Çmimi “tavan” i derivateve do të përcaktohet çdo 24 orë, për një muaj

Periskopi.com Lajme

Sot ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për “tavanin e çmimeve” sa i përket derivateve në të gjitha bizneset që i shesin ato në Kosovë, ndërsa çmimi për sot është përcaktuar 1 euro e 85 cent për litër të naftës dhe 1 euro e 76 cent për litër të benzinës.

Ushtruesja e detyrës së kryeinspektores së tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Lebibe Haliti, për Klan Kosova tregoi se tashmë ka nisur monitorimi i zbatimit të këtij udhëzimi, dhe se çmimet e reja do të publikohen çdo ditë nga ministria para orës 10:00.

Kjo, sipas saj, do të jetë rutinë dhe do të zgjasë 30 ditë. Ndërsa për të gjitha ata që nuk e respektojnë këtë vendim, dënimet e parapara janë nga 2.000-6.000 euro.

“Ashtu siç është përcaktuar edhe në udhëzimin administrativ, Dogana e Kosovës çdo ditë na informon për çmimin e furnizimit, ku hyjnë taksat, akciza, transporti, TVSh-ja, etj, dhe e nxjerrim një mesatare të 10 milionë litrave të fundit për produktin dizell, një milion për produktin benzin dhe produkte të tjera të naftës dhe kalkulimi bëhet nga departamenti përkatës në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, ku nxirret çmimi mesatar për 10 milionë litra të fundit. Atij çmimi i shtohen edhe 12 cent për shpenzime të tjera që i kanë pikat e karburantit dhe del një çmim maksimal i lejuar, i njohur në popull si çmimi tavan”, deklaroi Haliti.