200 mijë gjoba që nga fillimi i pandemisë, Kelani: Qëllimi i policisë është sensibilizimi i qytetarëve

200 mijë gjoba që nga fillimi i pandemisë, Kelani: Qëllimi i policisë është sensibilizimi i qytetarëve

Nga 30 gushti, pa përfshirë statistikat e 24 orëve të fundit, janë shqiptuar mbi 22 mijë gjoba për mosrespektimin e masave kundër COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës, i ftuar në “Sytë Shtatë”, me ç’rast ka deklaruar se me shqiptimin e gjobave nuk kanë qëllim ndëshkimin por sensibilizimin e qytetarëve.

“Policia s’ka qëllim ndëshkimin e qytetarëve por sensibilizimin e tyre për të parandaluar pandeminë”, ka thënë Kelani.

Sipas Kelanit që nga fillimi i pandemisë janë shqiptuar mbi 200 mijë gjoba.

“Qytetari që ndëshkohet s’ndihet mirë, por në analiza të thella polica s’ka përfitim personal se mjetet s’shkojnë në xhepin tonë”, ka thënë Kelani.

Kelani ka folur edhe për arritjet e policisë që nga themelimi i saj në vitin 1999.

“Policia ka arritur të ketë mbi 9 mijë e 180 punonjës, përfshirë stafin e uniformuar dhe atë civil, ta ketë një strukturë organizative të mirëfilltë dhe të jetë e ngritur si në aspektin e burimeve njerëzore, logjistike po ashtu edhe në aspektin e punës profesionale”, wshtw shprehur Kelani.

Polica e Kosovës, sipas Kelanit, është polici demokratike që mund të krahasohet me çdo polici të vendeve të rajonit dhe më gjerë.

“Policia e vendit ka filluar me 167 kadetë policorë në vitin 1999, ku një ndër sfidat e para të policisë ka qenë vetë themelimi i saj e pastaj edhe krijimi i strukturës policore”, është shprehur Kelani.

“Ka pasë sfida të shumta por është arritur që policia të zhvillohet dhe të jetë profesioniste”, ka thënë Kelani.

Në bazë të shumë sondazheve ndër vite, Kelani thotë se policia ka arritur të ketë një besueshmëri të lartë dhe transparencë të lartë.

“Mund të them se policia e Kosovës është një ndër institucionet më e besuar dhe më transparente në ballkanin perëndimor”, është shprehur Kelani.

Andaj, Kelani ka thënë se presin që në vijim të jenë edhe anëtar të Interpolit, pasi kjo, sipas tij, mbetet ende një sfidë.

“Kapacitetet tona të burimeve njerëzore, logjistike dhe të punës profesionale tanimë veç i kemi. Mund të them lirisht se janë faktorë të tjerë ta quaj politikë që ndikojnë në mos anëtarësimin e policisë në Interpol”

Kelani ka folur edhe për ceremoninë e një dite më parë, ku u shënua 22 vjetori i themelimit të policisë.

“Ka shkuar kryesisht mirë edhe pse ne si polici kemi pasë dëshirë ta kemi një festë më madhështore tu japim hapësirë edhe institucioneve por edhe të tjerëve që të marrin pjesë e festës së 22 vjetorit po për shkak të kushteve nga pandemia jemi detyruar që tu përmbahemi gjitha kritereve dhe masave që parashihen për parandalim të pandemisë dhe njëkohësisht të mbajmë një ceremoni ta quaj solide”, ka thënë Kelani.

Për nder të 22 vjetorit të themelimit të policisë, janë bërë edhe homazhe te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, 21 heronjve të policisë së Kosovës, që dhanë jetën duke i shërbyer vendit.

Dhe po ashtu bërë ndarja e medaljeve, certifikatave për lëvdatë, mirënjohje ndaj zyrtarëve policorë të cilët janë që janë dalluar me punën e tyre gjatë këtij viti.

“Mesazhi ynë është të kontribuojmë në parandalimin e pandemisë të cilën e arrijmë vetëm duke respektuar masat”, ka thënë Kelani.

Sipas tij sa ma shumë që respektohen masat në terren aq më pak punë ka policia/Klankosova.tv

Shpërndaje në: