25 prilli, 17 tetori, 14 nëntori: Viti elektoral për Albin Kurtin, populli i tha PO në fillim, e më pas tri herë JO

25 prilli, 17 tetori, 14 nëntori: Viti elektoral për Albin Kurtin, populli i tha PO në fillim, e më pas tri herë JO

Ky ishte një vit më elektoral se çdo tjetër për kryeminstrin e Kosovës, Albin Kurtin. Një vit që do të niste mirë, por që do të përfundonte shumë keq.

Fryma e ndryshimit e proklamuar vazhdimisht ia doli t’i jepte Albin Kurtit që kishte bërë koalicion me Vjosa Osmanin 50 për qind të votave të kosovarëve më 14 shkurt 2021.

Partia e tij do të arrinte mbi 400 mijë vota, dhe nga ky rezultat Kurti do t’i ulte në karrige pushteti shumë e shumë njerëz jokompetentë, disa prej të cilëve duken si të jenë profile të rrejshme Facebook-u.

Por, 14 shkurti e pasoi një numër të madh qëndrimesh të shkelura nga kryeministri, dhe populli nuk do të rrinte gatitu për ta duartrokitur.

25 PRILL

Fillimisht, me naftën e paguar nga qytetarët e Kosovës, si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti do të udhëtonte në Shqipëri për të bërë fushatë në zgjedhjet e 25 prillit. Atje, do të garonin tre kandidatë të pavarur nga Vetëvendosje, përfshirë të mirënjohurin Boiken Abazin.

Që të tre do të humbisnin, madje me rezultat mosvet qesharak.

Kurt kryeministri do të shihej në Tiranë, në Lezhë e në Gjirokastër por populli i Shqipërisë e refuzoi.

Këtë refuzim Kurti nuk do ta priste aq mirë. Ai megjithatë do ta uronte Edi Ramën për fitore në zgjedhje, por duke denoncuar ato që i quante parregullsi zgjedhore.

Vera

Pozita e kryeministrit gjatë muajve të verës do t’i bëhej shpejt bajat kryeministrit Kurti, që udhëtoi në një pushim tetë-ditor në Symi të Greqisë në një hotel luksoz.

E derisa ai pushonte, në Kosovë po pushonte edhe pandemia Covid-19 për të cilën ai mburrej se kishte arritur rezultate të jashtëzakonshme.

Në muajin gusht, shpërthimi do të ishte aq i frikshëm e aq i rëndë sa për dy muaj në Kosovën tonë të vogël i mbyti rreth 650 qytetarë të Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj kohe jo-zgjedhore, Kurti do të udhëtonte disa herë në Bruksel për t’u takuar me Aleksandër Vuçiqin, e ndaj të cilit kishte edhe një kërkesë të çuditshme: të mos sulmonim e të mos sulmoheshin ushtarakisht me Serbinë.

17 tetori

Dhe, tetori i shumëpritur do të arrinte. Madje, duke qenë se kryeministrit nuk dukej se i rrihej shumë në Ekzekutiv dhe në punët bajate e komplekse që zyra ia kërkonte, fushatën e nisi qysh në muajin shtator.

Vetëvendosje garonte në rreth 30 komuna të Kosovës. Deputeti i kësaj partie me emrin Armend Muja, do të thoshte se prisnin t’i fitonin 24 komuna. Fundja, dukej edhe logjike marrë parasysh që i kishin fituar 50 për qind dhe që ishin më të shkathta në zgjedhje se partitë e tjera.

Kurti kishte përdorur aparatin shtetëror për të rritur gjasat për fitore. Kjo ndodhi përmes situatës në Veri të Kosovës kur dërgoi dy herë Njësitë Speciale.

Dhe, nga gjithë ato komuna, Vetëvendosje nuk arriti që ta fitonte asnjë në raundin e parë. Madje, humbi pa balotazh në Mitrovicë të Jugut ku e kishin shpallur akademik kandidatin e tyre me emrin Agim Bahtiri. Qeverisja e tyre lokale veçse ishte ndëshkuar, dhe rëndë.

Natën e 17 tetorit, Kurti s’do ta fliste asnjë fjalë të vetme. Ai do të mbyllej në selinë e partisë dhe do të fliste për shumçka me Boiken Abazin e 25 prillit, kandidatin për deputet në Shqipëri që kishte humbur në mënyrë qesharake.

Pas kësaj nate, ai do ta shpallte sukses arritjen në balotazh në 12 komuna dhe menjëherë u shpreh se priste fitore në të dymbëdhjetat.

14 nëntori

Ajo që u nis më 14 po bitisej më 14. Kurti me partinë e tij do të pësonin një debakël elektoral duke arritur të renditeshin në vendin e pestë sa i përket subjekteve politike.

Vetëvendosje i fitoi vetëm katër komuna të Kosovës, duke humbur në çdo qytet të madh përfshirë Prishtinën, Prizrenin e Gjakovën dhe pa numëruar Mitrovicën e Ferizajn ku pësuan humbje qysh më 17 tetor.

Partitë opozitare, pa bërë thuajse asgjë gjatë këtyre muajve dhe duke u treguar parti shumë të buta opozitare [përjashto AAK-në] kishin arritur që të fitonin së bashku 21 komuna të Kosovës, e Albini në anën tjetër, vetëm katër sosh.

Tashmë, shumë anëtarë të popullit e opinionistë po i kërkojnë kryeministrit Kurti që të japë dorëheqje, madje duke folur me vetë fjalët e tij, e duke i thënë se nuk ka legjitimitet popullor. /Periskopi

Shpërndaje në: