101-vjeçari, ish-gardian nazist, dënohet me pesë vjet burgim për vrasje në kamp të përqendrimit

101-vjeçari, ish-gardian nazist, dënohet me pesë vjet burgim për vrasje në kamp të përqendrimit

Një burrë 101-vjeçar është dënuar në Gjermani të martën për 3.518 akuza për vrasje dhe për shërbim në kampin e përqendrimit të nazistëve Sachsenhausen, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjykata Rajonale e Neuruppin e dënoi atë me pesë vjet burgim, njoftoi Associated Press të martën.

Burri, i cili nuk u identifikua, ka mohuar se punoni si roje “SS” në kamp dhe se kishte ndihmuar dhe nxitur vrasjen e mijëra të burgosurve.

Në gjyqin i cili u hap në tetor, burri tha se kishte punuar si punëtor ferme pranë Pasewalkut në Gjermaninë verilindore gjatë periudhës për të cilën u ngarkua.

Megjithatë, gjykata e konsideroi të provuar se ai punoi në kampin në periferi të Berlinit midis viteve 1942 dhe 1945, si anëtar i regjistruar i krahut paraushtarak të Partisë Naziste, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Gjyqtari kryesues i rastit, Udo Lechtermann, ka vlerësuar se i pandehuri kishte ndihmuar në terrorin dhe makinerinë e vrasjeve nga ana e nazistëve.

“Ju e mbështetët me dëshirë këtë shfarosje masive me aktivitetin tuaj”, tha Lechtermann.

Shpërndaje në: