Për viza, Kosova as që figuron në agjendën e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE-së

Periskopi.com Lajme

Vendimi i Qeverisë për taksën 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina nuk mund të jetë pengesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse Bashkimi Evropian ka bërë thirrje vazhdimisht për heqjen e kësaj takse.

Ministrja e Integrimit Evropiane, Dhurata Hoxha, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kjo taksë nuk ka mundësi të ndikojë në mosliberalizimin e vizave.

Ajo tha se BE-ja që nga fillimi është shfaqur e padrejtë dhe kritikuese vetëm ndaj shtetit të Kosovës, por jo edhe të Serbisë, edhe pse është ngritur kjo çështje prapë nuk ka pasur asnjë reagim nga Brukseli siç reaguan ndaj Kosovës në vënien e taksës.

“Jo, janë procese tërësisht të ndara, edhe çështja e taksës, edhe e liberalizimit të vizave. Nga fillimi i procesit kanë qenë disa vende që kanë qenë hezituese, janë nga shtete të mëdha që janë hezituese që ende vazhdojnë të jenë, qoftë me taksë apo pa të, nuk është proces i ndërlidhur aspak, por ne çfarë po vërejmë është se BE-ja po është i zëshëm kur Kosova merr vendimin për taksa, ndërsa nuk ka qenë i zëshëm apo nuk e ka kritikuar Republikën e Serbisë kur vite me radhë qysh nga anëtarësimi i Kosovës në CEFTA ne kemi pas trajtim të pabarabartë, të padrejtë. Kemi kërkuar, kemi dërguar letra, e kemi ngritë këtë çështje në BE dhe asnjëherë nuk kemi parë ndonjë reagim zyrtar nga Brukseli për drejt Serbisë, ndërsa ne kur vendosim të mbrojmë ekonominë dhe prodhuesin tonë atëherë e shohim reagimin, duhet të ketë një sqarim të pozicioneve”, tha Hoxha për Ekonomia Online.

“Kemi reaguar tërë kohën, sepse ka pas barriera të ndryshme që u janë bërë mallrave të Kosovës, prodhimet e Kosovës janë trajtuar me standarde të vështira”, tha ajo.

Hoxha tha se disa shtete të BE-së po hezitojnë që kosovarëve t’u hiqen vizat, për shkak të politikave të tyre të brendshme dhe se vazhdimisht duhet lobuar edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Është e njohur edhe për publikun që janë disa vende që po hezitojnë, por hezitimet e tyre nuk janë ndaj Kosovës, por për shkak të rrethanave të tyre të brendshme politike, lobimi ka ecur mirë në këto vende nga të cilat kemi marrë përkrahje, mirëpo ende duhet të vazhdohet ky lobim, ende duhet të komunikojmë me vende anëtare dhe t’u shpjegojmë atyre që Kosova nuk do ta keqpërdorë procesin e liberalizimit dhe ajo që është me rëndësi është që të bëhet e ditur që Kosova ka përfunduar detyrat e veta dhe kjo është konfirmuar shumë herë tanimë nga KE, Komiteti LIBE, PE”, tha Hoxha.

Hoxha tha se nuk ka ende informacione zyrtare, mirëpo në agjendën e publikuar për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së për datën 6 dhjetor, Kosova nuk figuron fare që është në rend dite për çështjen e liberalizimit të vizave, raporton EO.

“Nuk kemi marrë informata zyrtare që nuk do jetë apo do jetë, mirëpo çfarë kemi parë është se është publikuar agjenda e takimit të këshillit më 6 dhjetor, është e publikuar dhe aty nuk figuron liberalizimi apo pika e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës. Është me të vërtetë për keqardhje, sepse ne kemi përfunduar punët tona dhe tani i mbetet BE-së ta kryejë pjesën e vet të marrëveshjes. Marrëveshja ka qenë tërë kohën, ky proces është teknik po sa të plotësohen kriteret, ne më pastaj do liberalizojmë vizat për qytetarët e Kosovës dhe tani po e vërejmë një mungesë të vullnetit politik nga shtetet anëtare që të lëvizin përpara, ka mbetur vetëm hapi i fundit, tjerat publikimi në gazetën zyrtare, plotësim-ndryshimi i rregullores të gjitha këto janë procese teknike që nëse ka vullnet politik në shtete anëtare shumë shpejt mund të përfundojnë”, tha ajo.

Hoxha u shpreh e dëshpëruar me mungesën e vullnetit politik nga shtetet e BE-së ndaj lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ajo tha se ka vende tjera që me më pak kritere kanë lëvizje të lirë, ndërsa Kosova ende është në pritje.

“Tani jemi në ditët e fundit, pra është me të vërtetë e pakuptimtë të shohim këtë mungesë vullneti nga BE-ja që të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. Është plotësisht e pakuptimtë kur shohim se ka shtete të cilat me më pak kritere gëzojnë lëvizjen e lirë, ndërsa Kosova me aq shumë kritere dhe punë të madhe që kemi bërë viteve të fundit ende të mos ketë apo të mos jetë vullneti politik dhe ende trajtohet me standarde të dyfishta”.

“Ne kemi përfunduar detyrat tona, ne duhet të jemi edhe vetëkritikë, por jo në procesin e integrimit evropian. Në përgjithësi duhet të jemi vetëkritikë, në reforma, duhet të kemi shpejtësi më të madhe të reformave në shumë sektorë të ndryshëm, përfshirë sundimin e ligjit në këtë aspekt, por jo sa i përket liberalizimit të vizave, sepse 95 kriteret i kemi plotësuar dhe këtu nuk ka asnjë hapësirë për mëdyshje”.

Hoxha për Ekonomia Online tha se kjo mungesë e vullnetit politik nga vendet e BE-së është vazhdimësi e izolimit të qytetarëve dhe diskriminim ndaj kosovarëve.

“Kjo mungesë e vullnetit politik nga shtetet anëtare të njohin progresin e Kosovës dhe ta mundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës me të vërtetë është e pakuptimtë, e padrejtë dhe qartazi mund ta konsiderojmë edhe si diskriminim të qytetarëve të Kosovës dhe si një vazhdimësi e izolimit të qytetarëve të Kosovës. Ne bëjmë thirrje që vendet e BE-së sa më parë të marrin vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirë sa më shpejt”, tha Hoxha.

Ajo tha se rezoluta e fundit e BE-së e rikonfirmon prapë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e obliguara nga BE-ja dhe se përmes kësaj rezolute u është bërë thirrje vendeve anëtarë të votojnë pro heqjes së vizave të Kosovës.

“Ajo rezolutë patjetër që ka qenë në shumicën e tekstit. Ka pas fjalë përkrahëse në procesin e integrimit evropian për Republikën e Kosovës. Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë rezolutë është bërë thirrje që vendet anëtare të kenë vullnetin politik dhe të votojnë në Këshill të Ministrave për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, ky ka qenë një mesazh shumë i fuqishëm”.

“Kjo rezolutë e ka rëndësinë sepse në atë tekst është thirrja që u bëhet 5 vendeve mosnjohëse ta njohin Kosovën. Ne kemi takime me disa nga këto vende, por në procesin e integrimit evropian disa nga këto vende siç janë Spanja apo Qiproja janë më penguese dhe po e ngadalëson procesin e integrimit të Kosovës. Në fazën që jemi shumë nga këto vende kanë thënë që në momentin që arrin njohja reciproke në mes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës si dy shtete të pavarura, atëherë edhe ato do të lëvizin në qëndrimin e tyre drejt njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ne po vazhdojmë të komunikojmë me këto shtete, por patjetër që është pengesë shtesë në procesin integrues dhe fakti që kemi 5 vende mosnjohëse”.

Sëmundja misterioze prek diplomatët amerikanë, mjekët dhe zyrtarët në alarm

Periskopi.com Lajme

Një sëmundje e re është shfaqur në mesin e diplomatëve amerikanë dhe kanadezë, të cilët kanë qenë të dërguar në Kubë.

Sëmundja e cila prek trurin, është shfaqur së fundmi tek një diplomat  kanadez në Havanë duke e çuar në 13 numrin e zyrtarëve diplomatë me këtë sëmundje.

Sipas një zyrtari të lartë të qeverisë kanadeze ka nisur një rishikim i pranisë diplomatike të Kanadasë në Kubë.

Ai deklaroi: “Rezultatet e testeve mjekësore tregojnë se punonjësi është prekur nga simptoma të pazaknshme shëndetësore. Simptomat janë të njëjta me ato që kanë përjetuar më parë stafi diplomatik në Kubë.”

Autoritetet amerikane dhe kanadeze kishin dyshuar fillimisht për një sulm me një lloj arme akustike, që çoi në tensione ndërmjet Uashingtonit dhe Havanës. Por nga kryeqyteti kanadez, më vonë u tha se kjo është “e pamundur”.

Mjekët dhe zyrtarë amerikanë kanë thënë se bëhet fjalë për një “lloj të ri të dëmtimit të mundshëm të trurit”. Ky përfundim erdhi nga ekspertë të shëndetit në Universitetin e Pensilvanisë, pasi trajtuan 21 diplomatë amerikanë, që kishin simptoma të njëjta të sëmundjes.

Në prill të 2018, familjet e diplomatëve kanadezë të vendosur në Havanë u urdhëruan të kthehen në shtëpi si një masë mbrojtëse. Simptomat e sëmundjes përfshijnë: marramendje, lodhje, dhimbje koke, komplikime në dëgjim, humbje e ekuilibrit dhe paaftësi në përqëndrim.

Shërbimet shëndetësore që nuk ofrohen në spitalet rajonale

Periskopi.com Lajme

Spitalet e përgjithshme në Kosovë nuk ofrojnë shumë shërbime mjekësore, të cilat janë të rëndësishme për pacientët. Kirurgjia abdominale, kirurgjia plastike, neurokirurgjia, stentimet e koronarografia janë vetëm disa nga shërbimet që pacientët nuk mund t’i marrin nëpër spitalet rajonale, andaj edhe referohen për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Kjo ballafaqohet me numër të madh të pacientëve, të cilët nuk mund t’i marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore në rajonet e tyre

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se në këtë spital nuk ofrohen të gjitha shërbimet mjekësore për pacientët. Sipas tij, në mungesë të disa shërbimeve pacientët referohen për në QKUK. “Ne nuk e kemi neurokirurgjinë, kirurgjinë plastike, kirurgjinë torakale e kirurgjinë abdominale. Këto janë raste që janë më të komplikuara”, ka thënë ai.

Sipas tij, as stentimet dhe koronarografia te rastet që kanë probleme me zemër nuk mund të bëhen në këtë spital. “Nga ne transferohen rastet me politrauma, rastet neurokirurgjike rastet me infarkt akut, rastet e rralla të cilat janë të komplikuara, si dhe ato raste për të cilat nuk mund të bëjmë zgjidhje në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan”, ka thënë ai.

Përveç Spitalit të Gjilanit, edhe spitalet tjera të përgjithshme kanë mungesë të disa shërbimeve mjekësore. Në mungesë të tyre shumë raste referohen për në Klinikën Emergjente në QKUK, si dhe në klinikat tjera./zeri

 

Obama pas vdekjes së Bushit të vjetër: Zemrat na u lënduan, por janë të mbushura me mirënjohje

Periskopi.com Lajme

Familja Obama ka lëshuar një deklaratë pas vdekjes së ish-Presidentit amerikan George H.W. Bush.

Familja thotë se SHBA-të kanë humbur një patriot.

Deklarata shton: “Derisa zemrat tona janë të lënduara sot, ato janë gjithashtu të mbushura me mirënjohje”.

“Jeta e George H.W. Bush është një testament për nocionin se shërbimi publik është një thirrje fisnike dhe e gëzueshme”.

“Ai bëri mrekulli gjatë udhëtimit të tij”.

 

Rikthehet ajri i ndotur në Prishtinë – ​Këshilla si të mbroheni

Periskopi.com Shëndeti

Përsëri vëmendja është kthyer te niveli i lartë i ndotjes së ajrit në qytetet e Kosovës, kryesisht në Prishtinë.

Është me rëndësi që gjatë kësaj kohe të dimë të mbrohemi nga ndotja e ajrit, dhe kështu sado pak të mos vuajmë pasojat e mëdha që vinë nga kjo cilësi e ajrit, përcjell KosovaPress.

Më poshtë u sjellim disa këshilla që duhet t’i zbatoni:

Shmangni ecjen në këmbë ose me biçikletë në rrugët e mbingarkuar, ku niveli i ndotjes është i lartë

Shmangeni daljen jashtë në mesditë. Niveli i ndotjes në ajër është më i lartë në mesditë. Prandaj, planifikoni aktivitetet tuaja për në mëngjes ose për në mbrëmje, gjithashtu dilni jashtë vetëm për rastet obligative

Largohuni nga qyteti gjatë fundjavës, shkoni në mal ose fshat që mushkëritë tuaja të marrin ajër të pastër

Mos harroni se frymë duhet të merrni nëpërmjet hundës dhe jo përmes gojës, sepse kjo është shumë e rëndësishme.

Kush ishte presidenti George H.W. Bush – Jeta dhe karriera e tij

Periskopi.com Lajme

George Herbert Walker u lind më 12 qershor 1924 dhe ndërroi jetë dje, më 30 nëntor 2018, në moshën 94-vjeçare. Ai ishte presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shërbeu në këtë pozitë nga viti 1989 deri në vitin 1993. Para se të bëhej president, ai shërbeu edhe si zëvendëspresident i SHBA-së nga viti 1981 deri në vitin 1989. Bushi ishte anëtar i Partisë Republikane, ndërsa ka pasur edhe disa pozita tjera të larta shtetërore. Ai ka qenë kongresmen, ambasador dhe drejtor i CIA-s.

Gjatë karrierës së tij në shërbim publik, ai ka qenë i njohur si George Bush, por nga viti 2001 emrit të tij është dashur t’i shtohen incialet e atësisë, për ta dalluar nga George W. Bush, i cili është djali i tij i madh dhe i cili u bë presidenti i 43-të i SHBA-së. Ai shërbeu si president i SHBA-së për vetëm një mandat, pasi e humbi garën për mandatin e dytë kundër ish-presidentit Bill Clinton.

Bush u bë shef i Partisë Republikane për rajonin e Harrisit të Teksasit në vitin 1963. Në vitin 1966 arriti të bëhet pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe shërbeu në dy mandate. Më pas, ai shërbeu edhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara në organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1971, kryetar i Komitetit Kombëtar të Republikanëve dhe drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në vitin 1976.

Në vitin 1980, ai kishte dështuar të bëhej kandidat i partisë së vet për president, pasi e humbi garën kundër ish-presidentit Ronald Reagan. Sidoqoftë, gjatë kësaj periudhe ai u zgjodh zëvendëspresident i presidentit Reagan dhe shërbeu në këtë pozitë për dy mandate, aq sa presidenti Reagan. Më në fund, ai u bë president i Shteteve të Bashkuara në vitin 1989, pasi i kishte fituar zgjedhjet e vitit 1988, ku për kundërkandidat e kishte demokratin Michael Dukakis.

Gjatë presidencës së tij, ai u përball suksesshëm më shumë çështje të jashtme, në një kohë të vështirë për vendin e tij. Ai u mor me shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik dhe ndërhyri me trupa ushtarake për ta larguar nga pushteti diktatorin e Panamasë, Manuel Noriega. Sidoqoftë, suksesi më i madh i tij në rrafshin ndërkombëtar vlerësohet sulmi ndaj ushtrisë së ish-presidentit irakian, Saddam Hussein, i cili në vitin 1990 e kishte pushtuar Kuvajtin, një vend i pasur me rezerva të naftës.

Kur djali i tij i madh, George W. Bush, u zgjodh president, ai bënte shpesh paraqitje publike, në të shumtën e rasteve për ta mbështetur djalin e tij. Në vitin 2005, ai doli në përkrahje edhe të ish-presidentit Clinton për t’iu ndihmuar njerëzve që ishin goditur nga uragani Katrina. Fondi “Bush-Clinton Katrina Fund” kishte arritur t’i mblidhte më shumë se 100 milionë dollarë brenda pak muajve. Në vitin 2011, Bush u nderua me Medalje Presidenciale të Lirisë nga ish-presidenti Barack Obama.

Në nëntor të vitit 2012, kur Bush ishte tashmë 88-vjeçar, u detyrua të shtrihej në spital. Dyshohej se ai vuante nga bronkiti, që është  një sëmundje e ndezjes së mushkërive. Më vonë, ai u diagnostifikua edhe me sëmundjen e Parkinsonit në pjesën e poshtme të trupit, sëmundje e cila e la në karrocë. Në vitin 2015, ishte rrëzuar dhe e kishte thyer një unazë të qafës. Më 2017, u shtrua sërish në spital për shkak të problemeve të frymëmarrjes që lidheshin me pneumoninë. Ai ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare, më 30 nëntor 2018, në orën 22 e 10 minuta, shkruan “Biography”.

​Dhjetori fillon me vranësira, këto do të jenë temperaturat

Periskopi.com Lajme

Fundjava me vranësira dhe diell, pa reshje. Temperaturat në rritje.

Në ditët e fundjavës, rajoni ynë mbetet nën ndikimin e fushave anticiklonike që janë shtrirë në lindje të kontinentit, ndërkohë që masat e ftohta të ajrit do të tërhiqen në verilindje, e do të zëvendësohen me masa më të ngrohta ajrore që po vijnë nga Mesdheu.

Në përgjithësi, pritet të mbajë mot stabil, me vranësira dhe diell, por pa të reshura, derisa temperaturat do të shënojnë rritje mbi vlera mesatare.

Ditëve në vijim, sipas parashikimeve, nuk parashihet të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror, e si rrjedhojë pritet përkeqësim i cilësisë së ajrit, derisa vlerat e indeksit të kualitetit të ajrit do të kalojnë edhe në vlera të pashëndetshme.

1.12 – Mot kryesisht me vranësira, jo edhe shumë ftohtë.

2.12 – Gjatë ditës mot kryesisht me diell, në mbrëmje vranësirat do të shtohen.

3.12-4.12 – Mot kryesisht me vranësira dhe intervale me diell. Të martën pasdite dhe në mbrëmje priten riga lokale shiu.

5.12 – Mot kryesisht me diell.

Temperaturat e ajrit, do të shënojnë rritje të theksuar, edhe mbi vlera mesatare. Minimalet do të rriten nga -4C deri në +2C, ndërsa maksimalet do të luhaten nga 5C deri në 9C.

Do të fryjë erë e lehtë nga juglindja dhe jugu 1-3m/s. Shtypja atmosferike, mbetet lartë mbi vlera normale.

A është kjo data kur do të votohet Ushtria?

Periskopi.com Lajme

Kryesia e Kuvendit të hënën e ardhshme do ta caktojë datën e votimit të tri projektligjeve për transformimin e FSK-së. Burimet e “Zërit” bëjnë të ditur se ushtria e Kosovës do të votohet në Kuvend më 14 dhjetor të këtij viti. Ditë më parë u raportua se votimi i ushtrisë do të bëhet në gjysmën e parë të këtij muaji (dhjetor).

Votimi në lexim të dytë në Kuvend të Kosovës i tri projektligjeve që mundësojnë transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës do të bëhet në seancën e 14 dhjetorit të këtij viti, bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”.

Para se të ndodhë votimi Kryesia e Kuvendit të hënën e ardhshme, më 3 dhjetor, do ta caktojë datën e seancës, e cila sipas këtyre burimeve do të jetë të premten e 14 dhjetorit.Gazeta “Zëri” ditë më parë ka raportuar se ushtria e Kosovës do të votohet gjatë gjysmës së parë të këtij muaji, ndonëse fillimisht ishte menduar që votimi të ndodhë më 6 ose më 13 dhjetor, përderisa grupet parlamentare tashmë janë dakorduar që një votim i tillë të ndodhë më 14 dhjetor.

Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së premte në takimin e tij me komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario, e ka njoftuar këtë lidhur me procedurën e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Veseli me këtë rast ia ka bërë të ditur komandantit të ri të KFOR-it hapat përfundimtarë që do t’i ndërmarrë Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. “Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë”, ka thënë ndër të tjera Veseli.

Tallje e recitim në Gjykata – Ta papriturat që ndodhën në seancën për ‘Syrin e Popullit’

Periskopi.com Lajme

Prokuroria e Shtetit të premten i ka ftuar shtatë dëshmitarë për të mbështetur akuzën e tyre kundër dhjetë të akuzuarve në rastin e njohur si “Syri i Popullit”. Por deklaratat e dëshmitarëve ishin kundërthënëse e të paqarta, shkruan sot Koha Ditore.

Një pjesë e dëshmitarëve të Prokurorisë e kanë kthyer gjykatoren në vend të talljes dhe recitimeve. Dëshmitë e këtyre dëshmitarëve kanë zgjatur mbi gjashtë orë. Prokuroria e Shtetit edhe në dy seanca të tjera planifikon të ballafaqojë dëshmitarët me të akuzuarit për këtë rast.

I pari që ka dëshmuar në seancën e së premtes është dëshmitari Sabri Novosella. Ndonëse në fillim të dëshmisë ai ka thënë se nuk i njeh asnjërin nga të akuzuarit, Novosella ka folur në superlativ për të gjithë.

Vdes ish-presidenti i SHBA’së, George H.W. Bush

Periskopi.com Lajme

George H.W. Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara vdiq në moshën 94 vjeçare, sipas një njoftimi të familjes.

Ai ishte babai i Presidentit të 43-të amerikan, George W. Bush.

Në vitin 2012, ai njoftoi se vuante nga parkinsoni vaskular, një sëmundje që i kufizoi lëvizjet e tij fizike. Bashkëshortja e tij prej 73 vjetësh, Barbara Bush, vdiq më 17 prill të këtij viti.

Për dekada të tëra, George Herbert Walker Bush shërbeu si një figurë e njohur në skenën ndërkombëtare , duke filluar nga roli si i dërguari i SHBA në Pekin, pastaj për tetë vite si nënpresident dhe më pas si President nga viti 1989 deri në 1993.

George H.W. Bush ishte veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore që shërbente si president.

Ai luajti një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e vendit dhe botës për të dalë nga Lufta e Ftohtë që zgjati katër dekada gjatë së cilës globi jetoi nën kërcënimin e një konflikti bërthamor.

George H.W. Bush pasoi në Zyrën Ovale një figurë madhore të politikës amerikane siç ishte Presidenti Ronald Reagan, një rival i tij i dikurshëm.

Gjatë një periudhe të re që filloi më 20 janar 1989, Presidenti Bush u gjend në krye të superfuqisë së vetme të mbetur në botë. Muri i Berlinit ra; Bashkimi Sovjetik pushoi së ekzistuari; blloku komunist në Europën Lindore u shkatërrua; Lufta e Ftohtë kishte marrë fund.

Diplomacia e tij e fuqishme por e përmbajtur ndihmoi që këto ngjarje të kalonin në paqe dhe harmoni në skenën botërore.

Në dhjetor 1992, George H. W. Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtur udhëheqësit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake.

Pavarësia e Kosovës u realizua nën presidencën e djalit të tij George W. Bush në shkurt 2008.

Hetimi parlamentar gjen keqpërdorim me milionat për lobim

Periskopi.com Lajme

Një materie që mund t’i hyjë në punë Prokurorisë e ka finalizuar Komisioni hetimor parlamentar, i cili ka vënë llupën mbi paratë që Presidenca dhe Qeveria i kanë shpenzuar në emër të lobimit për shtetin. Komisioni ka gjetur keqpërdorime, kanë thënë burime të gazetës, shkruan sot Koha Ditore.

Me votat e 9 prej 13 deputetëve sa ka Komisioni, është miratuar të premten raporti që përmban gjetjet e hetimit. Të martën e javës së ardhshme dokumenti do t’i përcillet Kryesisë së Kuvendit. Ndërkaq, sipas një anëtari të Komisionit, kjo materie duhet të marrë vëmendjen e organit të akuzës, pavarësisht nëse votohet ose jo në seancë plenare.

Gazeta nuk ka mundur ta sigurojë përmbajtjen e Raportit, por anëtarë të Komisionit kanë konfirmuar disa nga gjetjet.

“Me miratimin e raportit që konstaton se ka pasur keqpërdorime të fondeve publike, Komisioni hetimor parlamentar e ka përmbyllur sot punën e vet”, ka thënë një anëtar i komisionit. “Gjetjet rreth keqpërdorimit të buxhetit shkojnë deri aty sa ofrojnë dëshmi për ndjekje penale”.

Sipas një burimi, në mesin e gjetjeve që dëshmojnë keqpërdorime të parave të ndara për lobim është edhe përdorimi i fondeve për botimin e librit biografik për Thaçin, si dhe mungesa e raporteve të punës për kontrata milionëshe.

Pakicat kërkojnë përfaqësim të denjë në FSK përmes projektligjeve

Periskopi.com Lajme

Pakoja e projektligjeve rreth transformimit të FSK-së është miratuar edhe në rrethin e dytë në Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim.

Mirëpo, disa nga përfaqësuesit e komuniteteve të tjera në Kosovë, përveç atij serb, kanë kërkuar që përmes amendamenteve të bëhen ndryshime dhe plotësime. Kanë kërkuar përfaqësim minimum 10 % të komuniteteve të tjera në FSK. Megjithatë, ky propozim nuk është votuar nga anëtarët e komisionit, shkruan sot Koha Ditore.

Para se të hedhen në votim tri projektligjet, ai për Ministrinë e Mbrojtjes, për FSK-në dhe ai për Shërbimin në FSK, deputeti nga pakicat, Veton Berisha, ka propozuar që të futen disa amendamente, përmes së cilave kërkohet një përfaqësim më i denjë i komuniteteve të tjera në Kosovë.

“Propozoj që në Nenin 5, pas fjalës ‘…të shtetasve të Kosovës’ të shtohen edhe grupet e komuniteteve. Pastaj, të mos mbetet në kompetencë të kryeministrit përfaqësimi i komuniteteve. Normal që kemi besim në institucione dhe kryeministra. Është mirë të shtohet minimumi 10% i komuniteteve në pjesëmarrjen e FSK-së. Duhet të mbetet një prag që e garanton 10% të forcës së sigurisë. Është mirë të planifikohet kjo pjesë. Kjo duhet të rregullohet me ligj”, ka thënë ai.