Ministria e Gërvallës nuk i do djemtë e Isa Mustafës, i çoi BMW-të e famshme për servisim në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Gërvallës nuk i do djemtë e Isa Mustafës,  i çoi BMW-të e famshme për servisim në Maqedoninë e Veriut

Veturat e shumëpërfolura BMW të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, janë dërguar për servisim në Maqedoninë e Veriut.

Servisimi i tyre nuk është bërë në Kosovë, edhe pse BMW-ja ka servis të autorizuar.  Në MPJD nuk kanë pranuar të flasin. Ndërsa, Besnik Mustafa, djali i ish-kryeministrit Mustafa, kompania e të cilit e ka autorizimin për BMW-në në Kosovë, e ka sqaruar situatën.

Në Kosovë ekziston servisi për shitjen dhe rregullimin e BMW-së. Madje, ai mund të gjendet lehtë për këdo që ka nevojë.

Edhe pronarët e këtij biznesi njihen nga e gjitha Kosova, pasi janë djemtë e ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Megjithatë, duket se ky fakt nuk po i pëlqen ministres Donika Gërvalla, pasi institucioni që ajo drejton e ka futur në “listë të zezë” biznesin e djemve të Mustafës, duke vendosur që veturat e MPJD-së t’i çojë tek mjeshtrit jashtë shtetit.

Demokracia.com ka siguruar fotografi të veturave zyrtare të MPJD-së, që dëshmojnë se ato janë dërguar për servisim në Maqedoninë e Veriut.

Redaksia ka kërkuar një sqarim nga MPJD lidhur me dërgimin e veturave për servisim jashtë Kosovës, por deri më tani nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Për hir të transparencës bëhen publike edhe pyetjet që i janë dërguar këtij institucioni.

“Pse MPJD ka vendosur që t’i dërgojë këto vetura për servisim në Maqedoninë e Veriut dhe jo tek kompania që operon në Prishtinë? A mund të na tregoni sa është vlera e tërë servisimit që do t’i bëhet këtyre veturave? Sa vetura BMW, pronë e MPJD, janë dërguar në Maqedoninë e Veriut për servisim?”.

Demokracia.com ka provuar të marrë një deklarate për servisimin e veturave edhe nga “BMW M care Maqedonia”, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Kurse, pronari i kompanisë “M Group LLC”, Besnik Mustafa, që është edhe i autorizuar për servisim dhe shitje të BMW-së në Kosovë, ka thënë se Ministria e Jashtme ka vepruar ndryshe me BMW-në në Kosovë dhe ndryshe me BMW në Maqedoninë e Veriut.

“Për Maqedoni nuk ka shpallur fare tender dhe veturat dërgohen për servisim atje direkt te BMW. Pra, pa e futur fare në konkurrencë kompaninë. Mirëpo, tek ne nuk ka vepruar kështu. Tek ne në Kosovë, pra ka dërguar kërkesa që të marrim pjesë në tenderin për servisim të veturave, që i bie që ne si diler të autorizuar të BMW të konkurrojmë në tender dhe të barazohemi me kompanitë tjera, që normalisht janë me të vogla dhe nuk e kanë autorizimin që kemi ne nga BMW”, ka treguar Mustafa për Demokracia.com.

Ai tutje ka treguar se veturat e kësaj ministrie duhet të servisohen direkt tek BMW-ja dhe të bëhet kontratë e rregullt për servisim dhe mirëmbajtje të tyre.

“Nuk ka nevojë që të shpallet tender për këso raste. Për këto vetura vetëm duhet të bëhet një kontratë e rregullt dhe ne si përfaqurës të BMW-së t’i servisojmë dhe t’i mirëmbajmë ato vetura”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, dërgimi i veturave për servisim në Maqedoninë e Veriut i ka kushtuar më shtrenjtë shtetit.

“Normal që vetëm dërgimi i veturave deri në Maqedoni ka kosto shtesë. Mos harro faktin këtu se është shpenzuar edhe naftë. Po ashtu, edhe nëse një zyrtar del jashtë shtetit ai merr edhe mëditje”, ka thënë ai.

Blerja e këtyre veturave BMW nga MPJ në kohën e ish-ministrit Behgjet Pacolli kishte prodhuar reagime të shumta publike vite më parë. Ndërsa, ish-ministri Glauk Konjufca, tani kryeparlamentar, kishte paralajmëruar se do ta hetonte procesin e blerjes së tyre.

Shpërndaje në: