KOSTT e konfirmon se me 40 milionë eurot e Qeverisë do t’u paguhet rryma serbëve në veri

Periskopi.com Lajme

Me 10 gusht 2022, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë edhe 40 milionë euro për Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës [KOSST]. Me këto mjete do të paguhet energjia elektrike për komunat veriore të vendit, anipse u tentua që të mohet kjo gjë.

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, shpjegoi arsyet e ndarjes së 40 milionëve për KOSTT-in. Por, ajo asnjherë nuk deklaroi se se këto para janë të destinuara për të paguar rrymën që harxhojnë serbët në veri të vendit.

“Kyçja e KOSTT-it në ENTSO është në pyetje. Është në fund të marrëveshjes dhe duhet ripërtërirë. Gjatë vitit kemi shkaktuar disbalance të mëdha nga sistemi interkonektiv. Si Ministri e Ekonomisë kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave, ku është propozuar ndarja e 40 milionë euro për shlyerje të detyrimeve dhe janë ndarë ato”, ka thënë Rizvanolli në pyetjen e gazetarëve se a janë ndarë për veriun këto para.

Në anë tjetër, KOSST në një përgjigje për Nacionale, ka konfirmuar se paratë janë ndarë për të paguar rrymën për komunat në veri të vendit.

 

KOSST ka nënvizuar se këto para për energjiën elektrike të shfrytëzuar por e pa paguar nga serbët janë obligime financiare që duhet paguar ndaj ENSTO-E pasi janë bërë devijime Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.

“KOSTT si palë kontraktuese me ENTSO-E ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës mbështetje për mbulimin e detyrimeve financiare sipas obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E. Siç është e ditur, në mungesë të buxhetit për mbulimin e humbjeve të veriut nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Këto devijime janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E si dhe paraqesin obligime financiare për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese, ndaj ENTSO-E, obligime për të cilat faturohet.”, kanë thënë KOSST për Nacionale.

Kjo pagesë vjen pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se qeveria nuk do të bëjë më subvencionimn e energjisë elektrike për serbët në veri.