Të dyja duan karrigen e kryeministrit – pika që po përplas LDK’në e Vetëvendosjen

Periskopi.com Lajme

Një koalicion i mundshëm midis dy partive më të mëdha të opozitës çdo ditë po bëhet më pak i mundshëm.

Edhe pas lutjeve publike të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës për një listë të përbashkët parazgjedhore, këta të fundit duken të painteresuar.

Edhe vet zyrtari për media i Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte deklaruar se partia e tij preferon të shkojë e vetme në zgjedhje.

Të njëjtën prerazi e kanë thënë edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri në një debat televiziv dhe zyrtarë tjerë të kësaj partie.

E siç duket, problem për këtë koalicion të mundshëm është karriga e kryeministrit.

Lidhja Demokratike e Kosovës janë deklaruar publikisht se në çfarëdo koalicioni, udhëheqësi i qeverisë duhet t’i takojë kësaj partie.

Të njëjtën e pretendon edhe Lëvizja Vetëvendosje. Kështu thonë zyrtarët e lartë të kësaj partie.

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi për lajmin ka thënë se për koalicionet vendos Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, por se nuk ka asgjë definitive me LDK-në.

“Së pari për koalicionet e mundshme sa i përket Vetëvendosjes, aty vendos Këshilli i Përgjithshëm, por çështja me LDK-në është e politikave të tyre që i ndërtojnë. Unë konsideroj se nuk ka diçka definitive në LDK dhe kjo do të sqarohet pas datës 3 gusht kur do t’i kenë zgjedhjet e tyre të brendshme”, tha Kurteshi.

Më tutje, Kurteshi është shprehur se është në të drejtën e LDK-së të vendos për koalicione dhe se nuk do të ketë hatër-mbetje.

“Është çështje e tyre, e kanë të drejtë të vendosin për subjektin e tyre, nuk ka aty as hatër-mbetje, sepse koalicionet nuk bëhen për shkak të dashurisë ndërmjet partive, por për shkak të interesave, nëse ata nuk e shohin në interes të subjektit të tyre, nuk janë të obliguar”, tha Kurteshi.

Më tutje, Kurteshi ka theksuar faktin se çështja e kryeministrit është problemi midis këtyre dy partive, pasi sipas tij, pozita e kryeministrit, padiskutueshëm i takon liderit të VV-së, Albin Kurtit.

“Por është edhe çështja e kandidatit për kryeministër, sepse Albin Kurti është njeriu më i votuar në Kosovë dhe natyrisht që me çfarëdo formule atij do t’i takonte pozicioni i kryeministrit, edhe ne si Vetëvendosje jemi të bindur se ndryshe nuk do të ketë gjasë”, tha Kurteshi.

E se kryeministri i takon LDK-së e ka thënë edhe kryetari i Pejës nga kjo parti dhe njëri nga emrat e përmendur për të parin e partisë, Gazmend Muhaxheri.

Vizioni për postin e kryeministrit tek këto dy parti po del të jetë problemi i pazgjidhshëm e që pamundëson një koalicion të mundshëm që do ta sillte opozitën në pushtet.

Tërmkolli: Mustafa ka qëndruar tepër si kryetar, s’ka qenë kurrë LDK

Periskopi.com Lajme

Melihate Tërmkolli, një nga delegatet në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së, ka thënë se më 3 gusht duhet që kryetari aktual i kësaj partie, Isa Mustafa, të lëshojë rrugë dhe udhëheqjen ta marrë dikush tjetër.

Sipas saj, Mustafa ka qëndruar tepër aty. Madje, Tërmkolli ka thënë se Mustafa s’ka qenë kurrë pjesë e konceptit të LDK-së.

“E kam bërë të qartë. Për kaq vite sa është, ka qenë tepër. Tash është koha për ndryshim. Duhet të lëshojë rrugë. Jo veç për arsyet që s’ka qenë asnjëherë LDK, s’është ende LDK. LDK-ja ka krijuar koncept kombëtar të cilit natyrshëm ju kanë bashkëngjit mbi 90 për qind e qytetarëve dhe një elitë që e vazhdoi. Për fat jo të mirë, por kryetari aktual s’ishte pjesë e këtij koncepti e s’ka mundur t’i bashkohet asnjëherë”, ka thënë Tërmkolli.

Ajo ka shtuar se nuk do të votojë pro Mustafës për një mandat të ri, edhe nëse ai do të jetë kandidati i vetëm.

Sipas saj, çdokush që fiton këto zgjedhje, punën e parë që duhet ta bëjë është “heqja e komandantëve nga pushteti”.

E pyetur se kë do të përkrahte në zgjedhjet e 3 gushtit, ajo ka thënë se vetëm njërin s’do ta votonte, e që është Isa Mustafa. Por, ka pasur fjalë të mira për ish-kryetarin Fatmir Sejdiu për të cilin tha se do ta votonte.

Berisha: Partnerët e koalicionit që u ka mbet hatri le të pinë ujë të ftoftë, kemi pas nevojë për pushim

Periskopi.com Lajme

Deputeti nga radhët e AAK’së, Bekë Berisha ka folur rreth dorëheqjes së kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Berisha në emisionin DPT në T7 thotë që dorëheqja e Haradinajt nuk ia ka zbehur shkëlqimin partisë së tij.

“Nuk e marrim që na ka humb shkelqimi, jemi të njëjtit. Kemi pas nevojë me pushu pak se ka qenë ngarkesë e madhe.

Është një xhelozi prej partnerëve te koalicionit.Ata nuk po kanë qef me u marrë me punë dhe të sakrifikohen, kanë dëshirë të përfitojnë për vete. Edhe pse ka xhelozi nga ana e tyre, ne nuk kemi armiqësi me askënd”, tha Berisha.

Tutje ai u pyet se pse nuk i kanë lajmëruar partnerët e koalicionit para se të japë dorëheqje tashmë kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Deputeti thotë se kanë pas komunikim të mirë me PDK’në, Nisman dhe AKR’në, por nëse ju ka mbet hatri, ai ju sugjeron që të pijnë ujë të ftoftë.

‘’Kemi pasë komunikim shumë të mirë. Raportet me koalicionin i ka mbajtë kryeministri. Ne shkojmë në zgjedhje. Neve nuk ka mbet hatri tek asnjëri partner i koalicionit. Nëse ju ka mbet hatri le të pijnë ujë të ftoftë. Ujë të ftoftë me akull bile. Ndoshta edhe flladiten”.”, përfundon Berisha./Periskopi/

Në mes tensionesh, SHBA i vë sanksione kryediplomatit iranian

Periskopi.com Lajme

Administrata Amerikane i ka vënë sanksione ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif.

Ky hap i marrë këtë të mërkurë vjen midis eskalimit të tensioneve në mes të dy vendeve, shkruan Washington Post, transmeton Klan Kosova.

Presidenti Donald Trump ka pas paralajmëruar muajin e kaluar se ka urdhëruar vënien e sanksioneve ndaj Zarif por që ky hap ishte shtyrë për shkak se zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit kishin thënë se kjo do të nënkuptonte mbyllje të portave diplomatike.

Veseli viziton Alpet Shqiptare, ndalon në stanet e malësorëve për të provuar kos e djath

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës është larguar pak nga “fushata”, por edhe kryeqyteti.

Ai sot ka eksploruar bukuritë përrallore të alpeve shqiptare, madje përmes një shkrimi të postuar në faqen e tij zyrtare Facebook, ka treguar këtë përvojë të rrallë, derisa ka ndaluar nëpër stanet e malësorëve për të provuar kos, qumësht e djath, shkruan Indeksonline.

 

 

Veseli pati edhe një porosi për bashkëatdhetarët, që përveç bregdetit, gjatë pushimeve mos të lënë pa shijuar edhe alpet e mrekullueshme shqiptare.

Ky është postimi i plotë i Veselit:

Vendosa të shkoj në festën “Mirësevini në Alper Shqiptare” që zhvillohet nesër në Guci pikërisht duke udhëtuar nëpër alpet përrallore shqiptare. Pak më herët mbërrita në Vuthaj, duke kapërcyer Qafën e Borit, pasi u nisëm prej Çeremit të Tropojës. Përveç hijeshisë së rrallë të këtyre bjeshkëve, ajo që e bënte edhe më të bukur këtë rrugëtim të sotshëm ishte bujaria e malësorëve zemërgjerë të cilët nuk na linin ta vazhdonim rrugën pa u ndalur nëpër stanet e tyre për të provuar pak nga kosi, qumështi e djathi i tyre. Ftoj bashkatdhetarët e diasporës që kthehen në pushimet e verës, që përveç bregdetit shqiptar, të mos lënë pa shijuar alpet e mrekullueshme shqiptare.

​Kurti: Izraeli është më shumë se shtet, Palestina është më pak se shtet

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në ditën e dytë të mbledhjes se Internacionales Socialiste që u mbajt në Tel Aviv, ka folur për Izraelin dhe Palestinën.

Kurti ka thënë se, me progresistë e socialdemokratë nga mbarë bota u diskutua për sfidat e së majtës dhe krizat ndërkombëtare, për marrëdhëniet bilaterale dhe nevojën që të njihet e pranohet Republika e Kosovës.

Ai ka thënë se nga Angola dhe Mali te Franca dhe Belgjika, nga Brazili dhe Paraguaji te Meksika, nga Italia dhe Greqia te Filipinet, nga Palestina te Izraeli, ka pasur  bashkëbisedime të hapura, impresive dhe të vlefshme.

“Izraeli është shumë shtet, është më shumë se shtet. Palestina është pak shtet, është më pak se shtet. Kërkesa për zgjidhjen me dy shtete është shprehje e kërkesës për barazi.

Shumë politikanëve e partive, regjimeve të ndryshme anekënd globit, u bëjmë favor kur i quajmë popullsitë. Sepse shpesh ata janë veçse racistë ose fashistë ose edhe të dyja këto.

Sikurse çlirimi edhe zhvillimi vjen nga brenda. Mund të ndihmohet prej jashtë, por nuk nis dot prej jashtë. Kësisoj edhe mirëmbahet qasja nga poshtë-lart, nëpërmjet së cilës ruhet prioriteti i socio-ekonomisë mbi gjeopolitikën e që është detyrë e të majtës kudo e kurdo”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Me progresistë e socialdemokratë nga mbarë bota diskutuam për sfidat e së majtës dhe krizat ndërkombëtare, për…

Posted by Albin Kurti on Wednesday, 31 July 2019

Vërtetohet shkaku i vdekjes së biznesmenit kosovar, Fehmi Gashi

Periskopi.com Lajme

Para një jave ka ndërruar jetë një nga biznesmenët më të njohur kosovar, pronari i dyqaneve të tekstilit “Chalie”, Fehmi Gashi.

Vdekja e tij e hershme ka prekur jo vetëm familjarët dhe miqtë e tij, por edhe tërë opinionin.

 

 

42 vjeçari njihej si person i shoqërueshëm dhe human, derisa ai u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë.

Indeksonline posedon edhe çertifikatën e vdekjes së Gashit të lëshuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Sipas këtij dokumenti, shkak i vdekjes së të ndjerit ishte “gjakderdhja e dyanshme në tru”.

Aksident i rëndë në Maqedoni, një i vdekur e dhjetë të lënduar

Periskopi.com Lajme

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 20:20 minuta në autostradën Shtip-Veles ku ka pasur pëplasje direkte mes një furgoni dhe autobusi.

Në momentin e fatkeqësisë në autobus kanë qenë 15 udhëtar të cilët kanë udhëtuar në drejtim të Shtipit. Të lënduar raportohet për 10 udhëtar, ndrërsa i vdekur ka mbetur shoferi i furgonit.

 

 

Jo zyrtarisht mësohet se autobusi ka qenë me targa të Kratovës ndërsa ka qenë duke dërguar pushues në Bullgari.

E jashtëzakonshme: 28 vjeçari udhëtoi 9 mijë kilometra në këmbë për të shkuar në Haxh

Periskopi.com Lajme

Një 28 vjeçar nga Indonezia, ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme për të shkuar në Haxh.

Mochammad Khamim Setiawan, ka udhëtuar plot 9 mijë kilometra në këmbë për të arritur në Mekkë, ku edhe do ta kryej obligimin fetar.

I veshur me një bluzë të thjeshtë, ai ka thënë se po niset për Mekkë në këmbë duke besuar plotësisht të Zoti.

Ai u nis nga qyteti i tij i lindjes dhe udhëtimi i mori një vit.

Indonezia, Malajzia, Tajlanda, Myanmar (Burma), India, Pakistani, Oman, Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin vendet që kishte përshkruar në këmbë për të arritur në Arabinë Saudite.

Siç shkruan ilmfeed, përcjell Telegrafi, Khamimi shpesh agjëronte gjatë ditës dhe preferonte të udhëtonte natën.

Gjatë udhëtimi ai ka fjetur në xhami dhe shtëpitë të ndryshe, ndonjëherë duke kampuar edhe në pyje.

Shumë njerëz i siguruan atij ushqim gjatë rrugës.

“Asnjëherë nuk lypa, por gjithnjë takoja njerëz të mirë që më dhanë ushqim dhe furnizime të tjera. Unë dikur u mirëprita në një tempull Budist në Tajlandë. Fshatarët në Myanmar më ushqyen. Kam studiuar dhe kam takuar studiues myslimanë nga vende të ndryshme në një xhami Jamat Tabligh në Indi “tha Khamim.

Khamim tha se udhëtimi 9 mijë kilometra ishte mënyra e tij për të treguar nënshtrimin e plotë të tij ndaj Allahut.

“Mënyra ime për të treguar nënshtrimin tim të plotë ndaj Allahut është ta mësoj Islamin nga studiues të ndryshëm myslimanë dhe të takoj njerëz me bindje të ndryshme për të studiuar kulturën e tyre dhe të respektojnë tolerancën.”

Ndryshe, në vitin 2012, Senad Hadzic  një 47-vjeçar boshnjak, kishte ecur 5.700 km në Haxh në 314 ditë udhëtim.

Korça përsëri goditet nga një tjetër tërmet

Periskopi.com Lajme

Një tjetër tërmet trondit rajonin e Korçës.

Pas dy tërmeteve të pasdites, një tjetër lëkundje u ndje para pak minutash në juglindje të vendit.

Bëhet fjalë për një tërmet me magniturdë 3.5 ballë e shkallës rihter.

Epiqendra ka qenë 6 km në lindje të qytetit të Korçës.

Serbia, një ‘Rusi e vogël’ në Ballkan

Periskopi.com Lajme

Armatosja e Serbisë, kryesisht në dy vjetët e fundit, me kontingjente armatimesh të ndryshme nga Rusia, duhet të jetë shqetësuese, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin, vendet e të cilit ose janë pjesë e aleancës së NATO-s ose kanë prezencë të kësaj aleance, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë në dorëheqje të Kosovës.

Zëvendësministri në dorëheqje i Mbrojtjes, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë që zgjerimi i NATO-s në Ballkan ka ofruar dhe ndikuar në stabilitetin dhe sigurinë rajonale në formë të rëndësishme, duke krijuar besimin se Ballkani do të ketë paqe të përhershme kur të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e NATO-s.

Në anën tjetër, siç thotë ai, Serbia, ndonëse ka shpallur neutralitet ushtarak, ajo e ka thyer dukshëm këtë neutralitet duke u armatosur me pajisje, sipas standardit rus.

“Duket e qartë se Serbia, me orientim, por edhe me armatosje, po kthehet në një ‘Rusi të vogël’ në Ballkan dhe domosdo që kjo paraqet shqetësim për sigurinë në tërë rajonin e Ballkanit dhe jo vetëm për shtetet veç e veç. Si e tillë, ajo, është një sinjal jashtëzakonisht i keq i përcjelljes së logjikës kërcënuese ndaj shteteve fqinje, respektivisht, mungesë e investimit për fqinjësi të mirë”, tha Ramadani.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që Serbia po armatoset me armë që vijnë kryesisht nga Rusia, e të cilat, sipas tij, janë të frikshme për vendet e rajonit. Siç thotë ai, këto armë e bëjnë Serbinë të varur nga kontingjentet e armëve ruse dhe pjesët rezervë. Megjithatë, e gjithë kjo, siç vlerëson Tahiri, është vazhdim i një mitologjie serbe, të cilën po e shfrytëzon udhëheqja e këtij shteti, si një lloj popullzimi dhe tradite që serbët janë popull ushtarak, duke e nxitur në një mënyrë armiqësinë me popujt tjerë.

“Armatimi, numri i madh i ushtarëve dhe i rezervistëve në Serbi, e mbanë në një formë ushtarake organizimin e shoqërisë, që është tradicional dhe gjithashtu, e mban në pushtet këtë garniturë, e cila nuk i nënshtrohet procedurave të zgjedhjes dhe rizgjedhjeve demokratike. E mbanë në një psikozë të rrezikut të përhershëm Serbinë dhe popullin serb, si dhe në një lloj tensioni ose armiqësie, që herë pas here, politika, përmes deklaratave, e bëjnë edhe me shqiptarët, me Bosnjën, e bëjnë sidomos me kroatët dhe ndonjëherë u ndodhë edhe me bullgarët”, theksoi Tahiri.

Tahiri ka shtuar se Serbia po shpenzon para të majme për armatimet nga Rusia dhe kjo e vendosë atë në pozitë të palakmueshme, sepse e detyron atë që në përditshmëri të përdorë retorikën e rrezikut dhe armatosjen për mbrojtje. Ndërkaq, sipas tij, armatimi ajror, i këtij tipit që ka blerë Serbia, është sulmues.

Ndërkaq, zëvendësministri në dorëheqje, Ramadani, thotë se Serbia është e rrethuar me vende fqinje, që janë pjesë e NATO-s ose kanë prezencë të kësaj aleance. Nisur nga ky fakt, ai shtron pyetjen, se për çfarë i nevojitet Serbisë armatosja nga Rusia?

 

“Çka po i duhet kjo armatosje nga Rusia dhe kundër kujt e ka? Sepse, fqinjët e Serbisë, janë që të gjithë, qoftë anëtar të NATO-s, qoftë me prezencë të NATO-s – në këtë rast po flasim për Kosovën, e cila e ka prezencën e NATO-s. Ky është një argument i fuqishëm që e bën Serbinë të shihet qartë se ‘Rusi e vogël’, si aleate, si hapësirë gjeografike dhe politike, në të cilin Rusia e menaxhon aspektin e sigurisë. Të mos harrojmë që shumë prej këtyre pajisjeve janë të përdorura, janë pajisje të vjetra të Rusisë, por të cilat shërbejnë, kryesisht edhe për mbledhje të informacioneve, respektivisht, për inteligjencë”, u shpreh Ramadani.

Megjithatë, politologu Tahiri thekson që Rusia nuk e rrezikon interesin e vet kombëtar për shkak të Serbisë.

“Rusia është superfuqi dhe e luan lojën politike dhe gjeostrategjike globale. Nuk e rrezikon interesin e vet kombëtar për Serbinë ose për interesa të Serbisë. Rusia nuk po ia jep armatimin e fundit Serbisë edhe për shkak të pasigurisë se mund të shkojë në duar të tjera. Ky regjim, nuk do të thotë që do të jetë gjithmonë i qëndrueshëm për rusët. Por, Serbia po përfiton, sepse po konsideron që rregullimin e saj gjeopolitik karshi fqinjëve, sidomos karshi Kosovës dhe Bosnjës, nuk e ka përfunduar”, vlerësoi Tahiri.

Ai ka shtuar se Serbia po i bën shantazh Perëndimit, përmes bashkëpunimit me Rusinë, marrë parasysh që të gjitha vendet për rreth saj janë në NATO ose me prezencë të kësaj aleance ushtarake. E gjithë kjo, sipas tij, është një politikë e udhëheqjes së Serbisë, e presidentit Alaksandar Vuçiq, Ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq dhe Ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, si dhe partive të tyre, për ta mbajtur popullin serb në gjendjen ekzistuese, deri në momentin që të rregullojnë çështjet me Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Kontingjenti i fundit i mjeteve ushtarake, 10 autoblinda të tipit BRDM -2, të cilat Rusia, sipas zyrtarëve të Serbisë, ia ka falë kësaj të fundit, është prezantuar 2 ditë më parë. Më herët, Serbia, ka pranuar gjashtë aeroplanë luftarakë të llojit, MiG-29 nga Rusia.

Gjatë muajit korrik, Rumania, shtet anëtar i NATO-s, ka parandaluar dërgesën e 60 tankeve ruse dhe mjeteve tjera të armatosura, përmes Lumit Danub për në Serbi, për shkak të sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës. Më 26 korrik, Ministria e Jashtme e Rumanisë ka deklaruar se nuk ka mundur të miratojë një leje për kalim në territorin e këtij shteti, bazuar në ndalesat e vëna më 2014.

Ramadani: Vuçiq, Daçiq e Vulin janë bërë ushtarë të Putinit

Periskopi.com Lajme

Zëvendësiministri Burim Ramadani ka thënë se Vuçiq, Daçiq e Vulin, janë kthyer në ushtarë të Putinit kundër NATO-s.

Zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë se Serbia është duke dërguar mesazhe kërcënuese për tërë Ballkanin teksa po armatoset nga Rusia.

“Kjo nënkupton që Serbia po e forcon ndërveprueshmërinë e vet ushtarake vetëm me Rusinë”, ka thënë Ramadani për Epoka e re.

Ai ka thënë se Aleksandër Vuçiq, Ivica Daçiq dhe Aleksander Vulin janë kthyer në ushtarë të Putinit në hakmarrjen ndaj NATO-s në Ballkan. Zëvendësiminstri Ramadani ka folur edhe për tranzicionin e FSK’së, duke thënë se ky proces po vazhdon dhe do të përmbyllet suksesshëm.

Aventurë e re, Muhaxheri thotë se preferon koalicion me Vetëvendosjen

Periskopi.com Lajme

Gazmend Muhaxheri i cili është anëtar i Kryesisë së LDK’së, ka thënë se koalicioni më i mirë i mundshëm është ai me Lëvizjen Vetëvendosje.

Muhaxheri në Debat Plus të RTV Dukagjini tha se Vetëvendosje është partia më favorite për koalicion.

Tutje, ai tha se në rast se bëhet kryetar i LDK’së, nuk do të ketë vija të kuqe për asnjë parti, këtu duke përfshirë edhe PDK’në./Periskopi/

 

Gazmend Muhaxheri nuk e përjashton një koalicion LDK – PDK

Periskopi.com Lajme

Anëtari I Kryesisë së LDK’së, Gazmend Muhaxheri, nuk ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës – raporton Periskopi.

Në Debat Plus në Rtv Dukagjini, Muhaxheri ka thënë se nuk ka vija të kuqe as për këtë parti.

Sipas tij, vendimi për këtë i takon kryetarit të ardhshëm të LDK’së, por ai personalisht nuk preferon vija të kuqe për askënd.

“Unë u thash që preferoj një koalicion LDK-Vetëvendosje, por megjithatë s’vendosi unë për këtë. Ta shohim qëndrimin e atij që do të bëhet kryetar i LDK’së. Megjithëse s’kam vijë të kuqe, mendoj se PDK duhet të shkojë në opozitë këtë mandat. Por, unë vija të kuqe s’kam për ta”, tha Muhaxheri./PERISKOPI

Ismet Beqiri tregohet i rreptë me bashkëpartiakët: LDK nuk gjunjëzohet as nga brenda as nga jashtë

Periskopi.com Lajme

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka postuar një pjesë të fjalimit të tij në një Kuvend të LDK-së në vitin 1991.

Por, ai ka shkëputur një pjesë të shkurtër, në mes të të cilës thuhet se Lidhja Demokratike nuk mund të gjunjëzohet as nga brenda as nga jashtë.

Ky është postimi i tij i plotë:

Nga fjalimi im në punimet e Kuvendit të I-rë zgjedhor të LDK-së, 5 maj 1991 në lokalet e Medreses Alaudin në Prishtinë.

LDK ka historinë, të sotmen dhe të ardhmen e saj.

Ajo as më herët as tani nuk është gjunjëzuar dhe nuk mund të gjunjëzohet nga askush, as nga brenda as nga jashtë,

LDK është aset i yni kombëtar.

Si Delegat i të gjitha Kuvendeve të gjerë tanishme, për mua LDK është mbi të gjitha, mbi çdo interes tonin personal.

Ta ruajm dhe zhvillojm LDK-në✌️✌️!!

Muhaxheri: Vetëvendosje ta dijë që posti i kryeministrit na takon neve, jemi partia më e madhe

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se partia e tij është më e madhja në vend dhe se i takon posti i kryeministrit – raporton Periskopi.

Muhaxheri ka thënë se LDK mundet të hyjë edhe vetë në zgjedhje.

Por, e mbështet një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen.

“LDK është partia më e madhe në vend dhe i takon kryeministri. LDK mundet me hi vetë në zgjedhje, mirëpo besoj se për këto zgjedhje duhet të ketë bashkëpunim me Vetëvendosjen. Edhe unë e mbështes këtë koalicion. Por, kryeministri i takon partisë më të madhe”, ka thënë Muhaxheri në Debat Plus në Rtv Dukagjini.

Ai ka thënë se edhe për këtë çështje do të duhej të diskutohej mes kryetarëve të dy partive.

Muhaxheri ka thënë se LDK’së i duhet një kandidat me të cilin fiton zgjedhjet bindshëm.

“Na duhet një kandidat me të cilin i fitojmë zgjedhjet bindshëm. Me kryetarin dhe Kryesinë e LDK’së duhet t’i fitojmë zgjedhjet”, ka thënë ai tutje./PERISKOPI 

Këta janë tre shqiptarët në listën e kriminelëve më të rrezikshëm në Angli

Periskopi.com Lajme

Mediat në Londër kanë publikuar sot listën e disa kriminelëve më të rrëzikshëm në Angli, ku nuk kanë munguar në listë dhe shqiptarët. Në këtë listë janë 3 shqiptarë, të cilët janë arrestuar për verpa të nryshme penale.

Një prej tyre është Suad Sufaj, i cili u ndalua nga policia ndërsa udhëtonte me një makinë përgjatë rrugës “Bowes” në Enfield, vitin e kaluar. Pas një kontrolli në makinën e tij u zbulua një sasi prej 1 kg kokainë me vlerë 100,000 paund. Oficerët kontrolluan shtëpinë e tij ku gjetën edhe 8.5 kg kokainë tjetër me vlerë afërsisht 800,000 £. 26-vjeçari u burgos për 12 vjet më 12 prill të këtij viti.

 

 

Një tjetër emër në lsitën e më të rrëzikshme është dhe Klevis Drazhi. Ai është vetëm 20 vjeç dhe u ndalua nga oficerët në Moorgate më 19 janar pasi ata e vunë re se po hynte në një korsi biçikletash. Pas kontrollit të makinës, policia zbuloi 11 mbështjellës me pluhur të bardhë – të cilat më vonë u konfirmuan se ishin kokainë si dhe rreth 1300 paund.
Por krimineli më i rrezikshëm është pa dyshim shqiptari Mane Driza, ndaj të cilit më 3 prill, gjykata në Bailey Old i dha një dënim të përjetshëm me një rekomandim që të vuante minimumi 20 vjet burg.

41-vjeçari goditi me thikë Stefan Bledar Monen më shumë se 120 herë në Wembley në qershor 1999, dhe jurisë iu deshën 90 minuta për ta gjetur atë fajtor për vrasje.

​Ndërron jetë ish-ushtari i UÇK-së

Periskopi.com Lajme

Ka ndërruar jetë ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Hazrolli.

Lajmi për vdekjen e veteranit, invalidit dhe ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muharrem Hazrolli, ka pikëlluar të gjithë, shokët, bashkëluftëtarët e veprimtarët e çështjes kombëtare.

Me këtë rast edhe Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i dërgoi telegram ngushëllimi familjes Hazrolli.

“Shumë e nderuara familje Hazrolli! Me pikëllim të madh morëm lajmin se nga kjo botë iku luftëtari, veterani, invalidi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetari për shumë vite i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, Muharrem Hazrolli. Me të ndamë momentet më të mira, vullnetin më të hekurt dhe bindjen më të pastër të të ardhmes që buroi nga lufta e lavdishme çlirimtare. Ngushëllime, ju, miqve e bashkëluftëtarëve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, tha në telegramin e ngushëllimit, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Hoxhaj thumbon LDK’në: Ata që flasin për vija të kuqe referuar PDK-së, i frikësohen humbjes

Periskopi.com Lajme

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj deklarimeve të disa zyrtarëve të partive politike në Kosovës se kanë vija të kuqe ndaj PDK-së.

Hoxhaj me këtë rast tha se ata që flasin për vija të kuqe ndaj Partisë Demokratike i frikësohen humbjes.

“Kur dikush flet për vijat e kuqe në mes të partive politike në Kosovë dhe i referohet PDK-së, duhet ta ketë të qartë një gjë: ka dy nivele të mospranimit të tjetrit në politikë. I pari është mospranimi i një partie ku për çfarëdo arsye e besimi ideologjik mbetet përherë në opozitë dhe niveli i dytë i mospranimit është mos kalimi i pragut zgjedhor dhe frika nga humbja. Kjo e fundit i ka tmerruar partitë pa gjasa në zgjedhje.”

Zëvendësministri i AAK-së zbulon se me cilën parti parapëlqen partia e tij të bëjë koalicion

Periskopi.com Lajme

Zëvendësministri i Jashtëm në detyrë, Anton Berisha, i cili është anëtarë i kryesisë së AAK-së, ka dhënë preferencat e tij për partnerët më të përshtatshëm të AAK-së në qeveri.

Berisha në RTV Dukagjini, ka thënë se vendimi final për ekstradimin ose jo të Tomor Morinës nga Maqedonia e Veriut në Serbi do ta marrë Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut.

Ai ka thënë se Kosova ka marrëdhënie të mira me shtetin fqinj dhe sipas tij edhe Haradinaj ka raporte të mira me homologun nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev dhe shpresojnë në një vendim në favor të Tomor Morinës.

Duke folur për situatën politike në Kosovë, zyrtari i AAK-së ka thënë se pavarësisht dorëheqjes së Haradinajt, nuk duhet të ketë vakum institucional në vend.

Berisha ka thënë se Presidenti duhet të shqyrtojë të gjitha opsionet kushtetuese por sipas tij barazia e partnerëve në koalicion e vështirëson ndonjë kalkulim që do të mund të evitonte zgjedhjet.

Zëvendësministri i Jashtëm në detyrë ka thënë se personalisht është që AAK të shkojë e vetme në zgjedhje për ta verifikuar veten para qytetarëve, por sipas tij pas zgjedhjeve AAK-LDK do të ishte koalicioni më stabil.

“Koalicioni i natyrshëm dhe i cili ka funksionuar më së mirë pas lufte ka qenë AAK-LDK. Personalisht kam shprehur dyshime edhe për koalicionin e fundit që ka bërë AAK. LDK-AAK do të ishte koalicioni më stabil. PDK dhe AKR kanë qëndruar gjatë në pushtet”, tha ai.

Berisha ka thënë se nuk beson në ndonjë koalicion LDK-VV, pasi sipas tij LDK është tradicionalisht e djathtë ndërsa Vetëvendosje është e majtë dhe ky bashkëpunim do të ishte i panatyrshëm.

“Konceptualisht AAK është më afër me LDK-në, edhe pse në të kaluarën mund të kenë pasur dallime në çështje të caktuara”, tha ndër të tjera Anton Berisha