S’ka marrëveshje për targat, por ka ngulfatje të tregut më mallra të Serbisë

S’ka marrëveshje për targat, por ka ngulfatje të tregut më mallra të Serbisë

Kosova dhe Serbia dështuan të arrijnë një marrëveshje  në Bruksel për reciprocitetin e targave të automjeteve. Por, automjetet e mëdha të transportit po e mbushin Kosovën me mallra të Serbisë.

Të dhënat e Doganës së Kosovës të siguruara nga Periskopi tregojnë se në muajin Prill të këtij viti, Kosova ka importuar nga Serbia mall në vlerë prej 22,644,403.60 eurove.

Rreth 85 milionë euro ka arritur shifra e futjes së mallrave nga Serbia në tregun e vogël të Kosovës vetëm për katër mujorin e parë të këtij viti.

Produktet e Shqipërisë po e ndjekin Serbinë, por assesi të prekin shifrën e tyre, pasi në muajin prill nga atje u fut mall në vlerë prej 18.2 milionë euro. Nga, shteti tjetër fqinjë i Kosovës, Maqedonia e V, muajin e kaluar u importua mall në vlerë 14. 3 milionë euro. Nga Mali Zi 1,035,196.62 euro.

Ndonëse, në muajin e kaluar importi më Serbinë ka qenë mbi 4 milionë euro më shumë sesa me Shqipërinë, taksat e TVSH -së që janë paguar në Doganë nga Shqipëria dhe nga Serbia kanë qenë të njëjta. Kjo për faktin se nga Serbia kanë hyrë shumë mallra që kanë të bëjnë me lëndën e parë, ndërsa produktet e kësaj kategorie janë të liruara nga tatimi doganor.

Kosova ka arritur të shes në Serbi në muajin e kaluar vetëm 4.7 milionë euro, derisa në Shqipëri ka shitur 8 milionë euro mallra.

Pas një rënie të fortë në vitin 2019, kur Kosova zbatoi reciprocitetin me Serbinë që solli pothuajse bllokimin e importeve, në periudhën janar-qershor 2021, fqinji verior gjeti përsëri teren edhe nën qeverinë e Albin Kurtit, dhe kaloi sërish në vend të parë nga rajoni i CEFTA-s, që përfshin Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importi më Serbinë nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2021 ka qenë 243 milionë e 466 mijë euro. Shqipëria ka qenë pak më poshtë më shifra, në vlerë prej 238 milionë e 600 mijë euro. Blerjet e mallrave nga Maqedonia e Veriut 176 milionë e 448 mijë euro.

Edhe në vitet tjera, Serbia e pushtoi ngjashëm tregun kosovar me mallrat e saj. Ajo eksportoi 285 milionë e 300 mijë euro në vitin 2014, 368 milionë e 200 mijë në vitin 2015, 382 milionë e 100 mijë në vitin 2016 dhe 387 milionë e 600 mijë në atë 2017.

“Kulmi” u arrit në vitin 2018. Serbia dërgoi e Kosova mori nga atje produkte në vlerë hiç më pak se 449 milionë e 900 mijë euro – më së shumti prej 2008-s.

Pushtimit ekonomik që Serbia po i bënte tregut të Kosovës për një dekadë (2008 – 2018), hovin ia ndali taksa prej 10% së pari, e pastaj 100% që Qeveria e Kosovës, atëherë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i vendosi produkteve me origjinë serbe dhe atyre boshnjake në fundnëntorin e 2018-s. Shuma totale e dërgesave të saj nga 449 milionë e 900 mijë euro sa ishte në vitin 2018, ra në vetëm 5 milionë e 578 mijë euro në atë 2019.

Taksa zgjati gati një vit e gjysmë deri më 31 mars të 2020-s. Atë, në këtë datë, e hoqi dhe e zëvendësoi me reciprocitet kryeministri i ri që erdhi në pushtet, Albin Kurti. Kjo i paraqiti shumë telashe gjatë mandatit të tij të parë. Në njërën anë, reciprociteti s’po pranohej assesi nga Serbia, e cila e kushtëzoi rinisjen e dialogut me Kosovën, me heqjen e kësaj mase. Presioni diplomatik i huaj e bëri të vetën. LDK-ja, që ishte në koalicion me VV-në, e prishi ujdinë dhe krijoi një Qeveri të re me AAK-në dhe NISMA-n.

Ndër veprimet e para që mori kryeqeveritari i ri, atë kohë, Avdullah Hoti, ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë në qershor të 2020-s. Fqinji verior, dërgoi përgjatë vitit 2020 produkte në vlerë prej 190,980,000 euro. /Periskopi/

Shpërndaje në: