17-vjeçarja indiane thyen rekordin e saj për flokët më të gjatë te një adoleshente

17-vjeçarja indiane thyen rekordin e saj për flokët më të gjatë te një adoleshente

Një vajzë 17-vjeçare nga India ka thyer rekordin e saj si adoleshentja me flokët më të gjatë, më shumë se një dekadë pasi ndali prerjen e flokëve pas një përjetimi të keq në një sallon ondulimi.

Nilanshi Patel, nga qyteti i Modasas, në dhjetorin e 2018-s hyri në librin e rekordeve “Guiness” me gjatësinë e flokëve prej 170.5 centimetra, ndërsa tani ka arritur në 190 për të vënë rekordin e ri.

Babai i saj ka thënë se është krenar që fëmija i tij i vetëm është kthyer në yll ndërkombëtar. Patel ka thënë se s’ka vizituar asnjë floktar qe 11 vjet për shkak të një përvoje të keqe.

“Kur isha 6 vjeçare, kisha një përjetim të keq në një sallon. Që nga ajo kohë s’jam rehat nëse prej flokët. Prindërit e mi i kuptojnë dëshirat e mia dhe tani kjo është kthyer në fatin tim”, ka thënë ajo për “AFP”.

Patel detyrohet të mbathë take të larta që flokët të mos i prekin në tokë. Për kujdesin ndaj tyre, ajo ka thënë se bën të njëjtën gjë që bëjnë të gjithë adoleshentët.

Pateli mban rekordin për adoleshenten me flokët më të gjatë, por jo për të gjitha moshat. Ky rekord mbahet nga Xie Qiuping në Kinë që më 2004 kur mati flokët ato ishin të gjatë 5 metra e 61 centimetra.


Shpërndaje në: