Kombëtarja po “shtjerrohet”, trajneri i njohur kosovar analizon gjendjen: Lojtarët e rinj nuk mund t’a duan Kosovën sikur prindërit e tyre

Periskopi.com Sporti

Temë këto ditë u bë largimi i futbollistëve të rinj nga Kombëtarja U21 e Kosovës drejtë asaj të Shqipërisë.

Adrion Pajaziti dhe Medon Berisha ishin dy lojtarët e fundit që u larguan nga kombëtarja e Kosovës, për t’iu bashkuar Shqipërisë, me ç’rast pati edhe shumë reagime, shkruan Periskopi.

Pse po ndodh ky fenomen, kush është fajtori, apo si gjithmonë faji mbetet jetim?!

Për situatën e krijuar te Kombëtarja e Kosovës, Periskopi ka biseduar me trajnerin e njohur kosovar, Genc Sermaxhaj për të marr një përgjigje nga ai.

Sermaxhaj tha se nga Kombëtarja e Kosovës po ikin dhjetra futbollistët dhe kjo duhet të jetë shqetësuese për FFK-në.

“Rasti i fundit e dhjetra tjera që ikën nga Kosova në drejtim të Shqipërisë e vendeve tjera, mund të jetë jo e mirë për Kosovën sepse po ikin mbase lojtarët cilësore e që duhet një përkushtim e përkujdesje më e madhe në këtë aspekt. Fundja zgjidhja duhet të jetë e lirë, por mendoj që primare duhet të jetë fanella e përfaqësueses së Kosovës e më pas nëse ka ndonjë paqartësi ose ndonjë arsyje që nuk duan të zgjedhin Kosovën, atëhere janë të lirë të shkojnë diku ku ata janë më të ‘sigurt’, por në futboll nuk ka siguri askund pos përformancë të mirë në fushë nga vet lojtarët”, tha fillimisht ai.

Tutje trajneri kosovar tha se lojtarët që rriten në Zvicër apo kudo në Evropë, nuk mund t’a duan Kosovën sikur prindërit e vet, pasi ata rriten në një kulturë dhe frymë ndryshe.

“Ata duhet të sigurojnë veten me formën e mirë dhe kjo është e gjitha. Lojtarët që rriten në Zvicër apo kudo në Evropë, nuk mund t’a duan Kosovën sikur prindërit e vet. Ata rriten e zhvillohen në një vend me kulturë e frymë ndryshe. Ambientohen në klube e kombëtare tjetër dhe çdo gjë në këtë aspekt i bën më të afërt përfaqësimi i vendin ku jetojnë. Në anën tjetër tjetër, prindërit duan që fëmijët e tyre të kenë një karrierë të mirë dhe mbase Kosovën nuk e shohin si të tillë. Dhe natyrisht se prindërit janë një prej faktorëve kryesorë për këto gjëra. Por mendoj se FFK, po bën mjaftueshëm punë të mirë për futbollin por mbase duhet të mendohet më ndryshe sa i përket punës së lojtarëve që po ikin, sepse po ikën një e dy, nuk është gjë, por kur ikin dhjetra lojtarë, atëherë diçka nuk po funksionon mirë sa duhet”, u shpreh Sermaxhaj.

Kujtojmë se Kosova do të luajë dy ndeshjet e fundit të edicionit të sivjetëm të Ligës së Kombeve gjatë këtij muaji, kundër Irlandës së Veriut në Belfast, më 24 shtator dhe kundër Qipros, më 27 shtator, në stadiumin “Fadil Vokrri”./Periskopi/