I merret certifikata menaxherit të prokurimit të UP-së

I merret certifikata menaxherit të prokurimit të UP-së

Zyrtarit përgjegjës të prokurimit të Universitetit të Prishtinës, Selman Qorri, i është anuluar certifikata profesionale. Këtë vendim e ka marrë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik-KRPP, pas një kërkese që ka bërë sekretariati i UP-së. Komisioni i Prokurimit ka shqyrtuar të gjitha faktet e ngritura dhe më pas ka miratuar kërkesën, shkruan Periskopi.

Kërkesa e sekretarit, është parashtruar më arsyetimin se Qorri nuk ka respektuar dispozitat ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik për aktivitetin e prokurimit si: “Drenazhimi, Kanalizim, Ujësjellësi në Filologjik, FSHMN, LOT 1”, dhe “Shërbime të udhëtimit brenda dhe jashtë vendit për nevojat e UP-së”.

Periskopi ka parë vendimin e KRPP-së për revokim të licencës dhe, në ndër tjera, parashtruesi i kërkesës ka pretenduar se janë bërë këto shkelje:

Për tenderin “Drenazhimi, Kanalizimi, Ujësjellësi në Filologjik … lot 1”, pretendohet se Zyrtari Prokurimit Publik -ZPP, nuk ka bërë ndërprerjen e kontratës ku është bërë tejkalimi i pozicioneve mbi 30 për qind, dhe se veç kësaj ai ka vazhduar duke zhvilluar procedurë të re për punët e paparashikuara për të njëjtin projekt (10 për qind nga kontrata bazë).

Në raportin e KRPP-së, thuhet se, sa i përket aktivitetit të prokurimit “Shërbime të udhëtimit brenda dhe jashtë vendit për nevojat e UP-së”, pretendohet se kjo kontratë nuk është nënshkruar në bazë të legjislacionit në fuqi, sepse mungon anëshkrimi i Zyrtarit Kryesor Admirativ -ZKA (Rektorit). Te kjo kontratë mungon edhe zotimi i mjeteve, nuk është nënshkruar nga njësia kërkesë, e që njëjta gjë e tillë është një ndër kërkesat themelore para nënshkrimit të kontratës, bazuar në Ligjin e Prokurimit.

Meqenëse KRPP-ja i pajisë me certifikata zyrtarët e prokurimit, ky institucion edhe i anulon ato, nëse shkelen dispozitat e ligjit. Pra, Qorri tash e tutje do të mund të ushtrojë detyrën vetëm të zyrtarit të thjeshtë të prokurimit.

Më poshtë mund të shihni vendimin e KRPP-së. /Periskopi/

 

 

Shpërndaje në: