25 vjet pas Srebrenicës, mohuesit e masakrës më të fuqishëm se kurrë: Tash e mohon edhe kryetari i saj

25 vjet pas Srebrenicës, mohuesit e masakrës më të fuqishëm se kurrë: Tash e mohon edhe kryetari i saj

Në qendrën përkujtimore të gjenocidit jashtë Srebrenicës, mijëra gure varresh të bardha e të thjeshta shtrihen përgjatë kodrës për aq gjatë sa iu rrok syri.

Në afërsi, përgjatë disa ditëve në korrikun e vitit 1995, serbët e Bosnjes i vranë sistematikisht rreth 8 mijë boshnjakë (myslimanë boshnjakë), burra dhe djem të rinj. Ishte krimi më i rëndë në luftën e Bosnjes, dhe mbetet e vetmja masakër në tokën evropiane që nga lufta e dytë botërore që është cilësuar si gjenocid, shkruan The Guardian, përcjell Periskopi.

Edhe sot, eshtrat e viktimave po zbulohen dhe identifikohen. Shkaku i një operacioni të fshehjes së krimeve duke i varrosur dhe shpërndarë mbetjet në varreza masive, ka raste në të cilat mbetjet e të njëjtit person janë gjetur në pesë vende të ndryshme me kilometra larg. Në 25 vjetorin e përkujtimit të masakrës, të shtunën, të paktën edhe tetë viktima të tjera do të pushojnë në këtë varrezë.

Një çerek shekulli pas kësaj ndodhie mizore, megjithatë, e vërteta për atë që ndodhi në Srebrenicë është bërë shënjestër e një kori në rritje që po e mohon, filluar nga vetë Bosnja dhe shtrirë në krejt botën, që lëvizi nga skajet e së djathtës ekstreme dhe doli në diskursin dominues.

Në Srebrenicë, mohimi fillon me kryetarin e saj. Popullsia aktuale prej rreth 7 mijë banorësh është një e pesta e numrit të banorëve që ekzistonte para lufte, dhe tash ka më shumë serbë se boshnjakë, një përmbysje e rrethanës para luftës dhe gjenocidit. Katër vjet më parë, Srebrenica e zgjodhi kryetarin e parë serb të saj, Mladen Grujiçiqin, dhe retorika zyrtare ndryshoi brenda natës.

Grujiçiqi, 38 vjeçar, një ish mësues kimie që flet me shumë energji, nuk ka kohë që të flas për gjenocidin.

“Asnjë serb nuk do ta mohonte që këtu u vranë boshnjakë në krime të tmerrshme… por gjenocidi nënkupton shkatërrimin e qëllimshëm të njerëzve. Nuk kishte asgjë që u bë me qëllim këtu,” tha ai në një intervistë në zyren e tij në qendër të Srebrenicës.

Ai i kishte vetëm 10 vjet kur lufta filloi. Babai i tij ishte vrarë gjatë luftës në një fshat jo larg prej Srebrenicës. Grujiçiqi thekson që kishte pasur viktima nga të gjitha palët në konflikt, që e prishën Bosnjen multi-etnike pas kolapsimit të Jugosllavisë.

Por, çka për gjykatat ndërkombëtare të cilat në mënyrë forenzike analizuan evidencat dhe erdhën në përfundimin se kishte pasur masakra sistematike rreth Srebrenicës në korrikun e 1995-s dhe që kjo përbënte gjenocit, për dallim nga krimet e tjera të luftës? “Për fat të keq, të gjitha këto gjykata kanë qenë paragjykuese kundër serbëve dhe kjo vetëm sa i ka rritur ndasitë këtu,” tha ai. Asnjëherë të vetme gjatë kohës në detyrën si kryetar ai nuk ka vizituar memorialin e gjenocidit, që është vetëm pesë minuta larg prej zyres së tij.

Qëndrimet e tij janë në vijë me ato të shumicës së politikanëve serbë të Republika Srpskas, entitetit të dominuar serb që përbën gjysmën e sistemit politik të ndërlikuar të pasluftës në Bosnje. Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjes, e ka quajtur gjenocidin e Srebrenicës një “mit të fabrikuar”, dhe autoritetet e Republika Srpskas kanë themeluar një komision për të hetuar ngjarjet. Në raportin e saj, në fund të këtij viti, pritet që të mbulohen krimet e forcave të serbëve të Bosnjes.

“Kjo është faza tjetër, edhe më e keqe se mohimi i gjenocidit: përpjekja për krijimin e një realiteti të ri historik,” tha Serge Brammertz, që e kishte kaluar gati një dekadë si prokuror kryesor në Tribunalin ndërkombëtar për krime lufte për ish Jugosllavinë në Hagë. Tribunali kishte dënuar liderin politik të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiqin dhe komandantin e ushtrisë Ratko Mlladiqin për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Gjenocidi për kohë të gjatë ka shërbyer si inspirim për ekstremistët e së djathtës ekstreme dhe islamofobët. Sulmuesi i xhamisë në Christchurch të Zelandës së Re në vitin e kaluar e kishte dëgjuar një këngë që e lavdëronte Karaxhiqin pak para se ta bënte sulmin, dhe vite më parë Anders Breivik p oashtu kishte kërkuar inspirim në luftërat ballkanike dhe në ultra-nacionalizmin serb.

Së fundi, megjithatë, kontestimi i gjenocidit ka marrë një mbështetje më të madhe në debatet publike. Më zemëruesja për të mbijetuarit ishte kur iu dha çmimi Nobel për letërsi shkrimtarit austriak Peter Handke. Ai kishte bërë një eulogji në varrimin e liderit serb Sllobodan Millosheviq, dhe i kishte bërë një numër deklarimesh revizioniste rreth ngjarjeve të luftës së Bosnjes që çuan në akuzat për mohim të gjenocidit.

Në një konferencë shtypi, para se ta merrte çmimin Nobel, Handke e kishte pranuar një pyetje në lidhje me masakrën e Srebrenicës. A kishte ndodhur ajo, sipas tij? Ai e quajti pyetjen “boshe dhe injroante”.

Artikullin e plotë nga The Guardian mund ta lexoni KËTU.

Shpërndaje në: