140 persona nga Topanica e Kamenicës në pritje për t’u testuar për koronavirus

140 persona nga Topanica e Kamenicës në pritje për t’u testuar për koronavirus

Që nga 31 marsi, kur edhe është raportuar rasti i parë në Kamenicë me koronavirus, fshati Topanicë është shpallur si zonë karantinë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Nga 140 raste sa janë të konfirmuara me koronavirus në Kosovë, ndërkaq vetëm në këtë fshat janë 12 persona të prekur me COVID-19, në mesin e tyre një foshnjë pesëmuajshe.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë të ditur se aktualisht është një listë prej 140 personave të cilët do të testohen ditët në vijim.

“Tash ne e kemi një listë për momentin prej 140 personave të cilët ditët në vazhdim disa prej tyre që kanë simptoma e të tjera, do të testohen, por që të gjithë janë vetizolim edhe nuk munden me dalë. Policia është duke u përkujdesur por edhe deri më tani fatmirësisht edhe qytetarët janë duke i zbatuar të gjitha udhëzimet që janë dhënë prej institucioneve”, tregoi Kastrati.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se edhe 12 zyrtarë të stafit shëndetësor të cilët kanë pasur kontakte me familjarët e personave të prekur janë testuar dhe fatmirësisht kanë rezultuar negativ.

Ai ka bërë të ditur se stafi mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë ofron çdo ditë shërbime për banorët e këtij fshati.

“Po, pothuajse vazhdimisht çdo ditë ka raste kur stafi shëndetësor shkon edhe iu ofron shërbime në shtëpitë e tyre që do me thënë fatmirësisht edhe i kanë pajisjet edhe janë duke i respektuar në përpikëri udhëzimet, stafi shëndetësor. Edhe dje i kemi testuar edhe 12 zyrtarë shëndetësor të cilët kanë pasur kontakte që kanë ofruar personave ose familjeve që kanë të infektuar edhe të gjithë kanë rezultuar negativ”, theksoi Kastrati.

Tutje ai ka treguar se aktualisht gjithçka është në rregull sa i përket furnizimit me barna dhe gjëra ushqimore në fshatin Topanicë.

“Për momentin gjithçka është në rregull me furnizimin edhe me ushqim edhe me barna. Janë këto rastet që e ka obligim komuna me ia mbulu, me ua heq shpenzimet, që e ka marrë përsipër, këto familjet që kanë personat e infektuar. Të tjerët janë duke u organizuar vetë. Do me thënë ne e kemi edhe një market i cili kujdeset edhe me ushqime dhe është një person vullnetar i cili edhe është tu u kujdes për çështjen e barnave edhe gjithashtu ka edhe donatorë të ndryshëm që kanë dhënë mjete veçanërisht për barna që me iu ndihmua atyre personave që kanë nevojë”, tregoi Kastrati për lajmi.net

Kastrati ka kërkuar nga qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë pasi që siç tha ai, mund të ketë persona të tjerë të infektuar me koronavirus, por që nuk kanë simptoma.

“Duhet ta kemi parasysh që një pjesë e madhe e tyre nuk paraqesin simptoma fare edhe duhet ta kemi parasysh që mund të kemi  të infektuar në çdo fshat e lagje ku jetojnë. Rrjedhimisht duhet t’i shmangim daljet e panevojshme, të mbajmë distancë sociale me njëri-tjetrin edhe të përkujdesemi për pastërti ashtu siç janë dhënë udhëzimet nga ana e Institutit”, theksoi Kastrati.

Në tërë Kosovën aktualisht janë 140 persona të prekur me koronavirus, 23 prej tyre janë shëruar dhe një person ka ndërruar jetë.

Shpërndaje në: