100 ditë pushtet: Pritet që puna e Qeverisë Kurti të fillojë pas ditës së 209

100 ditë pushtet: Pritet që puna e Qeverisë Kurti të fillojë pas ditës së 209

Qeveria Kurti II ka kompletuar 100 ditë në pushtet, por të cilat janë përshkuar nga momente mbërthyese që nuk e lejonin ‘ta niste punën’. Cilat ishin këto momente dhe pse dita 209 do të jetë dita kur pritet të ‘fillojë puna vërtet’ mund të lexoni më poshtë.

23 marsi i këtij viti ishte një ditë si çdo tjetër për Kosovën. Por, nuk ishte ditë si çdo tjetër për aktivistët dhe profilet e rrejshme të Vetëvendosjes në Facebook duke qenë se lideri i tyre po merrte pushtetin, gjithë pushtetin. Ose… gati gjithë pushtetin. Albin Kurti u votua si kryeministër i Kosovës.

Albin Kurti kishte tashmë pozitën e kryeministrit dhe atë të kryetarit të Kuvendit. Mungonte të shtihej në dorë vetëm edhe pozita e presidentes, dhe kjo gjë ndodhi më 4 prill.

Duke qenë se nuk kishte ndodhur asgjë deri më 4 prill, pas votimit të Vjosa Osmanit për presidente – që ndodhi mes pazaresh të dyshimta politike – Kurti tha se tash do të niste përnjëmend puna.

Por, megjithatë puna nuk nisi. Pas 4 prillit dhe pazareve të bëra për ta shtënë në dorë edhe presidencën, Albin Kurti u angazhua në fushatën zgjedhore në Shqipëri. Ishin Zgjedhjet e 25 prillit. Ai i gjeti tre njerëz dhe i kandidoi për deputetë të Vetëvendosjes në ato zgjedhje. Tiranë, Gjirokastër, Dibër.

Por, këto Zgjedhje rezultuan në katastrofë tmerruese për kryeministrin e Kosovës. Të tre kandidatët e tij morën rezultate qesharake ndërsa Edi Rama fitoi një mandat të tretë duke i fituar rreth 800 mijë vota.

U mendua se pas përfundimit të kësaj loje “tash do të niste përnjëmend puna” nga Albin Kurti. Por, megjithatë puna e tij kjo nuk ndodhi. Qeverisë së Kurtit edhe pse kishin kaluar një muaj e dy ditë prej marrjes së pushtetit, dhe gati 11 vjet prej aktivizimit të Kurtit në politikë, nuk kishte as program qeveritar.

Pa program, pa vizion e pa platformë ai u nis në Bruksel për t’u marrë me prioritetin e tij të gjashtë a shtatë: dialogun me Serbinë.

Në fakt, Kurti nuk është se nuk kishte program. Programi i tij ishte të mos negocionte me Serbinë në asnjë variant nëse ky vend nuk do të kërkonte falje për krimet e luftës dhe nëse nuk do të paguante dëmshpërmblimet.

Por, as Serbia nuk kishte pranuar të negocionte me Kosovën në rast se Kosova do të mbante “taksën 100%” ose do ta vendoste “Reciprocitetin”. Kurti si kryeministër në vitin 2020 e kishte hequr taksën ndërsa nuk po e vendoste “Reciprocitetin”. Çështja u bë aq qesharake sa Kurti përfundoi në tavolinën e negociatave jo duke e detyruar Serbinë të plotësonte kushte, por duke i plotësuar kushte Serbisë.

Pas një takimi që e kishte në muajin maj në Bruksel, Kurti u pajtua të takohej me Vuçiqin po në Bruksel më 15 qershor.

Nuk do të bëhej kurrfarë pune domethënëse për ndryshimin e Kosovës as gjatë majit. Takimi i 15 qershorit ndodhi pas një darke të përbashkët po në Bruksel që kishte ndodhur tri ditë më herët. Përfundoi darka e përfundoi takimi në Bruksel, dhe pritej që “tash të nisej puna nga kryeministri Kurti” dhe të shiheshin pa pasur nevojë për teleskop a periskop të gjitha elementet që përbënin ndryshimin.

Megjithatë, ka një lajm të mirë. Pritet që puna të nis pas 17 tetorit, kur mbahen zgjedhjet lokale.

Ja çka tha sot Vetëvendosje në një komunikatë: “Referendumi i 14 shkurtit do të kompletohet më 17 tetor, kurse ndryshimi i gjithmbarshëm do të jetë edhe më i shpejtë edhe më i thellë pas 17 tetorit.”

Pra, ekziston një shpresë se puna për ta materializuar ndryshimin do të fillojë pas ditës së 209 në pushtet. Të paktën, kështu po na thonë profilet e rrejshme në rrjete sociale që simpatizojnë fuqishëm Albin Kurtin.

Ose, nëse nuk fillon puna në ditën e 209, atëherë mund të fillojë më 1 janar 2022 – ditë në të cilën jepen premtime të shumta për ndryshime nga individë në mbarë botën, disa zotohen se do ta lënë cigaren, disa se nuk do të hanë shumë ushqime me yndyrë etj. Ose, nëse nuk fillon as më 1 janar 2022, atëherë do të gjendet ndonjë datë tjetër ku të varet shpresa për të filluar me punën./Periskopi

Shpërndaje në: