Kredi edhe për shpenzime ditore

Periskopi.com Lajme

Mihrije Gashi ka marrë tre mijë euro kredi për ta ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të përditshme.

Mihrija, në të 50-tat e saj, jeton me bashkëshortin, tre fëmijët dhe vjehrrit në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Ajo punon në një dyqan rrobash, ku paguhet 300 euro në muaj – ngjashëm sikurse edhe bashkëshorti i saj, i cili punon si elektricist në një biznes privat.

Kredinë thotë se e ka marrë në fillim të këtij viti dhe, për dy vjet rresht, do t’i paguajë bankës një këst mujor prej 130 eurosh, me normë interesi rreth 6 për qind.

Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve, Mihrija thotë se ndryshe nuk ka mundur t’ia dalë.

“Kredinë e kam marrë që të kem para në shtëpi, për nevoja të shtëpisë, për barna… Vjehrrit janë të sëmurë dhe duhet të kem para të gatshme në shtëpi”, thotë Mihrija për Radion Evropa e Lirë.

“Jemi duke mbijetuar me këto rroga. Edhe pse po mundohemi të kursejmë çdo ditë, po marrim para [edhe] nga kredia”, thotë ajo.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e produkteve janë rritur për 11.2 për qind në muajin prill, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Lëvizja e çmimeve në Kosovë

Në Kosovë po vazhdon ngritja e çmimeve të disa produkteve. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat nga 28 marsi.

 

Rritja ka filluar gradualisht, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, ndërsa hov i ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, që ka nisur në fund të shkurtit. Të dyja këto vende janë eksportuese të mëdha të drithërave, andaj lufta mes tyre ka lëkundur tregjet.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës konfirmojnë se në sektorin bankar ka rritje të kredive familjare.

Në dhjetor të vitit të kaluar, vlera e përgjithshme e kredive në dhjetë bankat komerciale në Kosovë ka arritur në mbi 3.75 miliardë euro.

Prej tyre, mbi 1.4 miliard euro kanë qenë kredi për ekonomi familjare, që kanë për qëllim konsumin.

Sipas të dhënave të BQK-së, shuma e kredive për konsum është rritur për 45 për qind në vitin 2021. Në vitin 2020, vlera e kredive për konsum ka qenë rreth 1.2 miliard euro, ndërsa në vitin 2019 kjo shumë ka qenë 1.1 miliard euro.

Nga BQK-ja thonë për Radion Evropa e Lirë se kreditë për qëllime konsumi janë rritur për 19 për qind edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, por nuk komentojnë se cilat mund të jenë arsyet e këtij trendi.

Megjithatë, në Anketën e Kreditimit Bankar, të publikuar nga BQK-ja në muajin mars, thuhet se nevoja për financim të konsumit dhe rritja e besueshmërisë së konsumatorëve ndaj bankave janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e kredive konsumuese.

Bektashi: Rënie e standardit jetësor

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se qytetarët marrin borxhe në institucionet financiare, për shkak të rënies së standardit të tyre jetësor.

Sipas tij, rritja e vlerës së kredive për qëllime të konsumit është “fenomen shqetësues”.“Këta njerëz, në të ardhmen, duhet t’i ulin blerjet e tyre, me qëllim që t’i paguajnë këstet mujore të kredive që kanë marrë tash”, thotë Bektashi.

Mihrija konfirmon se familja e saj ka filluar t’i reduktojë shpenzimet, për shkak të kthimit të këstit të kredisë.

“Nuk po i blejmë më disa gjëra që nuk janë të domosdoshme… më pak lëngje, më pak ëmbëlsira… As ne dhe as fëmijët nuk dalin shpesh në lokale. Edhe daljet gjatë vikendeve i kemi eliminuar”, thotë Mihrija.

Edon Thaçi, punonjës në sektorin privat në Kosovë, rrëfen situatë të ngjashme. Ai thotë se, tash e dy vjet, paguan një kredi që ka marrë për renovimin e shtëpisë.

“Kthimi i kredisë është bërë problem. Çmimet janë rritur, vlera e kredisë dhe paga kanë mbetur të njëjta”, thotë Edoni.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro.

Në sektorin privat, paga mesatare është rreth 380 euro, ndërsa në sektorin publik rreth 620 euro.

Rritje çmimesh, ndërkaq, kanë pësuar gati të gjitha produktet: nga buka deri te rryma.

Sindikalistë të sektorëve të ndryshëm në Kosovë kanë kërkuar disa herë rritje pagash.

Qeveria e Kosovës, në muajin prill, ka miratuar projektligjin për rritjen e pagës minimale nga 130-170 euro, sa është aktualisht, në 250 euro neto.

Ka qenë e paraparë që ky projektligj të dalë në votim në Kuvendin e Kosovës më 6 qershor, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së kuorumit.

Në prill, Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 milionë euro për kategori të ndryshme të shoqërisë, për t’i ndihmuar, siç është thënë, të përballojnë situatën e krijuar nga çmimet në rritje.

Megjithatë, ekspertë të ekonomisë e kanë interpretuar këtë si ndihmë afatshkurtër dhe jo si zgjidhje të përhershme.

Profesori Bektashi thotë se qytetarët duhet të kenë kujdes me shpenzimet, por edhe me kreditë, pasi, sipas tij, në vjeshtë mund të pritet valë tjetër e rritjes së çmimeve.

“Gjatë muajve të verës, krizën mund ta zbusin remitencat dhe ardhja e diasporës, por, në muajt shtator dhe tetor mund të paraqitet një krizë më e thellë, për shkak të zvogëlimit të sasisë së parasë së gatshme në qarkullim”, thotë ai.

Remitencat, apo dërgesat e parave nga diaspora, përbëjnë një burim të madh të të ardhurave në Kosovë.

Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, remitencat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliard eurove – shumë kjo rekorde për Kosovën.

Banka Botërore ka paralajmëruar, po ashtu, vazhdim të rritjes së çmimeve, nëse lufta në Ukrainë vazhdon edhe për kohë të gjatë.