Flet pronari serb i lokalit që u sulmua me armë pas vizitës së Thaçit

Periskopi.com Lajme

Shtëpia dhe lokali i Goran Drazheviqit në fshatin Banjë të Zubin Potokut u sulmua me armë zjarri një ditë pasi atij i shkoi në konak presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sulmi ndaj Drazheviqit dhe familjes së tij ndodhi mesnatën e së shtunës rreth orës 03:00. Drazheviq, në një bisedë telefonike me Insajderin, thotë se sulmi ka ndodhur kur ai dhe familja e tij po flinin në shtëpinë ku ai ka improvizuar edhe një restorant.

“Kur kam flejtur në shtëpi me gruan dhe fëmijët, më kanë gjuajtur edhe në dhomë”, thotë Drazheviq, teksa flet rrjedhshëm në gjuhën shqipe. “Më është prishur dhoma por edhe lokali, pasi është gjuajtur një rafall në drejtim të shtëpisë dhe lokalit”.

Drazheviq thotë se në dhoma në të cilën po flinte, e sulmuar nga persona ende të panjohur për Policinë e Kosovës, është dëmtuar shumë. Thotë se dëme ka pësuar edhe kulmi i shtëpisë.

“Edhe dhoma, edhe një derë edhe krejt… diku rreth 50 qeremide lartë më janë dëmtuar. Prej asfalltit, prej naltit më kanë gjuajtur me armë, sepse unë e kam shtëpinë më poshtë prej asfalltit”, thotë Drazheviq, teksa shprehet se nuk është lënduar asnjë anëtar i familjes së tij.

Pavarësisht se ai dhe familja e tij u terrorizuan mesnatën e së shtunës, Drazheviq – i cili është një ish-ushtarak i Ushtrisë së Serbisë – thotë se nuk deshi ta lajmëronte Policinë e Kosovës. Ai shprehej me dyshim rreth ndihmës që mund t’i ofronte Policia, raporton Insajderi.

“Unë nuk deshta, me të tregu drejt, me ia lajmëru askujt rastin. Por një shok më tha ‘hajt, hajt’; pastaj sot rreth orës 13:00 e kam thirrur Policinë dhe u kam treguar”, shprehet Drazheviq.

Ai thotë se lokalin nuk e ka regjistruar ende, teksa thotë se atë “e ka sikurse shtëpi”.

“Lokali është i imi, por unë veç për vete e kam lokalin. Unë këtu e kam ende si shtëpi, ende nuk e kam regjistruar ende. E kam sikur shtëpi, me të kallxu drejt”, thotë ai.

Ndërkaq, ai flet mirë për vizitën që ia bëri presidenti Thaçi. Drazheviq thotë se Thaçit i shërbeu kafe dhe raki.

“E kam takuar dhe kam folur me të [me presidentin Thaçi, v.j]. Ai më tha nëse bën me pi kafe, e unë ia qita kafen edhe i kam shërbu edhe me nga një raki. Edhe unë ia bëjsha ‘hajde more Hashim, hajde se unë të kam zemlak’, sepse unë jam i Shipolit, aty afër kur të nisesh për Skenderaj. Kemi qesh e kemi bërë llaf”, rrëfen Drazheviq.

Sulmin ndaj shtëpisë së Drazheviqit e ka konfirmuar sot edhe Policia e Kosovës. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Kosovës, Besim Hoti, e ka bërë të ditur sot lajmin.

Ai ka thënë se rasti është hapur në mëngjes dhe policia ka dalë sot gjatë ditës në vendin e ngjarjes dhe po punon në gjetjen e të dyshuarve.

Reagimi i parë i Geqisë pas referendumit në Maqedoni

Periskopi.com Lajme

“Një pjesë e madhe e shoqërisë e përkrahi marrëveshjen, pjesa tjetër e sheh me skepticizëm, por Greqia e respekton zgjidhjen e qytetarëve të vendit fqinj”, kumtojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë për rezultatet e referendumit, të cilat i komentojnë si kontradiktore.

Në kumtesën e MPJ-së, publikuar diçka më shumë se një orë e gjysmë pas mbarimit të votimit thonë se “Greqia nga afër, por me një distancë të adekuate, i ndjekin ndodhitë”, ndërsa gjithashtu “mbetet e obliguar ndaj marrëveshjes së Prespës, transmeton MIA.

“Rezultati i referendumit në ish Republikën Jugosllave Republika e Maqedonisë, konsultativ, ndërsa nuk është pjesë e kushteve të obliguara nga marrëveshja e Prespës, është kontradiktore. Shumica ishin “për” po jo pa dalje adekuate. Një pjesë e madhe e shoqërisë së shtetit fqinj e përkrahën marrëveshjen. Por, një pjesë e rëndësishme e sheh me skepticizëm. Greqia e respekton vendimin e qytetarëve të ish Republikës Jugosllave të Republikës së Maqedonisë:, kumtojnë nga MPJ-ja greke.

Ata shtojnë se sipas tyre, klima e nacionalizmit dhe dyshimi, lajmet e rreme dhe fantazimi, nuk kanë lejuar të bëhet vlerësimi i përfitimeve të mëdhaja të marrëveshjes dhe ndalojnë kuptimit midis dy popujve.

Reagimi i Hahn pas referendumit në Maqedoni

Periskopi.com Lajme

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, ka komentuar rezultatin e referendumit në Maqedoni.

Ai ka vlerësuar se votat “për” në referendum janë të rëndësishme dhe më këtë jepet përkrahje e marrëveshjes së Prespës për emrin e ri të shtetit.

“Ju uroj atyre që votuan sot në referendumin konsultativ dhe shfrytëzuan liritë e tyre demokratike. Me votën e rëndësishme ‘për’, ka përkrahje të gjerë për marrëveshjen e Prespës dhe të ardhmen euroatlantike të vendit”, shkroi Hahn në rrjetin social Twitter.

Tutje ai shtoi se pret nga të gjithë liderët partiak që të respektojnë këtë vendim e të veprojnë me përgjegjësi në interes të vendit.

Sipas të dhënave të para të publikuara nga KSHZ-ja, në referendumin e sotëm 91% të qytetarëve janë deklaruar “për”, ndërsa “kundër” ishin 6%.

Qytetarët e Maqedonisë u deklaruan për pyetjen “Nëse jeni për anëtarësimin në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga KSHZ-ja, pjesëmarrja në referendum deri në orën 18:30 ishte 34%.

Putini paralajmëron Hamiltonin: Kësaj radhe, kujdes

Periskopi.com Sporti

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin paralajmëroi pilotin e Formula 1, Leëis Hamilton, pas fitores së britanikut në Çmimin e Madh të Rusisë, pasditen e së dielës.

Putini e mori veç Hamiltonin për t’i thënë që kësaj radhe të mos e lagte me shampanjë, ashtu siç bëri 3 vite më parë.

Pasi e dëgjoi, Hamilton i tha duke qeshur: “Këtë radhë nuk do të të spërkas me shampanjë. Herën e kaluar nuk të laga unë”.

Me “Air Albania”, familjet në nevojë nga e gjithë Shqipëria udhëtojnë në Stamboll

Periskopi.com Lajme

Kompania e parë Shqiptare e fluturimeve  ka organizuar një ngjarje të veçantë pasi ka mbledhur shumë familje nga qytete të ndryshme të Shqipërisë që marrin asistencë sociale dhe ka vendosur që ti dërgojë për një shëtitje në qytetin e Stambollit në Turqi.

Në këtë udhëtim bashkë me ta ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bashkëshortja e tij Linda Rama dhe djali i tyre i vogël Zaho.

Në bordin e “Air Albania”, që u drejtua drejt Stambollit, kishte dhe shumë fëmijë, të cilët ishin të emocionuar nga udhëtimi i tyre i parë me këtë avion.

“Jam në klasën e tetë në Librazhd, është eksperiencë e bukur, është hera e parë që udhëtoj”, shprehet një vajzë. Një qytetare nga Tirana tha se ëndrra e tij po i bëhet realitet nga se gjithnjë kishte ëndërruar që  të udhëtonte me aeroplan. “Mirëmëngjesi dhe me këtë udhëtim krejt të pazakonshëm në krahët e “AIR ALBANIA” që me siguri do t’ju pëlqejë edhe juve për kaq sa do shihni, ju uroj një të diele super”, ka shkruar Rama që ka publikuar edhe një video të udhëtimit.

PSD-ja pret që të nisë debati nëpër komisione parlamentare për projektligjin për referendume

Periskopi.com Lajme

Ka disa javë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se Kosova do të bëhet me ligj për referendum dhe se janë gati në përpilimin e pyetjes për qytetarët nëse janë ose jo për t’u bashkuar me Luginën.

Por një draft i ligjit për referendum tashmë është në Kuvend.

Ai madje ka kaluar procedurat në qeveri dhe shpejt pritet që për të të nisë diskutimi në Komisionet Parlamentare, raporton KTV.

Faton Topalli, deputeti i PSD-së që edhe e inicioi këtë projektligj me mbështetjen e 11 kolegëve të tij, beson në përkrahjen e partive politike në Kuvend dhe votën pro këtij projektligji me interes për shtetin.

Ai thotë se do të ishte keqpërdorim nëse nga presidenca do të bëheshin ligje me procedurë të përshpejtuar vetëm për një çështje të caktuar.

Por, Artan Murati nga KDI-ja thotë se Kuvendit nuk mund t’i prezantohen dy projektligje për një çështje të njëjtë.

Sipas tij, nëse ka iniciativë edhe nga presidenca, atëherë duhet të krijohet një komision i përbashkët e të harmonizohet me projektligjin e PSD-së.

Ky projektligj pati përplasur Vetëvendosjen me PSD-në.

Këta të fundit e patën proceduar projektligjin një ditë para se një gjë të tillë ta bënte Vetëvendosje.

Partia e Kurtit e akuzoi PSD-në se e kishin vjedhur projektligjin e tyre.

Vetë Topalli, si iniciues, tha se në projektligjin e tyre nuk ka asnjë rresht të shkruar nga Vetëvendosje.

Në koren e bukës ka përbërës që plakin qelizat

Periskopi.com Shëndeti

Të konsumojmë bukë? Po, por me masë, pasi nga reagimi kimik i saj, që e bën sidomos korja, ka komponente që nuk janë shumë të këndshme për trupin dhe që përshpejtojnë plakjen e qelizave, sipas një zbulimi të botuar në ”Journal of Cereal Science”, sipas gazetës ”Il Messaggero”.

”Maillard” e ka marrë emrin nga kimisti francez që studjoi reagimet e sheqernave dhe proteinave gjatë gatimit me temperatura mbi 160-170 ºC.

”Kemi kryer testin mbi ekstraktet e bukës duke përfshirë edhe thërrimet dhe koret dhe komponimet që rrjedhin nga reagimi i ‘Maillard’ gjenerojnë akrilamid. Ne kemi vërejtur se si qelizat nuk ‘i vlerësojnë’ produktet që rezultojnë nga pjekja e bukës”, theksoi studjuesi Fabio Nobili.

Pra, buka është një ushqim për t’u shmangur?

”Jo, gjëja e rëndësishme është ta konsumosh atë me masë dhe të ndjekësh parimin e cilësisë së lartë të produkteve që janë përdorur për ta bërë atë. Kjo, duke filluar me thartimin, pastaj duke u nisur nga origjina e miellit dhe kultivari i përdorur i grurit. Të gjitha prodhimet që preferojnë cilësinë e lëndëve të para në vend të sasisë preferohen. Njohja e rrugës së zinxhirit të prodhimit gjithashtu garanton shëndetin e produktit”, theksoi Nobili

Qyteti që po kërkon të humbë 100,000 kilogramë

Periskopi.com Fun

Në Naron mund të jenë me mijëra ata që i janë rikthyer sportit duke anashkaluar nga menuja ditore proshutat, llojet e pafundme të salsiçeve dhe kallamarëve të skuqur, pasi qyteti spanjoll ka premtuar të humbë 100,000 kilogram në dy vite.

‘’Në shekullin XXI, njerëzit harrojnë që ata janë krijuar për të ecur’’, kujton çdo ditë, Carlos Pineiro, mjek i përgjithshëm, 63 vjeç.

Ai është një nga iniciatorët kryesorë të një programi të shëndetit publik shpalosur në janar në qytetin e vogël të Galicias (veriperëndim) dhe është më tepër i përfshirë në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, pasi kishte pësuar vetë arrest kardiak në moshën 45 vjeçare.

‘’Në një Spanjë ku thuhet se mund të hahet gjithçka nga derri, nga maja e bishtit deri tek hunda, ushqimet e para që kam eleminuar nga dieta ime e përditshme janë të brendshmet e kafshëve, kraharori i derrit dhe mishi i përpunuar’’, shprehet me keqardhje, Conrado Vilela Villamar, 65 vjeç, ish-drejtues i mjeteve të tonazheve të rënda dhe një nga pjesëmarrësit e vrapit të përditshëm në Naron.

I shtrirë në brigjet e Atlantikut, ku qytet me 40 000 banorë numëron 9 000 persona mbipeshë dhe 3 000 të tjerë që vuajnë nga obeziteti, sipas doktor Pineiro.

”Leica” rilind aparatin e famshëm sovjetik ”Zenit”

Periskopi.com Fun

Prodhuesi i famshëm gjerman i aparateve fotografike ”Leica” do të rinovojë aparatin e famshëm sovjetik ”Zenit”, më shumë se 30 vite pas përfundimit të prodhimit të tij në seri, me një model të ri që pritet të zbulohet, i frymëzuar nga ky dizajn i famshëm, por i përshtatur me epokën dixhitale.

Ky aparat i ri i quajtur ”Zenit M” do të pajiset me një lente të prodhuar në Rusi nga uzina historike e Krasnogorskit, KMZ, pranë Moskës, por do të bashkohet në Gjermani me teknologjitë ”Leica”, njoftoi konglomerati shtetëror rus ”Rostec” i cili kontrollon prodhuesin rus.

Dizajni i ”Zenit M” do të frymëzohet nga modelet historike të uzinës, ”Zenit E” dhe ”Zorki”,  që për ironi të historisë u kthyen në muzën kryesore të ”Leica”.

Rezultatet nga 70 për qind të votave të numëruara në referendum (Foto)

Periskopi.com Lajme

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në web-faqen e tyre kanë publikuar rezultatet e para të referendumit të sotëm.

Nga 70.31% për qind të vendvotimeve të procesuara, dalja ka qenë 35.58 për qind ose e përkthyer në numra 423.480 qytetarë.

Nga këto numra 385.985 (91.15%) kanë votuar “për”, ndërsa 25.058 (5.92%) kanë votuar “kundër”.

Ziadin Sela: Ky është shkaktari për dështimin e referendumit

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, në konferencë për shtyp pas përfundimit të referendumit tha se shkaktarë për referendumin për marrëveshjen me Greqinë është qeveria.

Ai u shpreh i kënaqur që numri i shqiptarëve që kanë votuar në referendum është i njëjtë me numrin e shqiptarëve në ciklet zgjedhore më të hershme.

“Ne si Aleancë për Shqiptarët që shqiptarët i janë përgjigjur pozitivisht anëtarësimit për NATO dhe BE. Është përafërsisht numër i barabart i shqiptarëve që votojnë në ciklet tjera zgjedhore. Bazuar në faktin që nuk u arrit censusi, nuk jemi të habitur, pasi kemi qenë të vetmit që kemi vlerësuar se referendumi është i panevojshëm. Sot është përgjigja më e mirë që Aleanca atëherë ka pasur të drejtë. Shpresojmë që situata politike do të jetë më e relaksuar”.

“Subjektet politike duhet ta arrijnë kompromisin në Kuvend, pasi rruga e Maqedonisë është drejt NATO-s dhe BE-së. Janë disa shkaqe për rezultatin e sotëm dhe gjithë këto shkaqe e kanë emëruesin e përbashkët – qeveria. Lista Zgjedhore është mes tjerash shkaktare për dështimin e referendumin. Gjithashtu edhe migrimi i popullsisë. Shkaktarë për dështim është edhe përkrahja e LSDM-së për BDI-në”, tha mes tjerash Sela.

Ndërsa në pyetjen e gazetarëve për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ai tha se tani nuk është koha për zgjedhje.

Nesër nis gjykimi i të akuzuarve të rastit “Pronto”

Periskopi.com Lajme

Adem Grabovci dhe të akuzuarit e tjerë të aferës së përgjimeve ‘Pronto’ nesër pritet të dalin para gjyqit për t’u përgjigjur rreth akuzave që u vihen në barrë.

Në këtë çështje penale nesër pritet që të mbahet shqyrtimi fillestar.

Në prill të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Moti për javën e ardhshme

Periskopi.com Lajme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar të dhënat për motin për javën e ardhshme.

Vranësirat do të jenë më prezente pasditeve ,por nuk parashikohet të ketë reshje të asnjë forme.

Temperaturat minimale parashihet të lëvizin ndërmjet 5-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 19-23 gradë Celsius.

Shtypja atmosferike do të ketë luhatje, por duke i ruajtur vlerat konstante.

Indeksi UV në vlerat e normales.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet e ndryshme, por dominues mbetet drejtimi i verilindjes.

Lushtaku-Thaçit: Harrove të më ftosh te Ujmani, në ’99-ën kur luftonim me serbë nuk harroje

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Degës së PDK’së në Skenderaj, Sami Lushtaku ka dhënë një mesazh të fortë për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ditën e djeshme bëri një shëtitje në Ujman.

Nëpërmjet Facebookut, Lushtaku i ka kujtuar Thaçit kohën kur tashmë i pari i vendit kishte nevojë për ndihmën e tij.

“Më bëre të ndjehem xheloz i nderuar President, bashkëluftëtari im, miku im. Dje ishe për vizitë në Ujman dhe harrove të më ftosh që ta vizitojmë së bashku atë bukuri natyrore të Kosovës, kurse në vitet 90-ta, më gjeje aty ku isha e ku nuk isha, për të kryer aksione kundër forcave serbe”, shkruan Lushtaku në Facebook.

“Sidoqoftë, të qoftë hallall që neve vegjëlinë, na bëre të ndihemi krenarë! SL”, përfundon ai.

Thaçi vizitoi dje veriun e vendit derisa shëtiti me barkë në Ujman.

Me kitarë si Leonard Cohen, 68-vjeçari fiton jetesën duke kënduar në rrugë

Periskopi.com Lajme

Ushtria i dha të drejtën e mësimit të një vegle muzikore, por vetëm para dy vitesh 68 vjeçari, Spartak Dishnica pati kurajon të shfaqej para publikut në pedonale, me shtysën e shokëve.

“Një ditë thashë do dal nesër, edhe dola. Do vini dhe ju të më dëgjoni atje, nëse unë e bëj këtë punë do më thoni pa hile, e bën dhe vazhdo, nëse jo më thoni se s’kam ndërmend të fëlliqem para njerëzve. Ata më thanë je shumë mirë, vazhdo”, u shpreh 63-vjeçari.

Spartaku tashmë ka krijuar repertorin e tij më këngë italiane dhe angleze, pavarësisht se nuk flet asnjë gjuhë të huaj.

“Punë, duhet shumë punë. Unë kur nxjerr fjalët e një kënge, rri 4-5 orë me kufje në vesh, dhe e studioj. Atë që këndon këngëtari, unë e shqipëroj dhe pastaj e lexoj, e lexoj, dëgjoj këngëtarin, e lexoj, që t’i afrohem sa më shumë këngëtarit”, tregon Spartaku, i cili thotë se kuptimin e teksteve të këngëve të tij nuk e di, ndonëse ka kuriozitet t’i përkthejë.

“Me thënë të drejtën, përkthimin e teksteve nuk e di, por kurioz jam. Them t’i marr dhe t’i përkthej, ndoshta më bëjnë punë të mësoj pak dhe gjuhë. Këtu kam plot këngë, është një e Leonard Cohen që e kam shumë përzemër.

Por është zëri i 68-vjeçarit dhe puna e palodhur e tij, që nuk bën dallim në këndimin e tekstit nga një që di anglisht.

Ja çfarë i tha Cristiano modeles pasi e përdhunoi

Periskopi.com Sporti

Cristiano Ronaldo përdhunoi një modele amerikane dhe më pas i tha “më fal, zakonisht jam xhentëllmen”, sipas dokumenteve të paraqitura në një gjyq të Las Vegasit, por që vetë futbollisti i Juventusit i ka quajtur “fake news”.

34-vjeçarja Kathryn Mayorga thotë se Ronaldo e ka përdhunuar në një tualet të hotelit “Palms Hotel and Casino” në Las Vegas, në orët e para të 13 qershorit 2009.

Cristiano dhe Mayorga janë fotografuar së bashku në një klub. Më pas, mendohet se portugezi e ka ftuar në dhomën e tij të hotelit modelen, së bashku me një shoqen e saj. Kathryn refuzoi të futej në vaskë sepse nuk donte të prishte fustanin dhe Ronaldo i dha pantallona të shkurtra dhe bluzë, duke i treguar derën e tualetit që të ndërrohej aty. Dokumentet e paraqitura në gjyq thonë se në momentin kur po ndërrohej, Cristiano ka hyrë në tualet i zhveshur dhe ka kërkuar që të kryejnë marrëdhënie seksuale. Ajo nuk ka pranuar, por Cristiano e ka përdhunuar në tualet. Duke dalë nga aty, futbollisti mendohet të ketë kërkuar falje, duke shtuar se zakonisht është xhentëllmen.

Vetëm disa orë pasi avokati i Mayorga dorëzoi dokumentet në gjyq, Cristiano foli nëpërmjet një videoje në Instagram, ku tha: “Jo, jo, jo. Ajo që ka dalë sot është e rreme. Fake news”.

“Duan të promovojnë veten duke përdorur emrin tim. Është normale. Duan të bëhen të famshëm duke më thënë emrin, po kjo është pjesë e punës. Unë jam një njeri i lumtur dhe gjithçka është në rregull”, tha Cristiano.

Rezultati nga numërimi i gjysmës së votave nga referendumi

Periskopi.com Lajme

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në web-faqen e tyre kanë publikuar rezultatet e para të referendumit të sotëm.

Nga 49.33 për qind të vendvotimeve të procesuara, dalja ka qenë 34.73 për qind ose e përkthyer në numra 268.658 qytetarë.

Nga këto numra 243.977 (90.81%) kanë votuar “për”, ndërsa 16.601 (6.13%) kanë votuar “kundër”.

Data kur fillon aplikimi për Lotarinë Amerikane “Green Card 2019”

Periskopi.com Lajme

Ambasada Amerikane ka njoftuar datën e fillimit të aplikimeve për të gjithë shqiptarët e interesuar për të jetuar dhe punuar në SHBA.

Aplikimet do të fillojnë më datë 3 tetor 2018 deri më 6 nëntor 2018.

Ambasada Amerikane fton sërish shqiptarët të aplikojnë për të fituar mundësinë të punojnë e jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar në faqen e Ambasadës Amerikane sillen udhëzimet për plotësimin e formularit për lotarinë DV/2020.

Njoftimi i Ambasadës:

Bëni kujdes nga mashtrimet. Disa faqe interneti apo emaile përpiqen t’ju mashtrojnë duke u prezantuar si faqe zyrtare të qeverisë së Shteteve të Bashkuara.Lexoni Kujdesin ndaj Mashtrimit këtu (në Anglisht).

Plotësojeni vetë aplikimin tuaj.

Aplikimi online për regjistrimin për lotarinë është i thjeshtë dhe është falas. Periudha e Regjistrimit Elektronik për Lotarinë DV-2020

Regjistrimi elektronik për lotarinë DV-2020 do të rifillojë të mërkurën, më 3 tetor 2018 në mesditë 12:00, Ora Ditore Lindore (EDT) (GMT-4) dhe do të mbyllet të martën, më 6 nëntor 2018, në mesditë 12:00 Ora Standarde Lindore (EST)(GMT-5).

DV-2020 Udhëzimet në Anglisht (PDF – 390 KB)

DV-2020 Udhëzimet në Shqip (PDF – 552 KB)

Shikoni videon tonë për një vështrim të përgjithshëm të programit të Vizave të Shumëllojshmërisë, si dhe udhëzimet hap pas hapi për t’ju ndihmuar se si të plotësoni një aplikim për t’u regjistruar për Lotarinë. (Shënim: ndryshime të vogla janë bërë në formularin e regjistrimit DV-2020, por udhëzimet e dhëna në video janë ende të vlefshme.)

Aplikantët mund të kryejnë aplikimin elektronik në faqen zyrtare të E-DV, gjatë periudhës së regjistrimit. Udhëzimet e DV janë gjithashtu në dispozicion në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.

Duke filluar nga 7 maji 2019, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2020 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të E-DV-së.

Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre. Të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve.

Thaçi: Jemi shumë afër tranzicionit të FSK-së në FAK

Periskopi.com Lajme

Jemi shumë afër kohës kur do të ndodhë tranzicioni i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, tha presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media.

Kjo do të bëhet me procedurë të rregull në Kuvendin e Kosovës përmes miratimit të ligjeve përkatëse: Ligjin për FSK-në, Ligjin për Statusin e Pjesëtarëve të FSK-së dhe Ligjit për Ministrinë e Mbrojtjes. shtoi presidenti.

“Rrugës së gjatë të bërjes së Kosovës me Ushtrinë e saj definitivisht po i vjen fundi në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha po ashtu presidenti.

“Ky proces do të jetë transparent dhe unifikues për politikën e Kosovës por edhe të gjithë qytetarët e saj”, shtoi Thaçi.

Ky tranzicion dhe krijimi i FAK do të bëhet në koordinim dhe në mbështetje të plotë të ShBA-së dhe NATO-s, gjë që u konfirmua në takimet që kishim si delegacion i Kosovës në Nju Jork dhe Uashington, theksoi presidenti Thaçi.

Bejta kritikon komunën për bllokimin e rrugëve “Garibaldi” e “Xhorxh Bush”

Periskopi.com Lajme

Asamblistja e LDK-së Fiknete Bejta, e ka kundërshtuar eksperimentin e Komunës së Prishtinës, e cila ka bllokuar rrugët “Garibaldi” dhe “Xhorxh Bush”, ku mendohet se do të ndërtohet një park në të ardhmen.

Bejta, në Facebook, ka shkruar se ky vendim do ta bllokoj edhe më shumë komunikacionin në Prishtinë. Sipas saj, rruga në atë pjesë duhet të bëhet nëntokësorë, që situata në komunikacion të mos komplikohet edhe më tej, shkruan Periskopi.

Reagimi i plotë i saj:

Rrugët në qendër të Prishtinës janë të bllokuara çdo ditë sidomos në orën 16 dhe sidomos kur koha është me shi.

Tash do të bllokohet edhe më shumë qarkullimi i automjeteve me bllokimin e rrugës Garibaldi dhe Xhorxh Bush për komunikacion, kjo është nonsens.

Kjo nuk është ide e mirë, nuk e lehtëson jetën e qytetarëve dhe as nuk është kreative.

Tek e fundit nëse ju ka mbushur mendja ta bëjnë shesh atë pjesë pse nuk e kanë projektuar si kompleks me Projektin e parkingut te Filologjiku dhe rruga të bëhet nëntokosore edhe pse dihet që kjo ka kosto të madhe.