jetojnë në këto toka. Politikat e tilla janë të nënshtruara nga ndikimi i huaj. Ka interes amerikan dhe ndikim amerikan. Dhe, sigurisht ka interesa ruse dhe ndikim rus. Dhe mund ta dimë se çka është interes rus dhe kë e përkrah, dhe çka është interes amerikan dhe kush e përkrah. Këtë duhet ta kuptojmë, sepse këtu ndeshen interesat e fuqive të mëdha”, tha Trajkoviq.

Trajkoviq ka thënë se politika aktuale e Serbisë po provon që ta luajë rolin e Titos, si një vend asnjanës, gjë që sipas tij është e pamundshme.

“Serbia, e cila është e zhgënjyer me sjelljen e Perëndimit pas gjithë luftërave që u bënë në Ballkan, ajo mendon se politika amerikane dhe perëndimore ka anuar, dhe kërkon rrugë aty ku mundet – në Lindje. Kjo është Rusia, përkatësisht Kina. Sot i kemi këto pozicione të definuara. Përveç se, Serbia po provon që ta luajë një lojë, e cila dikur është luajtur këtu, e ashtuquajtura politika e të painkuadruarve, të cilën në kohën e vet e ka udhëhequr Tito. Mirëpo, kjo politikë këtu nuk mund të ketë sukses. Pse? Sepse, kur Titoja e themeloi atë politikën e të painkuadruarve të Jugosllavisë së atëhershme, kushtet dhe ambienti, rrethanat historike kanë qenë krejtësisht të ndryshme”, vijoi ai.

Politikani serb nga Kosova ka theksuar se ndikimi i huaj matet me kapitalin e investuar në vendin përkatës.

“Në Ballkan, ndikimi amerikan është më i madhi. Mendoj se interesat perëndimore janë më të madhe dhe ndikimet janë më të mëdha. Para së gjithash, sepse këtu ka kapital amerikan, përkatësisht perëndimor. Në Serbi, aq sa ka kapital perëndimor të instaluar, ka ndikim perëndimor. Ndërsa në Kosovë, Shqipëri, madje edhe në Mal të Zi e Bosnje e Hercegovinë, ai interes apo ndikim është shumë më i madh nga Perëndimi. Përveçse, në Bosnje e Hercegovinë, në një miniplan, aty ka ndeshje më të madhe interesash në mes Perëndimit dhe Rusisë”, tha Trajkoviq.

Momçillo Trajkoviq mendon se ndikimi rus te serbët e Kosovës nuk ndjehet aspak.

“Do t’ua them shumë sinqerisht, se unë këtu nuk e ndjej aspak ndikimin rus. Ndikimi rus këtu matet me atë se sa e dua unë Rusinë. Kaq është ndikimi. Ndikimi direkt, ose të themi, insistimi ditor që ai interes të njihet, këtu nuk ekziston. Me një fjalë, kjo gjë sikur është e qartë plotësisht. Serbët, për shkak të situatës në të cilën gjendeshin, gjë që gjatë historisë ka qenë njëjtë; për shkak të padrejtësisë që mendohet se i është bërë Serbisë, ajo e ka kërkuar mbrojtësin në Lindje. Dhe, provon që të gjejë kompromis në mes interesave perëndimore dhe lindore. Dhe për këtë thamë se, këtu megjithatë duhet të bëhet kompromis dhe jo të bëhet politikë asnjanëse. Në fakt, është e pamundshme sepse Serbia është shumë e vogël që të bëjë politikë asnjanëse, në mënyrë që të mos ndikohet. Dhe në këtë mënyrë të vijë edhe te interesat amerikane, përkatësisht që të ndikojë në politikën amerikane, dhe në njëfarë mënyrë ta zbusë politikën dhe interesat amerikane, pikë së pari për çështjen e Kosovës, e cila është çështja më e ndjeshme në Ballkan, dhe pas së cilës qëndron interesi amerikan”, vijoi ai.

Në intervistë, ai thotë se populli serb e do më shumë Vladimir Putinin sesa Aleksandar Vuçiqin.

“Populli serb mbështetet shumë në Rusi. Vizita e fundit e Putinit në Beograd është treguesi më i mirë se, Putini ka popullaritet më të madh në sesa ka Vuçiqi. Kjo është shumë indikative. Ekzistojnë rrethana historike. Të themi, ekziston afërsia ndërmjet popullit rus dhe serb. Shpesh thuhet se serbët janë rusët e vegjël në Ballkan, gjë e cila nuk është e vërtetë. Vetëm se Rusia gjatë historisë ka mbajtur anën e Serbisë. Dhe, asnjëherë nuk i ka lënë serbët, përveç në vitin 1999, kur Jelcini, siç thotë politika serbe, i ka tradhtuar serbët. Gjithmonë ka pasur lidhje… janë popuj sllavë. Nëse keni armiqësi me ndonjë popull, atëherë me kë mundeni të keni lidhje. Natyrisht me vëllezërit. Jemi popuj sllavë. Vetëm Serbia ka potencial që t’i ndryshojë të gjitha raportet në Ballkan. Sepse, ka potencial të mirë demokratik, i cili sot është i prangosur me politikën autoritare. Do të thotë, populli serb është popull demokatik. Ka potencial të madh demokratik. Këtë historia e ka treguar. Ai potencial duhet të zgjohet. Duhet të krijohen kushtet që ai të dalë në rend të parë. Dhe në këtë mënyrë të hapen disa procese të reja në të gjithë Ballkanin. Përndryshe, kur flasim për rajonin, problemi kryesor janë marrëdhëniet e serbëve me popujt e tjerë. Në Bosnje nuk është zgjedhur çështja serbe. Tani përnjëherë, nga ajo që ishte çështja më e kërcënuar, pra çështja shqiptare, e cila është proces i stabilizimit së çështjes kombëtare shqiptare, në anën tjetër, ndodh dezintegrimi i çështjes nacionale serbe. Nuk mund të zgjidhet një çështje, e tjetra të mos zgjidhet. Prandaj, përnjëherë, ashtu siç thonë shumë në Ballkan, kemi bërjen e kompromisit, por në koncepte të mëdha nacionale. Deri te paqja do të vinte, nëse zgjidhet koncepti i madh nacional shqiptar, koncepti i madh nacional serb, koncepti i madh nacional kroat dhe ai i bullgarëve. Në gjithë këtë pësojnë të vegjlit. Prandaj, bota nuk do ta lejojë këtë. Do të thotë as kjo nuk është zgjidhje”, tha Trajkoviq.

“Nuk ka ndikim rus në media. Unë e kam fqinj gazetarin Budimir Niçiq, autorin e ‘Slobodno Srpski’. Kush mund të ndikojë në të. Ai e ka politikën e vet redaktuese. Punon për “Zërin e Amerikës”. Ai është reporter i ‘Zëri të Amerikës’. Insistimi juaj që të gjeni ndikimin rus në Kosvë e më gjerë, është shumë i gabueshëm. Unë do ta them sinqerisht, përveç se në momente krize, kur të mendohet globalisht, kur t’i ndodhë diçka e keqe popullit serb, mendohet se Rusia do të shpëtojë. Kjo sa i përket ndikimit. Konkretisht, në jetën e përditshme, nuk ka ndikim rus, sepse serbët nuk mendojnë ashtu. Kurse, në situata krize, kur të ndodhë diçka, kur Perëndimi dhe shqiptarët e Kosovës nuk bëjnë diçka të mjaftueshme, dhe për shkak të pazotësisë së politikës serbe, atëherë ata e shohin shpëtim Rusinë. Pra në media, meqë i njoh ato medie, për shembull në veri të Kosovës, të gjitha ato media janë të financuara nga Perëndimi. Unë deri vonë e kam udhëhequr Radion ‘Antena’. Këtu poshtë, ku gjendemi. Ne nuk kemi marrë para nga askush. Dhe e ndërpremë, nuk kishin kurrfarë propagande. Këtu rusët nuk financojnë mediat serbe. Prandaj, nëse nuk i financojnë, nuk kanë as ndikim. Përveç, ndonjë nostalgji serbe për daljen nga një rrugë pa dalje. Atë dalje, duhet ta ofrojnë të gjithë në vendet e tyre. Këtu është përgjegjëse elita shqiptare. Në Bosnjë janë përgjegjëse tri elita. Në Maqedonia janë edhe elita maqedonase edhe shqiptare, sepse ato kanë ndikim të madh në njëra-tjetrën. Në Kosovë, ku ne serbët jemi një pikë uji, e për të cilët nuk llogaritet për proceset që janë negative, edhe për serbët e edhe për shqiptarët… në këtë kuptim nuk ka ndikim. Askush nuk iu jep serbëve, as Serbia. Sikur Serbia t’iu jepte serbëve, askush nuk do të fliste për Rusinë. Edhe njëherë, nuk ka ndikim në medie, sepse Rusia nuk e financon asnjë medie këtu. Nëse gjeni në llogari se dikush merr para nga Qeveria e Rusisë… Shikojeni ju Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë… Ajo Zyrë ka më shumë komunikim me shqiptarët sesa me serbët. Unë e njoh personalisht Lavrovin. Jam takuar me të, tri herë. Njëherë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Edhe unë kam qenë në Moskë. Tri orë kam biseduar me Igor Ivanovin, së bashku me Artemijen në vitin 2000. Tri orë kemi biseduar. Kemi mundur edhe më shumë të bisedojmë. Mirëpo, nuk e kemi pasur më shumë se çka të bisedonim. E çka t’i thuhej? M’i jep armët që të kthehemi? Nuk është kjo ajo që dëshironim. Pra, dua të them se kërkimi i ndikimit rus është humbje e kohës. Jo vetëm tek mediat, por edhe te populli serb. Serbët i duan rusët. Edhe më së shumti i duan në situata krize, kur nuk i mbron bashkësia ndërkombëtare, kur nuk i mbron Qeveria e Kosovës dhe kur nuk ka përgjigje politika serbe. Vetëm në kësi rasti ngrihet nostalgjia për rusët. E jo, sikur dikush po dëshiroka që të vijë këtu përmes Ukrainës, përmes Bullgarisë këtu e te na … Ne jemi mjaftueshëm të mençur. Nuk jemi çmendur. Ne mund të diskutojmë se çka është historia, çka janë rusët e çka amerikanët, por këtë çështje këtu mund ta zgjedhim”, tha Trajkoviq.

Lidhur me një videopostim të tij në facebook, ku ai lavdëron aftësitë e pilotit rus, ai ka pranuar se është mashtruar dhe ka rënë pre e propagandës ruse, duke thënë se ajo video nuk është e një piloti të vërtetë rus, por një videolojë.

“Po, e kam parë këtë. Kështu… Unë nuk merrem vesh shumë në këtë… Dikush thotë se kjo është e montuar, apo si thuhet me këtë gjuhën moderne, me terminologji? Kjo nuk është e vërtetë! Por, në fund të fundit duhet ta pranojmë se aviacioni rus, avionët rusë, pilotët rusë, pas amerikanëve janë më të zotët. Ajo video nuk tregon asgjë tjetër, përveç se akrobaconit dhe aterrimit. A është aterrim i vërtetë… aty ka një… nuk kam lidhje sesi quhet ajo … digë. Kjo sigurisht në kompjuter … po, lojë kompjuterësh ka qenë…”, tha ai.

Mirëpo, në anën tjetër, bashkëbiseduesi ynë nuk pajtohet se ka propagandë mediale. Megjithatë pranon, se propagandë mund të llogaritet blerja e armatimit rus nga Serbia.

“Nuk ka ndikim, e aq më pak ndikim këtu. Jo. Ndikim ka përmes blerjes së armatimit në Serbi nga Rusia dhe Bjellorusia. Edhe kjo mund të jetë propagandë. Po prej nga e merr Kosova armatimin? Prej nga e merr Kroacia? Madje, edhe Kroacia e merr një pjesë të armatimit rus. Për çka bëhet fjalë këtu? Pra, nuk është mirë… nuk ka arsye të kërkohet ndonjë fakt se rusët këtu po i trazuakan serbët dhe në emër të tyre të bëjnë diçka. Jo, kjo nuk është as strategji, as politikë, e aq që është e mundshme. Përveç se te ndonjë budalla, gjë që, faleminderit Zotit, është një numër i vogël i tyre që e flasin atë që e flasin. Kanë të drejtë që të flasin. Por, në përgjithësi, strategjikisht, jo. Ndërsa, shërbimet e fshehta… sa shërbime të fshehta ka në Kosovë? Secili shtet, e ka këtu shërbimin e fshehtë ushtarak e civil. Këtë e kam ndjerë këtu në Kosovë, një kohë kur jam marrë me politikë. Këtë njerëzit e thonë hapur. Tregojnë se kush janë. Kërkojnë formacione se në çfarë mënyre sikur të ndihmojnë. Në esencë, pavarësisht se NATO e ka një politikë unike të mbrojtjes, ata kanë konkurrencë të jashtëzakonshme në mes vete se cili shërbim është më i afti. Kur ushtria ruse, kontingjenti rus ishte në Kosovë, as atëherë nuk është ndjerë ajo politika e ndikimit rus. Sepse, populli e ka parë se ata janë të pazotët të bënin diçka. Kjo është një iluzion. Hapur e them iluzion. Por, dua ta them, se nëse nuk ka mbrojtje nga ky pushtet ku jetojmë, apo ai pushtet diku si në Bosnje ku jetojnë ata ose këta, apo në vende të tjera, p.sh. në Maqedoni, nëse ai pushtet nuk e mbron popullin e vet, qytetarin e vet, atëherë pjesëtarë të nacionaliteteve të ndryshme, në thonjëza “i kthehet të vetes”. Ne serbët, si sllavë, i kthehemi Rusisë”, u shpreh Trajkoviq.

Shpërndaje në: