140 shtetas të Kosovës qëndrojnë në zonat e konfliktit, 75 pjesë të organizatave terroriste

140 shtetas të Kosovës qëndrojnë në zonat e konfliktit, 75 pjesë të organizatave terroriste

 

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha për Gazetën Monitor ka treguar se aktualisht në zonat e konfliktit janë duke qëndruar rreth 140 kosovarë, ku 75 prej  tyre dyshohen të jenë pjesë e organizatave terroriste.

“Vlerësohet se momentalisht numri i qytetarëve nga Kosova në zonat e konfliktit është rreth 140. Duke përfshirë 75 persona që dyshohet se në forma të ndryshme janë aktiv në organizatat terroriste të përcjellë nga gratë dhe fëmijët e tyre. Atje (Siri, Irak) janë edhe 38 gra dhe 27 fëmijë, 58 shtetas të Kosovës janë raportuar si të vrarë, shumica prej tyre besohet të jenë vrarë prej vet terroristëve pas tentimeve për tu larguar nga zonat e konfliktit. Deri më tani 117 prej tyre janë kthyer në Kosovë”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, pjesëmarrja e kosovarëve për në luftërat e huaja vjen si shkak i gjendjes së rëndë ekonomike dhe problemeve sociale, ku nga kjo gjendje u prekën më së shumti të rinjtë e moshës 18-27 vjeç.

Megjithatë, Hoxha ka bërë të ditur se Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës kanë iniciuar hetime penale ndaj 237 personave me dyshimin se kanë kryer vepra penale të organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ku sipas këtyre hetimeve  nga viti 2013 janë arrestuar 127 persona.

“Për gjatë aktiviteteve për parandalim të përhapjes së ekstremizmit, radikalizmit dhe involvimit të qytetarëve të Kosovës në konflikte jashtë vendit, Policia e Kosovës në bashkëpunim më Prokurorinë Speciale të Kosovës ka iniciuar hetime penale ndaj 237 personave me dyshimin se kanë kryer vepra penale të: organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, pjesëmarrje në konflikte jashtë vendit, organizim, rekrutim, lehtësim, financim të terrorizmit si dhe vepra tjera kundër rendit kushtetutës dhe sigurisë në Republikën e Kosovës”, ka treguar Hoxha për Gazetën Monitor.

Tutje Hoxha ka treguar se që nga viti 2012’të numri i përgjithshëm i kosovarëve që kanë shkuar në Siri është rreth 316, në mesin e tyre janë 44 gra dhe 29 fëmijë, në këtë numër janë të regjistruar edhe 38 qytetar që kanë shtetësi të dyfishtë.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovë me 12 mars të vitit 2015 ka miratuar Ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.

Shpërndaje në: