20 korriku 2011: Kur Kosova kishte vënë Reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, jo veç për targa

20 korriku 2011: Kur Kosova kishte vënë Reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, jo veç për targa

Reciprociteti është fjalë e popullarizuar vitet e fundit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, por një masë e tillë ishte provuar të merrej qysh para dhjetë vitesh.

Sot, Njësitë Speciale ROSU kanë dalë në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit për t’i detyruar veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë që t’i vendosin disa tabela të përkohshme të Kosovës.

Sidoqoftë, Reciprociteti i plotë tregtar e ekonomik ndaj Serbisë mungon.

Në korrikun e vitit 2011, Kosova kishte marrë vendim për të bllokuar produktet e Serbisë. Mimoza Kusari – Lila, që ishte pjesë e Qeverisë Thaçi në atë kohë në kapacitetin e ministres së Tregtisë, kishte deklaruar se një gjë e tillë bëhej për arsye ekonomike.

“Sot do te merret vendimi për masat reciproke të plota për Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e tërheqjes se Serbisë nga bisedimet, ku kjo e fundit nuk kishte pranuar vulat e doganës së Kosovës, të cilat për tri vjet kishin bllokuar mallrat kosovare”, kishte theksuar Kusari – Lila.

Kjo kishte ndodhur më 20 korrik të vitit 2011, dhe zbatimi kishte nisur në të gjitha pikat kufitare.

Por, pesë ditë më vonë Qeveria kishte vendosur të dërgonte në pikën 1 dhe 31 të vendit njësinë speciale të Policisë së Kosovës.

Ajo që kishte ndodhur pati pasoja por edhe përfitime konkrete për Kosovën.

Një ndër to, ishte hapja e tregut të Serbisë për ekonominë e Kosovës që përgjatë dhjetë viteve të fundit, ka arritur megjithatë të eksportojë në shifra gjithnjë e më të mëdha.

Së fundi, kryeministri Kurti sërish ka paralajmëruar vendosjen e Reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë edhe pse nuk ka treguar ndonjë datë se kur do të bëhej një gjë e tillë. /Periskopi

Shpërndaje në: