June 2021 - Page 2 of 221 - Periskopi

Krasniqi: Do të ishte nder ta kem në ekip Gent Cakajn

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryetar të PDK’së, Memli Krasniqi, i pyetur për politikanin Gent Cakaj, ai ka thënë se do të ishte nder sikur ta kishte në ekipin e tij punues.

Krasniqi u shpreh shkurt se “Do të ishte nder ta kem në ekip”, shkruan Periskopi.

Pos Cakajt, Krasniqi tha se në ekipin e tij do të donte t’i kishte edhe Enver Hoxhajn e Vlora Citakun. Madje, nëse fiton, Krasniqi u shpreh i bindur se edhe do t’i ketë.

Ai tha se e gjithë partia duhet të jetë e bashkuar.

Ndër të tjera, Krasniqi ftoi edhe figura të tjera në PDK që t’i futen garës për të parin e PDK’së.

“Të shtunën unë do të dalë para PDK’së që t’ua prezantoj një platformë. Nëse ata pajtohen me bindjet e mia, atëherë pres të më mbështesin. Pres të ketë edhe kandidatë të tjerë, i ftoj të mos kenë mungesë të guximit. Edhe vetë kam pasur dilema, në fakt ka qenë shumë e vështirë. Mendoj që duhet me qenë një garë e hapur, jo rivalitet por konkurencë”, shtoi Krasniqi. /Periskopi/

 

Zyrtare: Kjo është skuadra e re e Atdhe Nuhiut

Periskopi.com Sporti

Ish-reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës Athe Nuhiu ka nënshkruar kontratë me klubin austriak SCR Altach Qendërsulmuesi e gjatë 1.96 m ishte së fundmi nën kontratë me kampionin e Qiprios Apoel Nicosia dhe do të nënshkruajë kontratë për dy vitet e ardhshme.

 

Nuhiu kthehet në Bundesligën Austriake pas tetë vitesh. Pasi u transferua nga SK Rapid Vienna në Sheffield Wednesday në verën e viti 2013.

Në lidhje me këtë lëvizje, Nuhiu tha:

“Në bisedat me Damir Canadi dhe Werner Grabherr (drejtues të klubit) shpejt u bë e qartë për mua se projekti në Altach është emocionues dhe se unë do të doja të vija këtu. Pas një viti jo aq të lehtë në Qipro, qëllimi im është të kthehem në nivelin tim të lartë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ndihmoj ekipin me golat e mi. ”

‘Popullizëm e mashtrim’, Hoti kështu e sheh 100-ditëshin e Qeverisë Kurti

Periskopi.com Lajme

Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë se 100 ditshi i parë i punës së Qeverisë Kurti ishte reflektim i popullizmit dhe mashtrimit që Lëvizja Vetëvendosje e ka proklamuar ndër vite.

”Pamë ato të cilat shumë nga ne i kemi pritur, sepse kur e tërë kauza politike për të marrë mbështetje qytetare për vite me radhë, jo vetëm në zgjedhjet e fundit, bazohet në popullizma të cilat nuk çojnë askund përveçse krijojnë një perceptim të caktuar, por që nuk bazohen në realitet dhe nuk kanë vizion afatgjatë, atëherë është vetëm reflektim ose shpalosje e mashtrimeve publike që janë bërë në shumicën prej fushave dhe tash kur janë në qeverisje po përballen me ato.”

Ish-shefi i ekzekutivit tha se Kurti pasi erdhi në pushtet ndryshoi qëndrim për temat kryesore të vendit, duke përfshirë dialogun me Serbinë.

”Mashtroi në temat kryesore, në temën e dialogut ta zëmë, qëndrimi i tij vazhdimisht ka qenë se nuk e fillojmë dialogun pa kërkim falje, ka qenë se në javët e para të qeverisë së tij do të vendoset reciprociteti dhe asnjërën nga këto nuk i kemi. Pra ata ndërtuan një narrativë, por tash kur janë në qeverisje të vendit nuk e përcjellin atë rrugë, nuk i përmbushin ato premtime apo zotime që i kanë dhënë para qytetarëve”, tha Hoti në Klan Kosova.

Sipas Hotit, Kurti në Bruksel nuk e diskutoi temën kryesore të dialogut që është njohja reciproke.

”Pavarësisht dallimeve që i kemi të gjithë pajtohemi që procesi i dialogut duhet të bëhet për njohje reciproke, por ky (Kurti) nuk e shtroi këtë temë, por erdhi me ide për marrëveshje të modelit të Lihtenshtajnit e Norvegjisë më Bashkimin Evropian, kjo nuk na hynë në punë, neve na duhet qartësi e plotë për dialogut, ashtu siç kemi bërë ne”.

Memli Krasniqi: PDK do të rritet e reformohet për të rifituar besimin e qytetarëve për ta zhvilluar vendin

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryetar të ri të PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur për vizionin e tij të ri për ta rikthyer PDK-në me besimin më të madh qytetar në vend.

Ai tha se për ta arritur këtë PDK duhet bëjë shumë punë dhe të hapet plotësisht për të rinjtë dhe gratë që e duan zhvillimin e Kosovës.

Ai tha se transformimi më i madh dhe zhvillimi më i madh i Kosovës ka ndodhur në shtatë vitet kur PDK ka udhëhequr me Qeverinë e Kosovës nga viti 2008 seri 2014.

Ai tha se gjatë qeverisjes së PDK’së, buxheti i shtetit është trefishuar nga 650 milionë euro sa ishte më 2007 në 2 miliardë euro më 2014.

Të gjitha punët e mëdha në këtë vend janë bërë gjatë viteve 2008-2017, e veçanërisht gjatë viteve 2008-2014”, ka thënë Krasniqi. Sipas tij, puna e qeverive të tjera para PDK’së dhe pas saj, është pothuajse inekzistente.

“Nëse ndalemi dhe i shohim punët që i kemi bërë gjatë qeverisjes së PDK’së, unë ju them nëse flasim pa ngarkesat politike partiake, pse jo edhe ideologjike, në mënyrë të vlerësimit real, i shohim punët që janë bërë para 2007 dhe ato që janë bërë pas 2019’tës, pothuajse janë inekzistente”, është shprehur Krasniqi.

“Nuk është e tepërt me përmend, e kemi marrë buxhetin e Kosovës 650 milionë euro në vitin 2007 dhe ia kemi dorëzu Isa Mustafës me 2 miliardë, e sot është 2.2 miliardë. Ne e kemi trefishuar për shtatë vjet”, ka thënë Krasniqi.

“Të gjitha qeveritë tjera, nuk kanë arritur të rritin buxhetin as 20%”, shtoi Krasniqi.

Ai i ka ftuar delegatët e PDK-së që ta mbështesin të shtunën në Konventë vizionin e tij për rritjen e PDK-së dhe rikthimin e besimit qytetar për ti fituar zgjedhjet e ardhshme./Periskopi/

Amerika e prerë për Marrëveshjen e Washingtonit: Kosova e Serbia t’i përmbahen

Periskopi.com Lajme

Shtetet e Bashkuara presin që Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve të marra në Uashington më 4 shtator 2020.

“Shpresojmë që partnerët tanë të veprojnë me mirëbesim dhe të vazhdojnë t’iu përmbahen detyrimeve të marra përsipër në Uashington”, thuhet në një përgjigje të Departamentit amerikan t Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator 2020, kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Marrëveshja ishte nënshkruar mes ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Zbatimi i marrëveshjes së Uashingtonit krijon një bazë për marrëveshjet e ardhshme dhe ofron mundësi për bashkëpunim më të gjerë midis palëve. Detyrimet e marra veçse sjellin përfitime për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës dhe ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me zbatimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Shtetit.

Marrëveshja, ndër të tjera, parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore. Sipas marrëveshjes, Kosova obligohet të bëhet pjesë e një iniciative për lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore, që do ta përfshijë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur të mërkurën pas mbledhjes së qeverisë për zbatimin e saj, ka minimizuar pikat tjera të Marrëveshjes së Uashingtonit, duke thënë se “pika më e rëndësishme e saj është ajo e fundit, e cila tashmë është realizuar”.

Fjala është për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit.

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar javën e kaluar, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ky studim shënon përmbushjen e një prej angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është detyrë e institucioneve që Liqenin e Ujmanit ta konsiderojnë si “liqe artificial të Kosovës”.

“Qëndrimet tona në lidhje me Ujmanin janë të njëjta”, tha Kurti në një konferencë për media të mërkurën (30 qershor) pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se mund të prodhohen analiza e studime por është “detyrë e jona që ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit, ashtu siç është, liqe artificial i Kosovës”.

“Atë (Liqenin) e kemi paguar edhe kryer shumë dekada më parë”, tha Kurti.

Liqeni u ndërtua në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje kjo e ratifikuar atëherë nga Kuvendi i Krahinor i Kosovës dhe Kuvendi Federativ i Jugosllavisë.

Serbia insiston se ka trashëguar borxhin e ish Jugosllavisë, prandaj pretendon se ka të drejtë në pronësi.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, lidhur më këtë çështje, javën e kaluar, ka shkruar në rrjetin social, Facebook, duke thënë se qeveria duhet të kujdeset për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit.

“Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse është në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se në raport me dialogun me Serbinë, qasja e paqartë e Qeverisë së Kosovës është peng i deklaratave të mëhershme të kryeministrit Kurti. Sipas saj, Kurti më herët ka shprehur qëndrime mjaft kritike lidhur me dialogun me Serbinë, për marrëveshjet e arritura në këtë proces, por edhe për zotimet e 4 shtatorit në Uashington.

“Marrëveshjet, të cilat janë nënshkruar dhe kanë hyrë në fuqi, janë punë e përfunduar. Ashtu sikurse edhe Marrëveshja e Uashingtonit. Ne duhet të mendojmë se jemi shtet që merr obligime ndërkombëtare dhe pavarësisht se kush është kryeministri për momentin, shteti duhet të vazhdojë t’i zbatojë marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar vet dhe është zotuar se do t’i zbatojë”, ka thënë Lushaku- Sadriu.

Krasniqi: Morëm buxhetin me 650 milionë euro më 2007, ia dorëzuam Mustafës me 2 miliardë më 2014

Periskopi.com Lajme

Kandidati për kryetar të PDK’së, Memli Krasniqi, ka lavdëruar punën e partisë së tij, duke thënë se gjatë qeverisjes së PDK’së, buxheti i shtetit është trefishuar.

Krasniqi tha se buxhetin e shtetit nga 650 milionë, brenda 7 vjetëve PDK’ja e ka trefishuar duke e bërë 2 miliardë euro.

Sipas tij, puna e qeverive të tjera para PDK’së dhe pas saj, është pothuajse inekzistente.

“Nëse ndalemi dhe i shohim punët që i kemi bërë gjatë qeverisjes së PDK’së, unë ju them nëse flasim pa ngarkesat politike partiake, pse jo edhe ideologjike, në mënyrë të vlerësimit real, i shohim punët që janë bërë para 2007 dhe ato që janë bërë pas 2019’tës, pothuajse janë inekzistente”, është shprehur Krasniqi.

Tutje, Krasniqi tha edhe se gjatë qeverisjes së PDK’së 2008-2017, janë kryer të gjitha punët e mëdha në këtë vend.

“Të gjitha punët e mëdha në këtë vend janë bërë gjatë viteve 2008-2017, e veçanërisht gjatë viteve 2008-2014”, ka thënë Krasniqi.

“Nuk është e tepërt me përmend, e kemi marrë buxhetin e Kosovës 650 milionë euro në vitin 2007 dhe ia kemi dorëzu Isa Mustafës me 2 miliardë, e sot është 2.2 miliardë. Ne e kemi trefishuar për shtatë vjet”, ka thënë Krasniqi.

“Të gjitha qeveritë tjera, nuk kanë arritur të rritin buxhetin as 20%”, shtoi Krasniqi.

Policia dënon shoferin e autobusit që e përdori telefonin gjatë vozitjes në autostradë

Periskopi.com Lajme
Policia e Kosovës po vazhdon të gjobisë drejtuesit e automjeteve që nuk po respektojnë rregullat e trafikut.Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, nga policia kanë bërë të ditur se së fundmi kanë shqiptuar dënime për disa raste të ndryshme të cilat janë raportuar nga qytetarët, shkruan lajmi.net.

Njëri nga shoferët e dënuar është edhe një shofer autobusi, i cili është fotografuar duke e përdorur telefonin gjatë vozitjes në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Njoftimi i plotë i policisë:

Syla pas shkarkimit në AKI: Sërish një taktikë me i ikë dështimeve, kryeministër dil fol, ku po mshefesh

Periskopi.com Lajme

Analisti Valon Syla ka thënë se kryeministri Albin Kurti po mundohet që me shkarkimet, siç ishte ai i sotmi në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, të mbulojë dështimet e tij 100 ditëshe.

Syla fton kryeministrin të mos ikë por të dalë e të flasë.

‘’Albin Kurti i paska gjetur shkarkimet ne AKI sot per ta mbuluar deshtimin 100 ditesh e tij. Përsëri një taktikë me i ikë dështimeve. Dil fol Kryeministër. Ku po mshefësh?
#albanologji #100ditë #vv #kurti’’.PERISKOPI/

Dreshaj: Vaksinimi ndaj COVID-19 duhet bërë obligues nëse atë e refuzojnë 50% e popullatës

Periskopi.com Lajme

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka shprehur shqetësim lidhur me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit në Kosovë.

Dreshaj në Info Magazine pohoi se menaxhim i pandemisë nuk nënkupton vetëm vaksinimi, meqë në Kosovë sipas tij nuk ka ndodhur as vaksinimi masiv.

Kjo siç thotë Dreshaj meqë thuhet se deri 50% e popullatës, refuzon vaksinën, e në këtë rast ky injektim kundër Covid-19, duhet të bëhet obligues.

”Koncepti i menaxhimit të një pandemie nuk nënkupton vetëm vaksinim. Ne kemi filluar prej 15 qershorit dhe kemi aprovuar planin masiv të popullatës. Kemi instaluar 278 pika për të dhënë vaksina”.

”Kemi llogaritur që deri në fund të gushtit do ta arrijmë limitin e 60%-it ku do të keni një dozë të madhe të sigurisë se lirimit, të mësimit me kontakt fizik, fillimin e profesioneve me kontakte fizike”.

”Prej 30 marsit kur kemi filluar t’i marrim dozat e para, vetëm dy ditë kemi arritur që të ngriten mbi 7000 doza”.

”Kjo është ajo brenga ime – përkundër faktit që kemi prononcuar këtë vaksinim masiv, realisht nuk kemi pasur në Kosovë vaksinim masiv. Me një trend të tillë në këtë vit nuk do ta mbërrijmë barrierën immune në terren”.

”Pika e dytë çka mua më shqetëson, është prononcimi lidhur me atë se ”50% e popullatës refuzon vaksinën””.

”Në këto raste atëherë duhet të dilet me rekomandim: Nëse 50% e popullatës refuzon vaksinën, atëherë vaksina duhet bërë obligative për marrje. Ju keni të drejtë të rrezikoni veten, por ju nuk keni të drejtë të rrezikoni tjetrin”.

”Në një hulumtim që kanë punu, ka dalur që 80% e punëtorëve në Klinikën Infektive, kanë çrregullime psiqike. Edhe këta duhet futur në strategji – si do të menaxhohen”.

Ishte duke kaluar në zebra, vetura godet një person në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Rasti ka ndodhur para pak çastesh në afërsi të QKUK-së.

Në fotot e dërguara nga një lexues i lajmi.net, shihet ekipi mjekësor dhe njësiti i policisë në vendin e ngjarjes, përderisa personit të goditur nga vetura i ofrohet ndihma e parë.

Ende nuk dihet arsyeja e aksidentit dhe gjendja shëndetësore e qytetarit që është goditur nga vetura.

Uran Ismaili zyrtarizon kandidaturën për kryetar të komunës së Prishtinës

Periskopi.com Lajme

Uran Ismaili do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, raporton Periskopi.

Kandidimin e tij e ka zyrtarizuar sonte.

Kujtojmë që zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 17 tetor 2021.PERISKOPI/

Gjithçka gati për Konventën e PDK’së, po jo edhe emrat e kandidatëve

Periskopi.com Lajme

Partia Demokratike e Kosovës me 3 korrik, ditën e shtunë do të mbajë Konventën e 10’të të partisë për të zgjedhur kryetarin e ri.

Sipas grupeve punuse në terren të këtij subjketi gjithçka është gati për takimin i cili nis në ora 9:30 në mëngjes, e përfundo me zgjedhjen e kryetarit të ri.

Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, ka publikuar një foto të grupit punues për organizimin e Konventës së PDK’së.

Musliu bashkangjitur me foton shkroi se deri nesër në ora 17:00 priten kandidaturat e radhës për kryetar të PDK’së.

“Grupi punes për organizimin e Konventës se jashtëzakonshme të PDK-së mbajti takimin e rregullt. Deri nesër në ora 17:00 presim kandidaturat për Kryetar të PDK-së’, shkroi Musliu.

Kujtojmë se deri tani kandidatura e vetme publike është bërë nga Memli Krasniqi, ndërsa pritet të zyrtarizohet edhe kandidatura e Enver Hoxhajt, mirëpo sipas sekretarit të PDK’së Betim Gjoshi, mund të ketë edhe kandidatura tjera, që mund të bëhen publike deri nesër pasdite.

Nga nesër do të mund të aplikohet për termin në ambasadën gjermane për viza pune

Periskopi.com Lajme

Nga 1 korriku 2021 personat nga Kosova që janë plotësisht të vaksinuar kundër Covid 19 kanë mundësi të regjistrohen sërish në listën e pritjes për caktimin e një termini.

„Rregullorja për Ballkanin Perëndimor“ e rinovuar, ka hyrë në fuqi më 1 janar 2021. Me këtë, shtetasit e Kosovës do të kenë qasje të privilegjuar në tregun e punës në Gjermani deri më 31 dhjetor 2023. Më 1 gusht 2021 shqyrtimi i kërkesave për viza të tilla për personat nga Kosova që janë plotësisht të vaksiuar kundër Covid 19 do të jetë sërish i mundur. Lista e re e pritjes për caktimin e një termini në muajin gusht për personat plotësisht të vaksinuar kundër Covid 19 do të hapet më 1 korrik 2021.

Më poshtë detajet:

Udhëzime të rëndësishme:

Ju lutemi të regjistroheni vetëm nëse tashmë e keni kompletuar dokumentacionin e nevojshëm dhe keni marrë të paktën një dozë të vaksinës. Shtyerja e termineve për një muaj të mëvonshëm nuk është e mundur.

– Regjistrimi i kërkesës së re për caktimin e një termini është i domosdoshëm. Regjistrimet sipas Rregullores së vjetër për Ballkanin Perëndimor nuk janë më valide.

– Lista e pritjes për regjistrimin e kërkesës për termine të lira për muajin vijues do të hapet çdo muaj. Nëse nuk keni sukses, keni mundësi të regjistroheni në muajin vijues.

– Në momentin e parashtrimit të kërkesës për vizë duhet të dorëzohet dokumentacioni mbi statusin e vaksinimit. Për udhëtimet hyrëse kërkohet një dëshmi mbi vaksinimin e plotë dhe të bërë të paktën 14 ditë më parë me një nga vaksinat e aprovuara në Gjermani.

Informata më të hollësishme gjeni në faqen tonë të internetit:https://pristina.diplo.de/…/fillimi-i-punesimit…/1767176

Manaj: Qeveria gjatë 100 ditëve ndërhyri në të gjitha institucionet e pavarura dhe ua bënte gjyqin në Kuvend

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Kryesisë së Lidhje Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka adresuar një sërë kritikash ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në 100 ditë qeverisje.

Manaj deklaroi se Qeveria gjatë 100 ditëve ka ndërhyrë në të gjitha institucionet e pavarura teksa sipas tij ua bënte gjyqin në Kuvend.

“Gjatë 100 ditëve në pushtet ka pas ndërhyrje në të gjitha institucionet e pavarura kushtetuese dhe ka pas fushatë të egër ndaj këtyre institucioneve duke ua bërë gjyqin publik edhe funksionarëve publik në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe kjo po ndodhë për herë të parë sepse Kuvendi i Republikës Kosovës nuk mund t’ju bëjë gjyq publik komisioneve parlamentare dhe nuk mund ta bëjë as ndaj funksionarëve publikë e pastaj t’i shkarkojnë”, tha Manaj ne Klan Kosova.

“E kemi vendimin për shkarkimin e kryetares së KQZ-së. Sot e kemi vendimin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil – sot janë shkarkuar pesë anëtarë të këtij këshilli dhe nëse duhet të shkarkohet dikush duhet të ketë arsyetim të veçantë dhe votim të veçantë”.

Manaj tutje tha se Qeveria Kurti nuk e ka menaxhuar mirë pandeminë COVID-19 dhe ka dështuar në planin e vaksinimit të qytetarëve ndaj virusit.

“Ne vlerësojmë që gjatë këtyre 100 ditëve Qeveria Kurti nuk e ka bërë menaxhimin më të mirë, jemi vendi i vetëm në Evropë me më së paku të vaksinuar dhe kemi pak vaksina. Ne nuk dëshirojmë që qeveria të dështojë në menaxhimin e pandemisë dhe gjithmonë kemi kërkuar vetëm të shtohet numri i vaksinave”.

“Në luftimin e pandemisë dhe në menaxhimin më të mirë duhet të bëhemi pozitë e opozitë bashkë. Në vlerësimin tonë pos mungesave të vaksinave nuk është respektuar as protokolli I vaksinimit të qytetarëve ndaj COVID-19”.

Mes tjerash Manaj tha se qeveria ka bërë hapa prapa sa i përket drejtësisë.

“Ne si LDK konsiderojmë që VV-ja dhe qeveria aktuale ka bërë hapa prapa në aspektin e drejtësisë pasi dihet se edhe vetë ministrja e drejtësisë ka pas akuzë aktive dhe nuk kam dëgjuar askund në botë se një ministri i drejtësisë mund të mbajë detyrën dhe të shkojë pasdite në seancë për akuzën”.

“Edhe ministrja e Drejtësisë edhe ministri i infrastrukturës kanë aktakuzë aktive ka edhe shume deputetë të VV-së që kanë akuza aktive dhe mbajnë detyrat gjë që nuk do duhej të ndodhte”, tha Manaj.

La Liga shpalosë kalendarin për sezonin e ri, këto janë datat kur do të zhvillohet El Classico

Periskopi.com Sporti

La Liga ka publikar orarin e ndeshjeve për sezonin 2021/22.

La Liga ka publikuar orarin e ndeshjeve në kuadër të sezonit 2021/22, shkruan lajmi.net.

Mirëpo ndeshjet kryesore të sezonit, janë ato të “El Clasicos” ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit.

Ndeshja e parë e “El Clasicos” do të zhvillohet me 10 tetor në “Camp Nou” ndërsa ndeshja e dytë do të zhvillohet në “Santiago Bernabeu” me 20 mars të vitit 2022.

Zyrtare: Ky është trajneri i ri i Fiorentinës

Periskopi.com Sporti

Klubi i Series A, Fiorentina njoftoi se Vincenzo Italiano është trajneri më i ri i skuadrës së tyre.

Lajmi është bërë i ditur përmes faqes zyrtare të klubit në rrjetet sociale.

Italiano ka nënshkruar një kontratë dy-vjeçare, me një mundësi për të zgjatur për një sezon të tretë.

Trajneri i ri i ekipit nga Firence do të jetë pasues i Gennaro Gattusos i cili ishte në krye të stolit vetëm për disa ditë.

Gattuso u largua pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit në lidhje me transferimet.

Italiano së fundmi ishte trajner i Spezias.

Rama mesazh studentëve të Bujqësorit: Këtu mund të fitoni shumëfishin e asaj që do merrnit jashtë

Periskopi.com Lajme

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në një event promovues për kartën e naftës për fermerët.

Mesazhi i tij për studentët ishte se në profesionin e fermerit mund të merrnin më shumë se sa do fitonin po të punonin jashtë shtetit, por sigurisht duhet që ta dinë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Më tej Rama tha se synon që ta rrisë mbështetjen për fermerët nga 10 milionë euro që u prezantua sot, në 50 milionë euro deri në 2025.

“Masat që kemi marrë për ta stimuluar sektorin dhe shifrat e rritura në sektor janë historike sepse sot jemi në kushtet kur kemi jo më synim, por fakt, masat kyçe lehtësuese dhe mbështetëse që fermerët i kanë kërkuar që në fillim të ’90 kur e kuptuan që në këtë sistem të ri bujqësia nuk mund të trajtohet njësoj si gjithë të tjerët se ka nevojë për një aleancë të vazhdueshme mes fermerit dhe shtetit.

Ju them studentëve që ky është vendi për të marrë dijet e nevojshme dhe për të fituar me dije dhe punë shumë më tepër sesa një rrogë, duke u bërë një vlerë e shtuar për një sektor që do t’i ketë gjithmonë e më të mëdha nevojat për burime njerëzore”, deklaroi ai. /tch/

Aksioni i Policisë në Ministrinë e Bujqësisë, Peci: Nuk do të ndalemi

Periskopi.com Lajme

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci e ka përshëndetur veprimin e organeve të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për aksionin e sotëm ku u arrestuan 21 persona në rastin “Subvencioni 2021”.

Peci thotë se veprimi i sotëm është përpjekja më serioze për kthimin e dinjitetit të bujqve e fermerëve, për të cilët thotë se ndër vite janë bërë pre e skemave mashtruese.

“Fermerët dhe bujqit i inkurajoj të bashkëpunojnë me organet e rendit për ta denoncuar çdo veprim, i cili ka cenuar dhe dëmton punën dhe djersën e tyre. Subvencionet duhet të arrijnë te bujqit, por jo te keqpërdoruesit dhe mashtruesit.

Duke ndarë subvencione për fermerë e bujq, pa ndërmjetësues e pa keqpërdorues do të mund ta sigurojmë një ambient dhe klimë të favorshme për këtë kategori jetike për shtetin”, tha Peci në një postim në Facebook.

Ai thotë se nuk do të ndalen që kësaj ministrie t’ia rikthejnë reputacionin dhe imazhin që e meriton.

“Kjo që ndodhi sot është përpjekje për vendosje të ligjshmërisë. Nuk do të ndalemi dhe nuk do të kursehemi që këtë Ministri që është bërë e famshme shkaku i skemave kriminale t`ia rikthejmë reputacionin, besimin dhe imazhin që meriton, në mënyrë që ta vejmë ekskluzivisht në dobi të bujqve e fermerëve”, shtoi Peci.

Ndërsa, sot, përmes një konference për media, prokurori i çështjes, Rafet Halimi, tha se operacioni është zhvilluar në disa komuna të Kosovës, si në Prishtinë, Pejë, Gjilan dhe Istog.

Numri i të arrestuarve është 21. Nga ky numër, 14 janë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe zyrtarë në Komuna të Kosovës.

2000 përkrahës të Skocisë rezultojnë pozitivë me Covid-19

Periskopi.com Sporti

Gati 2,000 raste të reja me Covid-19 në Skoci janë lidhur me tifozët e futbollit të cilët kanë ndjekur ndeshjet e Skocisë në Euro2020 në mënyra të shumëfishta.

Nga 1991 rastet e regjistruar, dy të tretat raportohet se vijnë nga tifozët që ishin në Londër për të ndjekur ndeshjen kundër Anglisë në 18 qershor.

Gati 400 njerëz pozitivë ishin brenda stadiumit Wembley.

Të tjerët ishin të pranishëm në disa zona të kryeqytetit anglez.

Prokuroria dhe Policia japin detaje rreth arrestimit të kryeshefit të KPM’së

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion së bashku me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit–Prishtinë, njofton opinionin publik se pas pranimit të informatës për keqpërdorime dhe marrje të ryshfetit nga zyrtarë të KPM-së dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ftuar për intervistim edhe të dyshuarin e dytë me iniciale L.L., Kryeshef në KPM.

Personi me inicialet L.L., është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas argumentimit të ndërlidhjes, është vlerësuar dyshimi i bazuar se, si person me përgjegjësi ekzekutive në KPM, ka qenë në dijeni të qartë për kushtëzimet.

Më këto veprime personi i lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të KPRK-së në bashkëkryerje me të dyshuarin A.B., të arrestuar më 29.06.2021, nga Policia e Kosovës, dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, pasi të njëjtit dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare me këtë rast duke keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

I dyshuari L.L., me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Po ashtu, ju njoftojmë se ndaj të dyshuarit me inicialet A.B., prokurori i çështjes ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.​