Ekspertët e sigurisë: Mungesa e pancirëve të policisë, shqetësim i madh

Periskopi.com Lajme

“Ka më shumë se një vit që jelekut tim anti-plumb i ka kaluar afati. Do të thotë, qe një vit, unë dal në punë, i zhvilloj të gjitha aktivitetet dhe përgjegjësitë e mia me anti-plumb të skaduar”.

Kështu rrëfen për Radion Evropa e Lirë A.B., pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Emri i plotë i tij është i njohur për redaksinë, por vetë ai nuk dëshiron të identifikohet as në cilin tog bën pjesë.

Kolegë të tij, madje edhe nga njësia speciale, thonë po ashtu se operojnë me pancirë të skaduar – siç njihen ndryshe jelekët anti-plumb.

Eprorët e tyre konfirmojnë se disave u ka skaduar afati dhe se janë në pritje të të rinjve.

“Për momentin, të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të pajisur me jelekë anti-plumb, por një numër i kufizuar i tyre janë me afat të vjetërsuar, e që, sipas projekteve në proces, pritet të zëvendësohen”, thotë Zyra për Media e Policisë së Kosovës në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, por nuk saktëson se sa është numri i përgjithshëm i pancirëve pa afat.

Ekspertë të çështjeve të sigurisë thonë se jelekët anti-plumb kanë afat nga pesë deri në dhjetë vjet, varësisht kompanisë që i prodhon.

Nuredin Ibishi shpjegon se ata “kanë pllaka qeramike apo metalike” dhe “rrjeta me fije sintetike”, që shërbejnë për mbrojtje, por që, kur u kalon afati, nuk janë efektive.

“Secili jelek e ka në pjesën e brendshme afatin e skadimit”, thotë ai.

Procedura për blerjen e pancirëve dhe pajisjeve të tjera për Policinë e Kosovës kalon përmes Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Ky organ, për më shumë se një vit, nuk ka qenë funksional, ndërsa të enjten e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka votuar për përbërjen e re të bordit të tij.

Ekspertët e sigurisë: Mungesa e pancirëve, e papranueshme

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë se mungesa e pancirëve efektivë është “pasojë e keqmenaxhimit”. Kjo, sipas tij, duhet të jetë shqetësim i madh për drejtuesit e policisë dhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Është e papranueshme dhe kundërligjore që polici të dalë në rrugë me jelek anti-plumb të skaduar… Është shumë keq për atë person që me vetëdije lejon që polici të dalë në rrugë me jelek të skaduar anti-plumb”, thotë Qalaj, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e opozitës.

Për të shmangur mungesat e tilla, Qalaj thotë se porositë është dashur të bëhen me kohë.

Shënimi brenda pancirit, i cili tregon afatin e përdorimit. Fotografinë e ka siguruar REL nga burimet e veta në polici.
Shënimi brenda pancirit, i cili tregon afatin e përdorimit. Fotografinë e ka siguruar REL nga burimet e veta në polici.

Ngjashëm shprehet edhe Ramadan Qehaja, njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë. Ai thotë se mungesat e tilla “mund të ndikojnë edhe në gatishmërinë vepruese të Policisë së Kosovës”.

“Kjo është shumë shqetësuese. Është dashur të gjendet një modus tjetër, që të mos priten ata tenderët e rëndomtë… Polica është dashur që në mënyrë të posaçme ta bëjë furnizimin e vet”, thotë Qehaja.

Zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se janë në dijeni për mungesën e pajisjeve për policë, por janë në pritje të veprimeve nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Pancir me afat të skaduar. Fotografinë e ka siguruar REL nga burimet e veta në polici.
Pancir me afat të skaduar. Fotografinë e ka siguruar REL nga burimet e veta në polici.

REL ka kontaktuar Organin Shqyrtues të Prokurimit më 24 qershor dhe zyrtarët atje kanë thënë se puna e bordit të ri do të nisë këtë javë.

Përballë rrezikut me gjoksin hapur, policët e Kosovës ende pa antiplumb

Sindikata: Mungojnë edhe uniforma, këpucë…

Policia e Kosovës përbëhet nga mbi 9,000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

Nga viti 1999, kur edhe është formuar ky institucion, 21 policë kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, në operacione të ndryshme, konfirmojnë nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Kryetari Imer Zeqiri thotë se, nga të dhënat që posedon sindikata, rreth 50% e jelekëve anti-plumb që i ka policia aktualisht, janë me afat të skaduar.

“Edhe unë jam zyrtar policor dhe jelekut tim i ka skaduar afati… Sigurisht që i ka dy ose tre vjet që i ka skaduar afati”, thotë ai.

Përveç pancirëve, shton Zeqiri, ka mungesa edhe të uniformave dhe këpucëve.

“Kjo çështje nuk është normale, sepse shteti po krenohet me aksionet dhe punën e policisë e, nga ana tjetër, sigurimin nuk ia bën ashtu siç duhet. Është obligim sigurimi i jelekut anti-plumb me afat”, thotë Zeqiri.

Në mungesë të uniformave të reja – që përfshijnë këmisha, pantallona, xhaketa e kravata – shumë policë vendosin t’i riparojnë ose ngjyrosin ato.

Besim Miftari është pronari i një dyqani në qytetin e Vushtrrisë, që merret me pastrimin, riparimin dhe ngjyrosjen e rrobave.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se disa klientë të tij janë policë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

“Ata i sjellin sepse nuk kanë mundësi të sigurojnë [uniforma] të reja. I sjellin dhe i ripërtërijnë. Nuk mund të them se ua bëj të reja, por, për një kohë të caktuar, e shtyjnë. Brenda muajit kam më shumë se pesë apo gjashtë uniforma [policie] që i ngjyros”, thotë Mifatri.

Paga bruto e një zyrtari policor të kategorisë më të ulët në Kosovë është 496 euro, ndërsa e një zyrtari policor që vlerësohet se përballet me rrezikshmëri më të lartë është 606 euro. Paga rritet gradualisht në bazë të përvojës në punë.

Policët e Kosovës, njëjtë sikurse edhe zjarrfikësit, punojnë pa sigurime shëndetësore nga shteti.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës është një nga institucionet më të besueshme në vend, sa i përket ofrimit të sigurisë, tregojnë sondazhe të ndryshme të opinionit.