25 kallëzime të rreme në polici, identifikohet 14 vjeçari mashtrues

25 kallëzime të rreme në polici, identifikohet 14 vjeçari mashtrues

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se prej datës 8 janar 2022 deri me 14 gusht 2022 përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” pranë Stacionit Policor në Rahovec janë paraqitur 25 lajmërime të rreme për aktivitetet të ndryshme kundërligjore në një kafeteri në fshatin Hoçë e Vogël Komuna Rahovec.

Sipas njoftimit, thuhet se sektori i Hetimeve në Stacionin Policor në Rahovec në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, për një kohë ka zhvilluar hetime për zbulimin e kryesit të kësaj vepre duke përdorur teknika të ndryshme të hetimit dhe duke aplikuar masa të fshehta.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se personi i dyshuar për këto kallëzime të rreme është një i mitur, 14 vjeçarë.

“Më datë 15 gusht 2022 është arritur të identifikohet dhe arrestohet një person i dyshuar (mashkull/shqiptar/kosovar, i moshës 14 vjeçare), i cili në prani të avokatit mbrojtës dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale është intervistuar dhe në  tërësi ka pranuar se ka bërë lajmërime të rreme. Si provë materiale është sekuestruar një telefon mobil i cili është përdorur për paraqitjen e këtyre veprave. I dyshuari pas intervistimit është liruar, ndërsa ndaj tij është iniciuar rast “Lajmërim apo kallëzim i rremë”, thuhet në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë-Gjakovë, fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Kur kanë informacion për shkelje të ligjit, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 (pa pagesë) dhe 0390310482.

Shpërndaje në: