Historia e Kosovës me spiunët rusë

Historia e Kosovës me spiunët rusë

Rashka, qyteza më e afërt e Serbisë në kufirin jugor të këtij shteti me Kosovën, po i pëlqen shumë Daria Aslamovës.

Mbase, për faktin se atje, gazetarja spiune ruse po frymon kaq lirshëm, siç duket në një video që e shpërndau në orët e vona të 7 gushtit, për dallim prej territorit të shtetit fqinj, nga ku ajo u dëbua, të dielën, e në të cilin nuk mund të hyjë hiç në 5 vjetët e ardhshme.

Aslamova, që u shpall e padëshiruar me dyshimet se pati qëllime destabilizimi, nuk është e vetmja ‘non-grata’ në Kosovë, siguria e të cilit vend u cenua, edhe rusë tjerë, si puna e Andrey Antonov, zyrtar i UNMIK-ut i cili nuk hyn dot në Kosovë nga 31 dhjetori 2021.

Për arsye të njëjta, pak javë pas barrikadave të shtatorit të kaluar në veri, të padëshiruar u shpallën edhe bashkëkombësit e tyre, Alexei Krivoshev e Denis Vengerskii.

Rusë tjerë përfunduan edhe nën pranga, si puna e Igor Krasnikov e Marina Vladimirnova, që në janar 2020 ishin zënë në rrugët ilegale pranë kufirit të Kosovës me Serbinë, duke udhëtuar me pajisje ushtarake.

Një muaj para kësaj, u arrestua edhe Andrey Kondrashov, që atëbotë ishte zëvendësdrejtor i rrjetit televiziv rus VGTRK. Ky po xhironte pa leje pjesën e Aeroportit të Prishtinës, e rezervuar për KFOR-in.

UNMIK humbi edhe zyrtarin tjetër, Mikhail Krasnoshchenkov, i cili u kap e u shpall non grata pasi pengoi aksionin e policisë kundër kontrabandës në veri, më 28 maj 2019.

Një rus tjetër, por nga Estonia, Rodion Denisov, ishte arrestuar në fundgushtin e 2017-ës për propagandë me objektet fetare ortodokse, e kundër UÇK-së.

2 javë më herët, në Metregovc të Podujevës, u kapën e u arrestuan duke hyrë ilegalisht në Kosovë edhe 6 tjerë, të cilët u dënuan me gjobë, para dëbimit.

Agjencia e Inteligjencës u pati rënë në gjurmë edhe gazetarëve Oksana Sazonova dhe Sergei Belous, të cilët u ndaluan më 16 shtator 2016 në Hoqë të Madhe të Rahovecit.

Ata u dëbuan për 5 vjet sepse hynë ilegalisht, ndërkohë që po atë ditë në kufi ishte zënë edhe një gjerman me shtetësi ruse, i armatosur deri në dhëmbë.

Në Kosovë, ilegalisht e për qëllime të dyshimta nuk hynë vetëm civilë apo gazetarë, raporton Klan Kosova.

Më 2016-ën, në veri qëndroi për tri ditë ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Cepurin, për çfarë autoritetet nuk kishin pasur fare njohuri.

 

Shpërndaje në: