11 persona kanë humbur jetën nga Ethet Hemorragjike

11 persona kanë humbur jetën nga Ethet Hemorragjike

Kështu është bërë e ditur në prezantimin e hulumtimit në kuadër të projektit Diagnoza dhe Mbikëqyrja e Etheve Hemorragjike Krime- Kongo, sot në Kliniken Infektive të QKUK-së.

Gjatë viteve 2013-2016, nga Ethet Hemorragjike Krime-Kongo në Kosovë, kanë humbur jetën 11 persona ndërsa shumë të tjerë kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Ndërsa sot mënyra e trajtimit është më e perfeksionuar dhe diagnoza mund të sigurohet brenda 12 orëve.

Kështu është bërë e ditur në prezantimin e hulumtimit në kuadër të projektit Diagnoza dhe Mbikëqyrja e Etheve Hemorragjike Krime- Kongo, sot në Kliniken Infektive të QKUK-së.

Gjatë prezantimit janë shpalosur rezultatet e arritura deri tani nga ky hulumtim  si dhe  është folur për  Biosigurinë në Kosovë në periudhën prej vitit  2013-2016 dhe  prej 2017-2019.

Petra  Emmerich, në prezantimin e projektit të përkrahur nga Ministria Federale Gjermane për punë të jashtme,   tregoi se qëllimi kryesor i tij është  sensibilizimi i qytetarëve për uljen e rreziqeve biologjike si dhe mbështetja e rrjeteve për biosiguri.

“Qëllimet tona janë:  sensibilizimi për uljen e rreziqeve biologjike, mbështetja e rrjeteve për biosiguri  brenda dhe në mes të shteteve partnere  , forcimi i aftësisë së detektimit dhe diagnostifikimit së shkaktarëve të  sëmundjeve të rrezikshme në shtetet partnere…Në periudhën kohore prej2013 – 2016 janë mbështetur 19 shtete dhe jam shumë krenare që Kosova jonë ka qenë pjesë e tyre”, shtoi ajo.

Emmerich foli edhe për vazhdimin e projektit për 3 vitet e ardhshme ,  i cili synim kryesor ka vazhdimin e ndërmarrjes së masave për t’i ruajtur rezultatet e arritura, madje edhe për t’i përmirësuar ato.

“Qëllimet tona për 3 vitet e ardhshme  në njërën anë janë vazhdimi masave të ndërmarra deri tani në mënyrë që t’i ruajmë rezultatet e arritura dhe nëse është nevoja  përmirësimi I tyre. Laboratori I profesorit Kurtish Sherifi, në mjekësinë veterinare  është përkrahur me pajisje të reja në mënyrë që të realizohet diagnoza në serumet e kafshëve dhe në rriqrat e mbledhura”, deklaroi ajo.

Në lidhje me ethet e njohura Krime- Kongo Lindita Ajazaj-Berisha, ka bërë prezantimin e rezultateve nga klinika infektive  ku ka treguar se gjatë vitit 2013- 2016 nga këto ethe kanë humbur jetën 11 persona.

“Gjatë viteve 2013-2016 në klinikën infektive kanë kërkuar ndihmë mjekësore 2394 pacientë, qoftë për shkak të pickimit të rriqrave apo edhe rasteve të dyshimta për ethe hemorragjike Krime-Kongo dhe prej tyre 310 pacientë janë spitalizuar, 33 me RT- PCR, kanë rezultuar pozitiv për ethe hemorragjike Krime-Kongo, ndërsa me përfundim fatal kanë qenë 11 raste me shkallë të mortalitetit 33.3%, mirëpo gjatë vitit 2013, ndërsa për vitet 2014, 2015 dhe 2016 nuk kemi pasur asnjë rast me përfundim fatal… Ka dominuar gjinia mashkullore në 84.8% të rasteve,përkundër gjinisë femërore me 15.1% të rasteve”, u shpreh ajo.

Trajtimi i këtyre sëmundjeve sipas  doktoreshës Ajazaj është bërë përmes trajtimit specifik.

Kurtesh Sherifi  nga   departamenti i Mjekësisë Veterinare  ka treguar  se hyalomma margintum është  lloji më i përhapur  i rriqrave në zonat tona.

“Ne jemi munduar të  endemike dhe jo endemike, jemi munduar që nga viti 2012 deri sot të zgjerohemi gradualisht komunë pas komune dhe të identifikojmë llojet e rriqrave dhe prej tyre kemi parë që është hyalomma marginatum si vector hemoragjik i etheve hemoragjike Krime-Kongo, i pranishëm në zonat endemike gjithashtu i kombinuar edhe me zonat tjera”, tha ai.

Ethet hemorragjike Krime- Kongo janë sëmundje virale dhe të  rënda me shkallë të lartë të fatalitetit prej 30 deri në 50% që transmetohen kryesisht përmes pickimit të rriqrave apo edhe kontaktit me gjakun dhe lëngjet trupore të pacientëve me këto ethe .

Përkundër rënies  së numrit të rasteve të prekura nga këto sëmundje , në vendin tonë  për periudhën e vitit 2013 2016 parandalimi dhe mbikëqyrja për këto sëmundje preferohet të vazhdohet në ritëm të njëjtë në mënyrë që  personat e  prekur  të mund të trajtohen menjëherë dhe të mos ketë pasoja fatale.

Shpërndaje në: