335 mijë euro të Ministrisë së Hajrullah Çekut: Si u pagua hoteli me bazë në Beograd?

335 mijë euro të Ministrisë së Hajrullah Çekut: Si u pagua hoteli me bazë në Beograd?

Rikujtojmë shkurt temën, EKSKLUZIVE: 335 mijë euro të Ministrisë së Kulturës shkrihen në Brezovicë, të përfshirë motra dhe dhëndri i zv.ministres Osmani

Ministria e Kulturës ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me një OJQ që quhet Federatë të Sportit Shkollor, në vlerën prej 335 mijë euro. Memorandumi – sqaruar shkurt – kishte të bënte me një program tre javorë në Brezovicë, për disa nxënës të shkollave në Kosovë. Pasi Federata siguron 335 mijë euro nga Ministria e Kulturës, hap tender për kompaninë që duhet t’i kryejë punët duhet ta pajisë federatën me skija për nxënësit. Tenderin e fiton Omnisport në shumën prej mbi 80 mijë euro (sipas Omnisportit). Një prej pronarëve të kësaj kompanie, është  burri i motrës së Daulina Osmanit, zëvenësministre në Ministrinë e Kulturës. Edhe vetë motra e zëvendësministres, punon në kompaninë ku pronar është burri i saj, Alban Xhambazi.

(Vazhdon…)

“Tenderin e ka fituar kompania e quajtur Omnisport, sipas kritereve të përcaktuara. Shifra e saktë e tenderit nuk po më kujtohet”, i tha Periskopit, Agron Dubovci, përfaqësues i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës.

Shifrën e saktë të gjithë këtij muhabeti as ne nuk mund ta vërtetojmë, por për dallim prej përfaqësuesit të Federatës, neve na kujtohet shifra e saktë e krejt projektit: 335 mijë euro janë dhënë nga Ministria e Kulturës dhe për këtë, siguruam dokumentin ekskluziv.

Ku janë akomoduar nxënësit që shijuan Brezovicën?

Sipas tenderit që OJQ Federata e hapi, mbetet dilemë dhe detaj interesant se si aty rekomandohet se në cilin hotel duhet të shkojnë nxënësit. Pra, hoteli për akomodim, me emër i rekomandohet kompanisë fituese të tenderit.

Quhet hotel Molika.

Ky hotel nuk është i regjistruar në Kosovë. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), nuk figuron i regjistruar hotel Molika (deri në këtë moment). Sipas hulumtimeve që mund të bëhen lehtë në internet, ky hotel është pjesë e ‘Ski Center Brezovica’ dhe ‘Inex Grup’ me bazë në Serbi. 

Pyetjet dhe dilemat që mbeten këtu, megjithëse nuk morëm përgjigje nga Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, lidhur me shumën e saktë të tenderit, mbeten:

Meqë hoteli Molika nuk figuron i regjistruar në ARBK, atëherë si i është kryer pagesa për akomodim të nxënësve?

(Dokumenti ku rekomandohet numri i nxënësve dhe hotel Molika)

E vetmja përgjigje që morëm nga Federata, ishte se ‘me të gjitha këto është marrë kompania që e ka fitu tenderin”.

Por në Omnisport, e kanë mohuar këtë. Madje na e treguan një detaj, që thonë se e dinë se si është kryer pagesa. 

Bujar Turjaka, një prej pronarëve të Omnisportit në telefon për Periskopin, ka thënë se Omnisporti nuk është marrë me akomodim të nxënësve, por sic e di ai, pagesat në hotel, Federata i ka bërë përmes një Agjencioni.

“Jo, s’është e vërtetë (që Omnisport e ka bërë akomodimin, sqarim i Periskopit). Ata e kanë bë marrëveshjen vet me hotelin edhe kanë angazhu Agjencion se s’kanë mujtë vetë me bo direkt pagesa, po e kanë bë përmes Agjencionit”, i ka thënë Turjaka, Periskopit. 

“E kam taku atë njerin disa herë kur ka ardhë, që i ka pru fëmijët e i ka bë pagesat në baza javore, po na s’merremi me atë punë. Me pasë pasë mundësi edhe akomodimin ua kishim bë, po na s’merremi me atë se s’kemi interes.”, tha ai.

Nëse kompania ka bërë pagesat nëpërmjet bankës, atëherë a do të ishte ky një transfer ndërkombëtar, duke qenë që hotel Molika, nuk figuron si biznes i regjistruar në ARBK, por bazën e ka në Beograd?

Dhe në fund, mbetet e paqartë, por do të provojmë ditëve në vijim, të kemi një përgjigje se si u përfshinë edhe dy Ministri të tjera në këtë punë.

Disa specifika të memorandumit të bashkëpunimit, mund të jenë të kuptueshme si për shembull, duke qenë se projekti ishte me nxënës, nënkuptohet lidhja me Ministrinë e Arsimit dhe duke qenë se ideatorët e projektit janë përkujdesur të kujtohen edhe për staf shëndetësor, mund të kuptohet edhe implikimi i Ministrisë së Shëndetësisë. Por, se si tre ministra: Hajrullah Ceku, Arbërie Nagavci dhe Rifat Latifi, dhanë nënshkrimet në këtë projekt me shumë dilema dhe kontradikta (të paktën në bazë të bisedave tona me palët që implementuan projektin), mbetet e paqartë.

Në një prej fjalive/neneve të memorandumit thuhet se Ministria e Kulturës nuk mban asnjë përgjegjësi nëse Federata keqpërdorë buxhetin e ndarë nga Ministria. /Periskopi/

 

 

Shpërndaje në: