2016, 2019, 2021: Tri paralajmërimet bizare të luftës me Serbinë nga Albin Kurti

2016, 2019, 2021: Tri paralajmërimet bizare të luftës me Serbinë nga Albin Kurti

Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej dje pas vendosjes së reciprocitetit për targa nga Qeveria e Kosovës. Ushtria e Serbisë është parë duke lëvizur më na jugu, territori i Kosovës, duke rritur edhe më shumë frikën për një përshkallëzim të mëtejmë. Por, cili ishte qëndrimi i kryeministrit Kurti për një luftë të mundshme?

Në shtatorin e vitit 2016 [dmth saktë pesë vjet më parë], situata për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi kishte prodhuar një konflikt të brendshëm politik që zgjati shumë dhe i la kosovarët pa lëvizje të lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Opozitari i atëhershëm Albin Kurti, paralajmëronte në shtatorin e 2016-s se kjo çështje mund të prodhonte edhe luftë.

“Kufiri është çështje e ndarjes së territorit. Nuk kemi tokë për të falur. Në atë tokë është derdhur gjak dhe ne s’kemi gjak për të falur. Thaçi dhe Mustafa të japin dorëheqjen. Në 4-5 vitet e ardhshme ka gjasa të ketë përsëri luftë,” kishte thënë Kurti, përcjell Periskopi.

Edhe në një intervistë transmetuar në televizionin publik [RTK], Albin Kurti kishte deklaruar se “në 5 vitet e ardhshme është më e mundshme të ketë luftë [me Serbinë], se sa të mos ketë,”

Kryeministrit Kurti ka përmendur luftën edhe në të tjera raste, por nëntori i vitit 2019 kishte një theks më të rëndësishëm.

Ai po kundërshtonte idenë e shkëmbimit të territoreve.

“Nuk ka shkëmbim territori pa gjakderdhje! Gjithmonë do të ketë shqiptarë dhe serbë në të dy anët e kufirit. Prandaj, pranimi i demarkacionit po, por jo shkëmbim i territorit,” ishte shprehur Kurti për Danasin serb.

Në raundet e fundit të negociatave me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, Kurti kishte kërkuar të nënshkruhej një deklaratë ku të dyja palët [Kosova e Serbia] do të garantonin se nuk do të sulmonin ushtarakisht njëra-tjetrën.

Natyrisht, një skenar i tillë nuk duket aspak i mundshëm marrë parasysh që Kosova thjesht po zbaton një marrëveshje [2011] që Kurti e kishte kundërshtuar dikur dhe që bën fjalë thjesht për reciprocitetin e targave. /Periskopi

Shpërndaje në: