SHSKUK në kundërshtim me Statutin e rizgjedh drejtor në Telemjekësi njeriun e afërt të Latifit

SHSKUK në kundërshtim me Statutin e rizgjedh drejtor në Telemjekësi njeriun e afërt të Latifit

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e ka shkelur Statutin duke e rizgjedhur njeriun e afërt të ministrit Rifat Latifi, drejtor në Qendrën Kombëtare të Telemjekësisë.

Ismet Lecaj pa specializim e pa licencë mjeku ka arritur të rizgjedhet në mandatin e gjashtë në pozitën e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë në SHSKUK, shkruan Gazeta Shneta.

Lecaj pa përmbushur as kriteret minimale është rizgjedhur në këtë pozitë, duke qenë njeri i afërt i ministrit Rifat Latifi. Ai ka qenë kandidati i vetëm në këtë pozitë pasi Sektori i Burimeve Njerëzore nuk kishte pranuar një kandidat tjetër me arsyetimin se nuk e ka plotësuar kriterin e përvojës menaxheriale.

Lecaj është vlerësuar me 85.2 pikë nga Komisioni Përzgjedhës, gjë që ia mundëson atij edhe një mandat.

Përzgjedhja e Lecajt në këtë pozitë është në kundërshtim me nenin 18 të Statutit të SHSKUK-së, i cili nënvizon se drejtorët e njësive duhet të kenë të kryer së paku specializimin në fushën e mjekësisë.

Vet Lecaj e ka pranuar se nuk ka as specializim dhe as licencë të mjekut, duke thënë se nuk ka qenë i interesuar të vazhdojë profesionin në fushat klinike. Ai po ashtu e ka pranuar se e ka mik të afërt ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi.

Edhe SHSKUK e ka pranuar se Lecaj nuk ka specializim, por është arsyetuar se janë detyruar t’ia pranojnë dokumentet pasi sipas tyre nuk ka pasur kandidatë të tjerë.

Shpërndaje në: