11-shja më zhgënjyese e Kupës së Botës

Periskopi.com Sporti

Ka përfunduar Kupa e Botës “Russia 2018” dhe kampion botëror u shpall Franca, e udhëhequr nga lojtari i Atletico Madridit, Antoine Griezmann, shkruan Periskopi.

Kroacia bëri arritje historike, duke dalë e dyta në turne dhe duke e kapërcyer rekordin e 1998-s, kur arriti të dilte e treta.

E treta e botës u bë Belgjika, pasi në ndeshjen për vend të tretë e mundi Anglinë me rezultat 2 me 0.

Zhgënjyese në këtë turne ishin veçanërisht Gjermania dhe Anglia, por edhe mes kombëtareve tjera pati shumë lojtarë që nuk i përmbushën as afërsisht pritshmëritë e fansave të tyre.

Kjo është 11-shja më zhgënjyese e Botërorit, bazuar në këto pritshmëri:

Portier: Hugo Lloris, Francë.

Pika më e dobët e Francës në Kupën e Botës ishte në pikën më delikate, në portë. Lloris dje gaboi rëndë në finale, duke i dhuruar një gol Kroacisë pas përpjekjes për të tejkaluar futbollistin kroat Manxhukiq. Lloris ka shfaqur pasiguri edhe në ndeshjet e kaluara, duke mos qenë në nivel me lojtarët e tjerë të ekipit.

Këtu mund të ishte edhe Neuer, i cili poashtu gaboi dhe De Gea – por mos-sukseset e ekipeve të tyre kombëtare më shumë u përcaktuan nga lojtarët e reparteve ofenzive.

Mbrojtës krahu: Jordi Alba, Spanjë; Joshua Kimmich, Gjermani.

Jordi Alba nuk bëri paraqitje të mira për Spanjën nën urdhërat e Fernando Hierros. 18-shja e Barcelonës dukej mosvet e padisiplinuar duke lënë hapësira në mbrojtje, dhe duke mos arritur të bënte asgjë në fazën ofenzive. Edhe nga Kimmich i Bayernit pritej shumë më shumë, por ai ishte një tjetër futbollist zhgënjyes.

Mbrojtës qendre: Gerard Pique, Spanjë; Samuel Umtiti, Francë.

Prekja me dorë e Gerard Pique në ndeshje kundër Rusisë ishte decizive që Spanja të shkonte në vazhdime dhe të humbte nga penalltitë. Një tjetër gabim i Pique ishte edhe ndalja e Cristiano Ronaldo-s në ndeshjen e parë të Botërorit jashtë zonës me faul, që rezultoi me një tjetër gol të pësuar.

Umtiti është një tjetër fitues i Kupës së Botës që zhgënjeu me paraqitjet e tij. Edhe në finale, por edhe në gjysmëfinale dhe në ndeshjet e tjera, Umtiti ishte mjaft i pasigurtë në pasime dhe në pozicionim, duke dëshmuar se Barcelona bën mirë të rimendojë nëse dëshiron të mbajë Yerry Minan.

Mesfushorë qendre: Isco, Spanjë; N’golo Kante, Francë; Delle Ali, Angli

Isco, sepse në ndeshjen e humbur në penallti përballë Rusisë nuk ia doli të ishte aspak kreativ për të krijuar hapësira për sulmuesit ose edhe për të gjuajtur vetë që të mposhte portierin Akinfeev. Kante, sepse në ndeshjen përballë Kroacisë në finale, ishte thuaj tërësisht i neutralizuar dhe i pandikim, duke bërë një paraqitje skandaloze në mesfushë me shumë pasime të gabuara dhe me shumë rrezik të krijuar për ekipin e tij. Ali, sepse luajti shumë dobët gjatë gjithë turneut, edhe pse pritjet ishin që të bëhej lojtari kryesor i “Tre Luanëve”.

Sulmues: Neymar, Brazil; Diego Costa, Spanjë; Olivier Giroud, Francë

Neymar nuk ia doli mbanë të frymëzonte ekipin e tij që të shkonte më tej se në çerekfinale. Paraqitja përballë Belgjikës ishte mjaft e dobët, ndërkohë që ai u kritikua edhe për simulimet e kota që i bënte në vazhdimësi, shkruan Periskopi. Dobët luajti edhe Diego Costa, ani që e nisi mjaft mirë me dy gola. Në ndeshjen përballë Rusisë, ai u markua mjaft mirë nga një 38 vjeçar si Sergej Ignasheviq. Giroud është poashtu kampion bote, dhe me gjatësinë e tij ia dilte të krijonte hapësira për dyshen e rrezikshme Mbappe, Griezmann, por vetë nuk mundi të shënonte asnjë gol në shtatë ndeshje të luajtura, një statistikë katastrofale krahasuar me atë të mbrojtësit të Kolumbisë Yerry Mina që shënoi tri herë. /Periskopi