Faqja e Antikorrupsionit nuk lejon qasje në deklarimin e pasurisë tek disa zyrtarë, flasin nga AKK

Faqja e Antikorrupsionit nuk lejon qasje në deklarimin e pasurisë tek disa zyrtarë, flasin nga AKK

Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar formularët me deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë të Kosovës, shkruan Periskopi.

Pasuria e zyrtarëve është publikuar në ueb-faqen e AKK-së si rëndom. Por, edhe pse publikimi është bërë që mbi dy javë, ueb-faqja e Agjencisë nuk po lejon qasje në të gjithë formularët e zyrtarëve. Në fakt, disa prej institucioneve nuk hapën fare, siç është Ministria e Infrastrukturës, apo e ajo e Financave.

Në AKK kanë thënë për Periskopin se kanë disa probleme teknike, të cilat pritën të rregullohen në këtë javë.

“Problemet  të cilat janë shfaqur në ueb-faqen e Agjencisë kundër Korrupsionit, janë paraqitur nga kompania e cila mirëmban ueb-faqen e AKK-së, si pengesa të natyrës teknike të data-bazës për shkak të publikimit të volumit  të madh të materialeve kur janë publikuar më shumë se 5000 regjistra të deklarimit të pasurisë. Këto vështirësi të paraqitura në ueb-faqen e AKK-së pritet të rregullohen gjatë kësaj  jave”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Periskopin.

Tashmë AKK-ja ka hedhur edhe shortin për kontroll të pasurisë. Nga gjithsej 4662, kontrollit të plotë të pasurisë do t’i nënshtrohen 932 zyrtarë të lartë publik. /Periskopi/

Shpërndaje në: