Në Kosovë del në diskutim publik shtrirja e rrjetit 5G

Në Kosovë del në diskutim publik shtrirja e rrjetit 5G

5G është gjenerata e pestë e teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela, dhe ky rrjet është i standardizuar nga grupi industrial ndërkombëtar i quajtur 3rd Generation Partnership Project (3GPP). Edhe Kosova po mëton të ketë shërbime të bazuara në teknologjinë 5G, shkruan Periskopi.

Autoriteti Rregulaltiv i komunikimeve Elektronike dhe Postare -ARKEP po pretendon që në përputhje me rekomandimet e BE-së, të lehtësoj shtrirjen e rrjetave 5G duke siguruar disponueshmërinë e një sasie të konsiderueshme të spektrit frekuencor, në përputhje me kërkesën e tregut. Synimi është që përfitimet e shërbimeve të bazuara në teknologjinë 5G të bëhen të realizueshme sa më shpejtë që të jetë e mundur, duke nxitur kështu transformimin industrial dhe shoqëror dhe rritjen ekonomike në vend.

ARKEP e ka hedhur në diskutim publik “Rishikimin e planit për hapjen e brezave me vlerë të posqame ekonomike për shërbime mobile IMT&IMT 2020”.

Procesi i konsultimit publik me palët e interesuara ka filluar më datën 08 Qershor 2022 dhe përfundon më datë 07 Korrik 2022.

Draft dokumenti “Plani për Hapjen e Brezeve” përshkruan Kornizën rregullatore në Republikën e Kosovës dhe Bashkimin Evropian lidhur me brezet frekuencore me vlerë të posaçme ekonomike për shërbimet IMT & IMT2020, kapacitetet e frekuencore të disponueshme në Kosovë për secilin brez, pasqyrën e tregut të komunikimeve elektronike me fokus në tregun e telefonisë mobile, si dhe janë parashtruar një numër i konsiderueshëm i pyetjeve për palët e interesit ashtu që procesi të administrohet sa më mirë.

Siç thuhet në raportin që e ka parë Periskopi, në këtë proces te vlerësimit te brezeve frekuencore, komisioni ne shqyrtimin dhe analizën e dokumenteve ndërkombëtare për dhënien ne shfrytëzim te resurseve frekuencore te brezit 3400- 3800 MHz ka konstatuar se: duhet te rishikohet vlerësimi i brezit frekuencore 3400- 3800 MHz ne periudhën e tanishme kohore si brez i përshtatshëm dhe përcaktuar ne zbatim te teknologjisë se avancuar 5G.

ARKEP, përmes këtij Plani për hapjen e brezeve për shërbimet mobile IMT-2020, synohen të krijohen parakushtet e nevojshme për zhvillimin e shërbimeve komunikuese elektronike brezgjera, me fokus në rrjetat 5G. Në këtë mënyrë synohet që në Kosovë të arrihen objektiva e rëndësishme në zhvillimin e shërbimeve brezgjera në shfrytëzim efektiv dhe efikas të të gjitha brezeve frekuencore të përcaktuar dhe dedikuar për këto shërbime.

ARKEP, përmes aplikimit të masave të përshtatshme rregullatore synon arritjen e qëllimeve/objektivave si në vijim:

Zgjerimi i numrit të shërbimeve të reja, të cilat do të jenë në dispozicion për shfrytëzuesit fundorë;

Mundësimi i qasjes në shërbimet brezgjëra në vendet më të largëta, si zonat rurale dhe lokacionet e izoluara;

Nxitja e mëtutjeshme e konkurrencës në tregun e komunikimeve elektronike;

Sigurimi i shpejtësisë më të madhe dhe kualitetit më të mirë të shërbimeve mobile brezgjëra;

Shfrytëzim efektiv dhe efikas i resurseve frekuencore si resurse të fundme dhe aplikimi i teknologjive te reja te avancuara ne ofrimin e shërbimeve mobile brez gjëra;

Përmbushja e obligimeve në shfrytëzimin e resurseve frekuencore në përputhje me

Kornizën Rregullatore të BE-së dhe objektivat rregullatore në vend; dhe

Rritje të mëtejme të shkallës së penetrimit të shërbimeve komunikuese brezgjera.

“Në përmbushje të objektivave të përcaktuara në Kornizën Rregullatore, marrë parasyshë rëndësinë që ka ky proces, ARKEP do të ketë prioritet zhvillimin e konkurrencës dhe ofrimin e shërbimeve më të mira dhe kualitet të lartë, përmes krijimit të lehtësirave dhe aplikimit të parimeve bazë për rregullimin e aktiviteteve të komunikimeve elektronike.

Në anën tjetër, operatorët duke marrë parasyshë këto përparësi, duhet të jenë në gjendje dhe të kenë si qëllim kryesor investimet e konsiderueshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës për të realizuar shtrirjen e rrjeteve dhe shërbimeve mobile brezgjëra të bazuar në teknologjitë e fundit (tani gjenerata 5G), ashtu që përfitimet të jenë të gjithanshme si për Operatoret ashtu edhe për konsumatorët”, thuhet në raport.

Plani për hapjen e brezeve frekuencore

ARKEP planifikon që fazën e II-të të hapjes së brezeve ta përfundoj gjatë vitit 2022, me synim në realizimin e këtij procesi ne tremujorin e tretë të vitit 2022 (TM3-2022).

Po, ashtu, ARKEP planifikon dhe njofton qe kapacitet frekuencore qe do te përcaktohen ne brezin 800 MHz dhe 3400- 3700 MHz do te jepen ne paket ne kapacitet te përbashkët për te dy brezet dhe atë me tavanin e kapaciteteve prej 2×10 MHz ne brezin 800 MHz dhe 100 MHz ne brezin 3400- 3700 MHz per operator.

Faza III -Hapja/Dhënia në shfrytëzim e brezeve – Ky proces përfshinë hapjen e brezeve frekuencore: 700MHz, 2100MHz, 2.6GHz, 26 GHz dhe kapacitetet e mbetura në brezetfrekuencore 900MHz dhe 1800MHz.

ARKEP planifikon që Fazen e III-të të hapjes së brezeve ta filloj në vitin 2023.

Tregu i Telefonisë Mobile

Shërbimet e telefonisë mobile nё Kosovë ofrohen nga tre operatorë tё rrjetave tё telefonisë mobile në brezin frekuencor 900/1800 MHz përfshir operatorin me autorizim të perkohshem dhe të kufizuar në infrastrukturë mts D.O.O.;

– Telekomi i Kosovës Sh.a/Vala e licencuar më datë; 30/07/2004 (ART Nr. Prot. 111/04) me periudhë vlefshmërie prej 15 vite, dhe

– IPKO Telecommunications LLC e licencuar më datë; 06/03/2007 (ART Nr. Prot. 77/07) me periudhë vlefshmërie prej 15 vite

– mts D.O.O., Autorizim i përkohshëm

“Krahas tre operatorëve të autorizuar të rrjetave MNO (Mobile Netëork Operator), aktualisht ekziston një operator mobil virtual (MVNO)14, Dukagjini Telecommunications sh.a. (D3mobile), i cili ofron shërbime M2M”.

Deri më tani Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (tutje referuar si – ARKEP) ka autorizuar 2 operatorë (MNO – Mobile Network Operators) për ofrimin e shërbimeve dhe rrjeteve të komunikimeve elektronike mobile në tërë territorin e vendit. Bazuar në të dhënat e dërguara nga operatorët, Republika e Kosovës aktualisht mbulohet mbi 90% të territorit dhe 99% të popullësisë.

Tashme, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. E një ndër pikat e marrëveshjes të nënshkruar nga ish kryeministri, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, ka të bëjë me pajtimin e palëve që ta ndalojnë përdorimin e pajisjeve të dyshimta për 5G që lidhet me kompani kineze, raporton Periskopi.

Ndonëse shpeshherë me sinjal të dobët, në Kosovë që rreth pesë vite është i pranishëm 4G të cilën e pati lansuar operatori IPKO.

Industria e telekomunikacionit ka disa kohë që bën zhurmë për këtë gjeneratë të re të shërbimit me shpejtësi të lartë. Kompanitë nëpër botë kanë nisur testimet dhe kanë filluar të dalin pajisjet e para wireless që e suportojnë 5G-në. Por, kalimi në 5G nuk është kaq afër sa mendohet. Së pari operatorët do të duhet të ndryshojnë tërësisht infrastrukturën e tyre masive. Revolucioni 5G nuk përfshin thjesht internetin, por është krijuar për të lidhur pajisjet smart në shtëpi, dronët, makinat që ngiten vetë, e miliarda objektet e tjera të ndërlidhura, raporton Periskopi.

Problemet bazë që diskutohen në lidhje me 5G prekin edhe Ballkanin. Në të gjitha vendet europianojuglindore, ambasada e SHBA kishte publikuar në faqen e saj të internetit, thirrje të hapura që kërkojnë përjashtimin e konkurrentëve kinezë. Madje në marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA decitivishtë thuhet “Të dy palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuar nga shitës të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Kur pajisjet e tilla janë të pranishme, të dy palët angazhohen për heqjen dhe përpjekjet e tjera të ndërmjetësimit në kohën e duhur”.

Sikurse në Kosovë, edhe në Shqipëri nuk ka as lidhje funksionuese 5G dhe as një datë për të filluar me të. Frekuencat e nevojshme për 5G janë të mbizëna. Qasje aty ka vetëm Telekom Albania dhe Vodafone Albania. Vodafone kishte bëri një demonstrim publik të 5G në Shqipëri. Vodafone Albania përdori për këtë komponentë kinezë për shkak të lidhjeve të ngushta të koncernit mëmë Vodafone me Huawein. Këtë e kritikoi Ambasada e SHBA-së e prej atëherë u ndërprenë të gjitha planet. Si dhe kur do të ketë në Shqipëri sinjal 5G pa pjesëmarrje kineze, akoma nuk dihet.

Në Malin e Zi ka pasur pak zhvillime në drejtim të sinjalit 5G. Rregullatorët shtetërorë atje do të publikojnë këtë vit strategjinë 5G dhe tenderin për frekuencat 5G në gjysmën e dytë të vitit 2021. Për shkak të bashkëpunimeve ekzistuese dhe mospërjashtimin e përgjithshëm të teknologjisë kineze ka gjasa të ketë përdorim të kësaj teknologjie. Plani është që sinjali 5G të shtrihet në vend në fund të vitit 2022.

As Maqedonia Veriore nuk ka sinjal 5G. Shkupi megjithatë pritet të ketë sinjal 5G në fund të vitit 2023. Këtë qeveria e vuri si kusht për pjesëmarrjen në tenderat që pritet të mbahen deri në fund të vitit 2020.

Në Serbi 5G ndodhet në fazën testuese. Koncerni norvegjez Telenor ngriti në qershor 2019 stacionin e parë 5G. Telenor ka hequr dorë nga komponentë të Huaweit, në vend të kësaj përdor komponentë të ofruesit suedez, Ericsson. Por ky qendrën e prodhimit e ka në Nanjing, në Kinë. Ende është e paqartë, kur dhe cilët ofrues të tjerë të 5G do të ketë në Serbi.

Zhvillimi i 5G në rajon nuk dallon nga ato që preokupojnë vendet e tjera europiane. Në vend të kësaj ato janë të lidhura ngushtë me vendimet në Gjermani apo Austri. Bashkëpunimi afatgjatë i Deutsche Telekom apo A1 në Austri me Huawein e bën gati të pamundur për shumë vende të Evropës Juglindore që të heqin dorë nga ofruesi kinez. Rajoni nuk mund t’i rezistojë dot  presionit të fuqive të mëdha botërore si Kina, Rusia apo SHBA. /Periksopi/

 

Shpërndaje në: