20-vjetori i çlirimit të Kosovës në fokus të mediave ndërkombëtare

Periskopi.com Lajme

Sot në Kosovë është shënuar 20 vjetori i çlirimit të Kosovës që erdhi pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat serbe që u përcoll me intervenimin e NATO-s mbi forcat serbe kur u pa se nuk kishte zgjidhje tjetër për të parandaluar vrasjet dhe dëbimet e shqiptarëve nga trojet etnike të tyre.

Për të festuar 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe njëherit intervenimin e NATO-s, në Kosovë kanë ardhur ish-presidenti i asaj kohe i SHBA-së, Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit Madeleine Albright dhe ish-komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark.

Festa e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës ka qenë sot në fokus të medieve më të njohura ndërkombëtare.

E përditshmja ‘New York Times’, duke iu referuar raportimit të Associated Press ka shkruar se 20 vite më parë forcat e NATO-s vendosën të bëjnë ndërhyrje në Kosovë për të ndalur goditjen e përgjakshme të Serbisë ndaj popullit të Kosovës me shumicë shqiptare.

“Por megjithëse tani është shtet i pavarur, Kosova dhe 1.8 milionë njerëz të saj ende nuk kanë njohje të plotë ndërkombëtare. Forcat e NATO-s janë ende atje dhe marrëdhëniet me Serbinë mbeten të këqija pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësimit”, shkruan New York Times.

‘The Guardian’ duke shkruar për ditë e çlirimit të Kosovës, kanë përmendur se prezenca e NATO-s në Kosovë është ende e nevojshme për shkak të konfliktit ende të pazgjidhur midis Kosovës e Serbisë.

“Njëzet vjet pasi trupat e NATO-s hynë së pari në Kosovë në fund të një bombardimi 78 ditor, 3,500 trupa nga aleanca ushtarake mbeten ende atje në vendin e ri, ku konflikti ende nuk është zgjidhur përfundimisht. Por, SHBA-të kanë konsideruar së fundmi zvogëlimin e pranisë në Kosovë.

“Fuqia e bombardimeve perëndimore detyroi tërheqjen e forcave serbe në qershor të vitit 1999. Pesëdhjetëmijë trupa, të udhëhequr nga Sir Mike Jackson hynë në Kosovë. Pothuajse 10 vite më vonë, pavarësia u shpall, megjithëse Serbia dhe Rusia ende nuk e njohin vendin dhe kohët e fundit po lobojnë kundër integrimit të Kosovës. Gjithsej 13,517 njerëz u vranë ose u zhdukën gjatë luftës në Kosovë”, shkruan The Guardian.

“Megjithatë, nuk shihet se marrëveshja midis dy vendeve është afër. Në muajt e fundit pati tension të shtuar të raporteve kur policia e Kosovës arrestoi një numër të madh njerëzish për korrupsion”, ka shkruar Guardian.

Ndërsa, britanikja ‘The Independent’, ka shkruar edhe për masakrën e Reçakut duke përmendur se në Kosovë për të festuar 20 vjetorin e çlirimit do të qëndrojnë edhe liderë si Clinton, Albright e gjenerali Clark.

“20 vjetori i përfundimit të luftës, në të cilën vdiqën 15,000 njerëz dhe rreth 2.7 milionë u dëbuan, po shënohet këtë javë me madhështi dhe ceremoni me liderët e perëndimit në atë kohë, përfshirë Bill Clinton”, shkruan ‘The Independent’, duke sjellur rrëfimin e Ramë Shabanit për masakrën e Reçakut.

Edhe ‘France24’ ka shkruajtur për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës duke thënë se Clinton është i dashur në Kosovë për ndërhyrjen e cila i detyroi forcat serbe të tërhiqeshin nga lufta me shqiptarët etnikë, që mori 13 mijë jetë, kryesisht shqiptarë, shkruan lajmi.net.

“Beogradi ende e refuzon ta njohë Kosovën. Ndërsa Kosova ka mbështetjen e SHBA-së dhe pjesës mët ë madhe të Perëndimit. Rusia dhe Kina e refuzojnë shtetësinë e saj. Clinton i cili pothuajse konsiderohet si babai themelues i shtetit të Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi atë me medalje, duke thënë se kjo ishte shenjë vlerësimi për lirinë që solli tek ne”, shkruan France24.

Ata gjithashtu kanë përmendur edhe bustin e ngritur për hir të sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright.

Shpërndaje në: