Më 2 qershor Sami Lushtaku del para gjykatës për rastin e tenderit 6 milionësh në KEK
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, më 2 qershor, do të dal para trupit gjykues për tu përballur me akuzat për korrupsion, në rastin e tenderit 6 milionësh të KEK-ut.
Përveç Lushtakut, në këtë rast, akuzohen edhe gjashtë persona të tjerë, në mesin e tyre drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj.
Rasti i njohur si “KEK 2”, para disa kohësh nga gjykatësit e EULEX-it, ka kaluar te vendorët.
“Betimi për Drejtësi” mësoi se, kjo lëndë i është caktuar gjykatësit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Beqir Kalludra.
Kalladra tha për “Betimi për Drejtësi’, se lënda i ishte caktuar nga ish-kryetari, Hamdi Ibrahimi në një nga mbledhjet e Kolegjit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
I njëjti bëri të ditur se lëndën veç e ka marrë në punë dhe pritet të procedohet më 2 qershor 2017, duke filluar nga ora 09:00.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’i delegohet gjyqtarëve vendorë, të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave, përkatësisht më 12 tetor 2016.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar edhe dokumentin, ku ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi bën tërheqjen e kërkesës nga KGJK, kërkesë kjo që rasti në fjalë të gjykohet nga gjyqtarët e EULEX-it.
“Duke qenë në dijeni se kapacitetet e EULEX-it në ndërkohë janë zvogëluar, tërhiqet kërkesa që lënda penale ndaj të akuzuarve të lartpërmendur të shqyrtohet nga po këta gjyqtarë”, thuhet në këtë dokument.
Në rastin e njohur si rasti i “KEK 2”, mbrojtja e të akuzuarve kishte ushtruar ankesë më 17 mars 2015, lidhur me afatin e ngritjes së aktakuzës dhe e njëjta ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit, më 5 gusht të po atij viti. Ndërkohë, ndaj këtij vendimi, ishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë nga prokurori Claudio Pala, dhe sipas aktvendimit të Gjykatës Supreme, ishin konstatuar shkelje të Gjykatës së Apelit, duke lejuar vazhdimin e procedimit të këtij rasti, duke u bazuar në këtë aktakuzë të pasafatshme, e cila sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme ka mundur të ngritët edhe pas afatit të hetimeve të lejuar.
Për rastin në fjalë hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015. Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës për të lejuar procedimin e këtij rasti është kontestuar nga avokatët mbrojtës, të cilët kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese caktimin e masës së përkohshme që kjo procedurë të ndërpritet dhe të hedhet poshtë aktakuza si e pasafatshme.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, shtatë personat e akuzuar në lidhje me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Të gjithë ata akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, ku i akuzuari Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për ‘keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit Azem Duraku, për veprën penale ‘”shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.
Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “ËDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u.
Në shkurt të vitit 2016, para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi i EULEX, Vladimir Mikula, gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm.
Ndërkaq, deklaratat e dëshmitarëve të ftuar të dëshmojnë për rastin në fjalë mund t’i gjeni në ueb-faqen e “Betimi për Drejtësi”.



