17 qershor 1999: Ja çka shkruante The Washington Post pesë ditë pas lufte për UÇK-në

Richard Cohen Op-Ed

Ky artikull i publikuar më 17 qershor 1999 në prestigjiozen The Washington Post mbante titullin “Dhe fituesi është… UÇK-ja”. Është përkthyer dhe përshtatur nga Periskopi.

Nëse keni qenë lexues i vëmendshëm i lajmeve atëherë e dini se (1) askush nuk e fitoi luftën në Jugosllavi, (2) në të vërtetë, serbët e fituan, (3), jo, NATO e fitoi duke u bërë bashkë, dhe (4) Bill Clintoi e fitoi sepse tha që me bombardime kryhej lufta dhe kështu ndodhi. Në fakt, krejt këto pohime janë pak a shumë të vërteta, por nëse doni ta dini kush është fituesi i vërtetë, atëherë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. E fitoi luftën dhe, e mori edhe vet Kosovën.

Thoni çka të doni për UÇK-në, ajo ka qenë një prej lojtarëve në dramën e fundit në Ballkan që e ka ditur prej fillimit saktë se çka donte dhe se si ta arrinte. Në maj të 1998-s, fola në Stamboll me një njeri të afërt me UÇK-në. Kartela biznesore e tij më thoshte se ai ishte kryeministër i Republikës së Kosovës dhe fizikan me profesion me emrin Bujar Bukoshi. Në atë kohë, Kosova ishte nën çizmen serbe dhe kur zor se i shkonte mendja dikujt për republikë. Krejt kjo do të ndryshojë, Bukoshi më tha. Doli e vërtetë.

UÇK-ja kishte një plan të thjeshtë por efektiv. Do të vriste policë serbë. Serbët do të hakmirreshin, alla-Ballkançe, me reprezalie të shpërndara dhe masakra. Perëndimi do të tmerrohej gjithnjë e më shumë derisa në fund – siç ndodhi në Bosnje – të vendoste për të ndërhyrë. Kështu ndodhi, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa më e madhe e Evropës do të hynin në luftë në anën e UÇK-së.

Funksionoi.

Tash e njëjta UÇK duhet të demilitarizohet – t’ju hiqen armët prej duarve – derisa provinca për të cilën luftoi administrohet nga NATO . Por NATO nuk e humbi asnjë ushtar duke i luftuar serbët. Bëri luftë ndaj një njeriu të vetëm, Sllobodan Millosheviqit, duke i kërkuar falje popullit serb për urat, impiantet e energjithë dhe caqet kuazi-ushtarake që shkatërroi. Serbi mesatar – për dallim nga, ta themi, gjermani mesatar i Luftës së Dytë Botërore – nuk ishte armiku ynë.

UÇK-ja mendonte ndryshe. Në rend të parë, humbi ushtarë – shumë ushtarë. Menjëherë komprometoi trupat tokësore të NATO-s. Luftëtarët e saj ishin vullnetarë – kosovarë apo mërgimtarë nga e gjithë bota që ishin ngjallur nga shpresa për pavarësi duke rrezikuar jetët e tyre. Ata i urrejnë serbët. Ata gjithnjë i kanë urryer serbët. Nëse është e mundur, do t’i urrenin tash edhe më shumë.

Merrni parasysh për një moment Palestinën para vitit 1948 dhe krijimin e shtetit të Izraelit. Ajo pjesë e botës dhe ajo kohë shpesh përmenden këto ditë sepse, përsëri, lufta ka prodhuar një popull të madh mysliman. Por, në vend se të përqendrohen te krijimi i diasporës palestineze, do të ishte më e udhëzueshme që të flitej për Irgunin dhe Bandën Stern, organizatat hebreje terroriste që luftuan jo vetëm arabët por po ashtue dhe britanikët që sunduan me atë që u bë i njohur si Izrael. Terroristët hebre donin ta bënin të pamundur për britanikët që të rrinin. Ata u larguan, arabëve do t’iu tregohej vendi.

NATO mund të jetë në të njëjtin pozicion siç ishin britanikët në Palestinë. Kurrë s’do ta çarmatos UÇK-në. Kufiri shqiptar, i ashpër dhe poroz, nuk është aq larg. Pistoletat e pushkët kollaj kontrabandohen, e edhe më kollaj fshihen. Edhe nëse disa liderë të UÇK-së pajtohen që të jenë të durueshëm e të arsyeshëm, ka arsye të jesh dyshues. Kosova mund të bëhet për NATO-n ajo çka Palestina ishte bërë për britanikët – një vend nga i cili mezi s’prisnin që të largoheshin.

Makthi për Evropën – veçanërisht për Rusinë – është ai i provincave që fitojnë pavarësinë. Kjo është arsyeja pse të gjithë po ngulmojnë që Kosova të mbetet brenda Jugosllavisë. Të thuhet ndryshe prodhon dilemë diplomatike, madje edhe krizë. Por, kush kë po e mashtron? UÇK-ja nuk ka ardhur kaq larg që të pajtohet me diçka më pak se pavarësia. Ndoshta NATO mendon se gjithçka do të shkojë mirë kur Millosheviqi të burgoset – çfarë mendimi i ëmbël – apo vuajtës dënimi për krime lufta. Por, UÇK-ja ka agjendë tjetër. Dëshiron Pavarësi.

Nëse e kaluara është përnjëmend parahyrje, Kosova do të bëhet e pavarur – ndoshta e bashkuar me Shqipërinë, ndoshta jo. UÇK-ja është elementi në Ballkanin e pështjelltë që ka pasur të qartë qëllimin e saj dhe nuk ka hezituar të derdhë gjak për ta arritur atë që dëshironte. Nëse NATO-ja do të ishte veç sa gjysma e UÇK-së reale, do të planifikonte se si të arrinte pavarësinë e Kosovës duke shmangur edhe një luftë tjetër. Ndryshe, do të jetë – kërkojmë falje James Baldwinit – zjarri i herës tjetër. /Periskopi 

Shpërndaje në: