Ja sa herë u qëllua ish-kryepolici që u vra mbrëmë

Ja sa herë u qëllua ish-kryepolici që u vra mbrëmë

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, pranë banesës së tij, në një pallat në Rrugën e Kosovarëve, gati 150 metra larg digës së Liqenit Artificial. Viktima është qëlluar në distancë të afërt dhe plagët e marra i kanë shkaktuar vdekje të menjëhershme.

Artan Cuku gjatë ekzekutimit tek hyrja e pallatit është qëlluar 5 herë, 4 plumba i janë zbrazur në gjoks dhe një në kokë. Po kështu mësohet se kanë qenë dy vrasës. Një prej atentatorëve e ka pritur te hyrja e pallatit dhe tjetri ka qenë i fshehur brenda, ky dyshohet se ka qenë edhe autori kryesor që ka qëlluar mbi Cukun duke e lënë të vrarë.

Plumbi në kokë ka qenë fatal, pasi sipas dëshmive, pas kësaj goditje ish zyrtari i policisë është shembur në tokë. Para ngjarjes, 42-vjeçari ka qenë i ulur në një nga lokalet e zonës. Dyshimet e para në lidhje me motivin e ngjarjes janë ato të vrasjes për shkak të detyrës së tij si ish-punonjës policie. Grupi hetimor i ngritur nga policia dhe prokuroria po heton në dy pista kryesore.

Njëra është ajo e hasmërisë që lidhet me detyrën e Cukut, në kohën kur ka qenë Shef Krimesh në Komisariatin nr.4 në Tiranë, në vitin 2005. Në këtë kohë, një i ndaluar vrau veten gjatë kohës që po merrej në pyetje me armën e Artan Cukut duke ia marrë nga brezi. Por sipas burimeve, kjo çështje ishte mbyllur mes familjeve dhe ishin pajtuar me njëra-tjetrën.

Pista tjetër që po ndjek policia është ajo e vrasjes për shkak të detyrës që ka mbajtur viktima. Cuku qëndroi në këtë post për rreth dy vite. Gjatë kësaj kohe në qytetin bregdetar u goditën disa grupe kriminale që merreshin me trafikun e drogërave të forta. Hetimi është marrë në dorë nga Prokuroria dhe Krimet e Rënda, pasi ka dyshime se vrasja lidhet pikërisht me detyrën që ka kryer viktima.

Shpërndaje në: