NISMA kategorike kundër Thaçit

Periskopi.com Lajme

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, ka thënë se kjo parti është kundër idesë së kryeministrit Ramush Haradinaj që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të udhëheqë bisedimet finale në dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas Sherifit, Thaçi në kohën sa ishte në qeveri ka dëshmuar se nuk di të dialogojë duke “i sjellë Kosovës marrëveshje të dëmshme”.

“Nisma ka bërë të ditur se mendon që dialogu me Serbinë siç ka filluar duhet të mbyllet brenda qeverisë dhe nuk duhet të transferohet te presidenti, për faktin edhe për shkak të personit, që në cilësinë e kryeministrit ka histori të dobët me marrëveshjet që në kor janë cilësuar si të dobëta. Fusnota, telekomi e të tjera… nuk mundet i njëjti njeri, që ka funksion tjetër të vendoset tash të jetë më i mirë”, ka thënë Sherifi.

Sipas tij, dialogun duhet ta udhëheqë qeveria, por nëse kjo refuzohet nga kryeministri Ramush Haradinaj, udhëheqja duhet t’i kalojë Kadri Veselit, si kryetar i partisë më të madhe në koalicionin qeverisës. E nëse as Veseli nuk pranon, sipas Sherifit, kjo mund t’i besohet zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj, që është kryetar i Nismës.

“Nëse kryeministri nuk mundet le të bëhet një ekip. Nëse kryeministri mendon se nuk ka kohë le t’i mbetet partisë më të madhe të koalicionit, le të mbetet në Kuvend, le t’i mbetet kryeparlamentarit Veseli, pastaj le ta marrë zëvendëskryeministri Limaj. Ai është kryetar i partisë dhe mund të mbetej brenda qeverisë, e mund të merrej ekskluzivisht me dialogun”, është shprehur Sherifi në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se e sheh si të thatë platformën e qeverisë, të propozuar për finalizimin e dialogut.

“Nisma do të japë qëndrimin e saj në proces kur të hapet debati. Besojmë se idetë tona duhet të inkorporohen. Platforma më shumë ka qenë si skicë se si ide me të cilën delegacioni i Kosovës mund të niset. Ajo është shumë e thatë. E shoh si skelet që duhet të mbushet. Nuk mund t’i kërkohet llogari një delegacioni nëse niset me ato pak rreshta. Ato mund të mbushen me përgjigje të gabuara që, siç po shihet, më pas nuk po mund t’i zhbëjmë. Thaçi as nuk do të kërkonte miratimin e Kuvendit e as opozitës e do të shkonte atje do të thoshte se unë e bëra”, ka thënë më tej ai.

Sherifi ka shtuar se nuk beson që Lista Serbe do t’ua bëjë votat opozitës për rrëzim të qeverisë. Sipas tij, “edhe pse deklarojnë se janë kundër kësaj qeveria, ata nuk japin votat për rrëzimin e saj”.

Aktorja pornografike ngre padi ndaj Donald Trumpit

Periskopi.com Lajme

Aktorja pornografike Stormi Daniels që pretendon se ka pasur një lidhje me presidentin amerikan Donald Trump ka ngritur sot në gjykatën Federale në New York padi për shpifje ndaj presidentit amerikan.

Daniels padinë e ka ngritur për shkak se Trump në Twitter  e hodhi poshtë skicën të cilën Daniels pretendon se portretizon një njeri që e kërcënoi atë në vitin 2011 për të heshtur.

Ajo pretendon se më herët kishte një marrëdhënie seksuale me Trump, shkruan Asociated Press.

Aksident tragjik në Fushë Kosovë, vdes një person

Periskopi.com Lajme

Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar në një aksident trafiku mes një veture dhe një skuteri.

Aksidenti tragjik ka ndodhur në fshatin Grabovc të Fushë-Kosovës, te vendi i quajtur “Guri i Plakës”.

Lajmin e ka konfirmuar komandanti i Trafikut Rajonal të Prishtinës, Milaim Fejzullahu, raporton kallxo.com.

Ai tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:10.

Sipas komandantit, në aksident janë të përfshira një skuter dhe një automjet.

Policia dhe ekipet mjekësore janë në vendin e ngjarjes, ndërsa edhe prokurori kujdestar është duke shkuar në vendin ku ka ndodhur aksidenti.

 

Familjari i policit i pa kënaqur: Ose na i gllabëroi lumi ose na i mori mali

Periskopi.com Lajme

Për Njazi Behlulin ende është e pabesueshme zhdukja e nipit të tij, Armendit. Behluli, që është daja i Armendit, të hënën kishte dalë në kërkim të trupit të tij buzë lumit Lepenc.

Ai me shumë vëmendje ka vëzhguar ekipet e shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë tërë kohës sa kjo forcë zhvillonte operacionin e kërkimit.

“Jemi pak të pakënaqur me këtë hulumtim. Unë them se ose na i gllabëroi lumi ose na i mori mali – në këto dy vende mund të jenë. Na ka prekur shpirtërisht kjo ngjarje. Na dhimbset Armendi se e kemi familjar, por edhe ai tjetri i dhimbset dikujt. Armendi ka qenë shumë djalë i mirë”, ka thënë Behluli.

FSK-ja të hënën ka kryer kërkimin deri në zonën kufitare me Maqedoninë, rreth 7 km larg nga vendi i aksidentit.

Rreth dy orë zhytësit kanë kërkuar në këtë zonë, por nuk kanë hasur në asnjë gjurmë.

Nën këto dy ura nuk ka qartësi të mirë dhe kërkimet do të vazhdojnë edhe të mërkurën.

Ndërkohë operacioni i kërkimit për dy trupat e policëve të zhdukur është kryer edhe në anën tjetër të kufirit nga ekipet e shpëtimit të Maqedonisë, por pa ndonjë rezultat.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama ka thënë se janë në koordinim të plotë me autoritetet e shtetit maqedon.

Në vendin ku janë zhvilluar kërkimet të hënën ka qëndruar edhe kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, por nuk ka dhënë informacione për zhvillimin e hetimeve.

Shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, kanë thënë në Policinë e Kosovës.

Të shtunën në mbrëmje, pas aksidentit në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit, dy policë janë zhdukur pas rënies me veturë në lumin Lepenc.

Punëtorët u tradhëtuan nga të gjitha Qeveritë

Periskopi.com Lajme

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës të martën më 1 maj ka thirr protestë për të drejtat e punëtorëve.

Në ditën e tyre, punëtorëve u është kërkuar që të protestojnë me motin “Qeveri BOLL MO. Zbato ligjin!”.

Protesta do të mbahet në orën 11:00 në sheshin Zahir Pajaziti.

Kryetari i Këshillit Organizativ në BSPK, Jusuf Azemi, thotë se mungojnë kontratat e punës dhe elemente tjera bazë të punës.

“Çdo qeveri me dashje apo pa dashje i ka tradhtuar punëtorët”, tha Azemi  në T7.

Ai ka folur edhe për pagën minimale në vend, duke treguar se nuk u realizuar kurrë kërkesa për pagë 250 eurove.

Haradinaj nesër i shkon në konak Ramiz Lladrovcit

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj as nesër nuk do të pushojë, edhe pse zyrtarisht është ditë pushimi.

Haradinaj nesër do të qëndrojë në dy komunat që i përkasin rajonit të Drenicës.

Haradinaj së pari do të ndalet në parkun e Biznesit në Drenas ku më pastaj do ta vizitojë këtë komunë.

Pas Drenasit Haradinaj do të shkojë edhe  në Skënderaj.

Tottenham ia shuan shpresat Chelseat

Periskopi.com Sporti

Tottenhami ka shënuar fitore në përballjen e sotme kundër Watfordit. 2 me 0 ishte rezultati përfundimtar i takimit.

Golin e parë e shënoi Alli në minutën e 16 pas asistimit nga Erikseni. Kurse golin e dytë e shënoi Harry Kane në minutën e 48 nga një asistim i Trippierit.

Në vendin e katërt, me një ndeshje më pak të zhvilluar, Tottenhami ka 71 pikë, një më pak se Liverpooli në vendin e tretë. Kurse Watfordi në vendin e 13 ka 38 pikë.

Rama: S’ka rrezik nga Turqia, Erdogani e përcolli në televizion shpalljen e Pavarësisë së Kosovës

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se raportet me Turqinë nuk përbëjnë asnjë lloj kërcënimi. Në një intervistë për “Ora News”, Rama, duke komentuar deklaratat e David Phillips, ekspert i politikës së jashtme në SHBA dhe drejtor i programit për ndërtimin e paqes dhe të drejtat e njeriut, i cili në një intervistë të disa ditëve më parë për Zërin e Amerikës është shprehur se Shqipëria duhet të merr seriozisht kërcënimet ndaj sovranitetit që vijnë nga Rusia dhe Turqia,ka thënë se ka marrëdhënie shumë pozitive me profesorin ndërsa tha se nuk ka çfarë të zgjedh mes këtyre të dyjave.

“Unë do zgjidhja një kafe me profesorin dhe ta diskutoj me të se sa larg është profesori me këtë përshkrim të realitetit që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Nëse do i merrnim me radhë”, ka thënë ai.

“Së pari, unë nuk i kërkoj leje dhe nuk i jap llogari asnjë profesori dhe asnjë tjetri se në cilat dasma shkoj, por unë nuk kërcej nëpër dasma. Nuk kam kërcyer ndonjëherë se për fat të keq nuk e kam atë talent. Së dyti, jam ndjerë i nderuar që presidenti më ka ftuar në dasmën e të bijës. Së treti, marrëdhëniet tona me Turqinë nuk përbëjnë në asnjë rast, jo kërcënim të sovranitetit dhe asnjë lloj kushtëzimi dhe profesori, që është një njohës jo i keq i çështjeve të rajonit, duhet ta mbajë mend që Turqia ka qenë i pari vend që ka njohur Kosovën e pavarur. Dhe deklarimi i pavarësisë në parlamentin e Kosovës është ndjekur nga qeveria turke dhe kryeministri i atëhershëm, presidenti i sotëm i Turqisë live në tryezën e qeverisë, në momentin që kur të deklarohet pavarësia, të ngrihet dora për të njohur Kosovën”, ka thënë Rama.

Nga ana tjetër, thotë Rama, Profesori e di shumë mirë që Shqipëria është një vend ku jetojnë të krishterë dhe myslimanë.

Nëse të krishterët katolikë morën katedralen e tyre në Tiranë dhe nëse të krishterët ortodoksë morën katedralen e tyre në Tiranë, myslimanët e këtij vendi meritonin të kishin tempullin e tyre të barasvlershëm, as më të madh as më të vogël me këta tempuj të tjerë.

“Besoj se është bërë gjëja e duhur. Sa i përket financimit, profesori duhet ta dijë se ky është një financim i dhënë nga Komuniteti Mysliman Turk dhënë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe komunitetit mysliman nuk varet nga qeveria e Shqipërisë. Nuk merr leje nga kryeministri nëse merr apo jo financime, mjafton që financimet mos jenë nga terrorizmit. Me keqardhje them për profesorin se këto janë broçkulla. Sa i përket kërcënimit, më ka ardhur për të vjellë, këtu në Tiranë. Nuk kam thënë do ketë rritje të islamizmit. Më vjen për të vjellë kur dëgjoj këta profesorët këtu të kazanit mediatik që flasin për shantazhim të Evropës”, u shpreh Rama.

Maliqi: LDK-ja është në udhëkryq të rëndësishëm

Periskopi.com Lajme

Analisti politik, Agon Maliqi, ka komentuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, pozitën që ka aktualisht dhe ndikimin në skenën politike kosovare.

“Mendoj se LDK është në udhëkryq të rëndësishëm, bashkë me të edhe Kosova. LDK, të paktën sipas anketave që përfliten, prin si e para dhe besoj që në çfarëdo cikli zgjedhor që mbahet duhet të konsiderohet si favorit”.

Ai ka komentuar sfidat që ai i sheh për këtë parti.

“Sfida që del përpara LDK-së është menaxhimi i këtij tranzicioni nga lidershipi i Isa Mustafës, i cili në një moment shumë delikat pati një sëmundje dhe nuk është në gjendje të udhëheqë partinë në mënyrë shumë dinamike dhe efektive”.

“Kur folëm për dallimet mes brezave është një problem. Ndoshta në LDK nuk ka përjashtime por me sa duket ka edhe një vetë-cenzurë që është edhe ndrydhje e mendimit”.

Maliqi në Zona B të Klan Kosovës ka treguar se si sipas tij, LDK, mund të jetë forca e parë politike në Kosovë.

“Kur flasim për transformimin e LDK-së, tranzicionin e brezave flasim për “dinosaurët” e LDK-së. Nuk po flasim për përjashtime por po flasim për nevojë të tërheqjes së këtyre figurave në rradhën e dytë dhe lejimit që fuqia efektive të kalojë te brezi i mesëm ose i ri”.

“Nëse kjo ndodh, mendoj se LDK është në pozitë ideale për të fituar primatin, ndoshta edhe bindës”.

Ai ka folur edhe për gjuhën e LDK-së që sipas tij është vendimtare për tranzicion brenda kësaj partie.

“LDK-ja vuan prej një toni patronizues. Kur përdoret kjo lloj gjuhe ndaj partive tjera është kritikë edhe vërejtje ndaj votuese të partive. Votuesit ndoshta kanë interesa legjitime të tyre dhe nesër ndoshta mund të votojnë për LDK-në”.

“LDK-ja akoma nuk e ka hequr tendencën që e ka prej origjinës të vetë akademike të intelektualëve, profesorëve që e shohin të qenit në pushtet si të natyrshme – diçka që ju takon nga një superioritet intelektual”.

“Kjo lloj gjuhe dhe komunikimi më efektiv i një vizioni që është më përfshirës që e kupton momentin historik kur Kosova duhet të ketë tranzicion prej pushtetit prej Pavarësisë”.

“Votuesi e ka treguar që po e kërkon këtë gjë, qysh prej zgjedhjeve të qershorit dhe LDK është në moment vendimtar për ta kapitalizuar”.

Maliqi ka treguar ndryshimet që sipas tij, duhet t’i bëjë LDK-ja për ta kapitalizuar momentin.

“Prandaj ndryshim në lidership, ndryshim përmbajtësor, jo ‘heqje kokësh’ por kalim i radhëve dhe një gjuhë pak më përfshirëse, më mirëkuptuese ndaj votuesve”.

“Ne jetojmë në epokën e ‘spinit mediatik’ ku komunikimi është mjet esencial edhe për punë pozitive – duhet me ditë si me e shit veten prandaj konzervatimi i LDK-së që buron prej akademikëve është pak problematik”.

“Shpresoj që LDK-ja të reflektojë sepse e ka ‘penallti’ – është në ‘pole position’ vitin e ardhshëm”.