350 mijë qytetarë të Kosovës kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit gusht

Periskopi.com Lajme

Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, ministri i Turizmit i Shqipërisë, Blendi Klosi, ka thënë se Shqipëria ia ka dalë ta përmbyllë me sukses një sezon të vështirë për shkak të pandemisë. Gjatë një takimi me operatorët turistikë në Vlorë, ai ka thënë se vetëm në gusht erdhën mbi 600 mijë vizitorë të huaj. Nga ky numër, 58.2 për qind (349.227) janë turistë nga Kosova, të cilët kanë hyrë nga pikëkalimi kufitar Morinë-Vermicë.

Ministri i Turizmit, Klosi, ka kërkuar forcimin e marrëdhënies me bashkëkombasit qytetarë të Kosovës, të cilët, sipas tij, bregdetin shqiptar e kanë si të tyrin.

“Sot, më datë 28 shtator, kemi 65 për qind vizitorë të huaj që kanë vizituar Shqipërinë krahasuar me 2019-n. Në gusht, Shqipëria u vizitua nga mbi 600 mijë vizitorë të huaj, që shënon 40-45 për qind krahasuar me 2019, si asnjë vend tjetër. Ia dolëm ta kapim një treg të ri, i cili tashmë duhet parë me shumë rigorozitet për vitin 2021”, ka deklaroi ministri Klosi.

Gjatë diskutimeve të tij me operatorët turistikë u ngritën edhe shqetësime dhe një prej tyre ishte problemi i hapësirave të pakta akomoduese dhe mungesa e komunikimit me partnerët ballkanikë.

“Mendoj se 2020-a dëshmoi problematikën e madhe që ne kemi me kapacitetet tona, dëshmoi që në muajin gusht në zonën e plazhit vetëm me turizmin e brendshëm dhe me turizmin patriotik ishim në hotelet e një cilësie. Pra, dëshmoi se nuk kemi kapacitete. 2020-a dëshmoi se kemi pasur mungesa të theksuara në komunikim me partnerët tanë të rajonit. Maqedoninë e Veriut, Bosnjën, Serbinë, Bullgarinë dhe vendet e Evropës Lindore që janë targeti ynë kryesor dhe natyrisht forcimi i marrëdhënies me bashkëkombasit tanë, qytetarët e Kosovës, të cilët e kanë tashmë bregdetin e Shqipërisë si bregdetin e tyre”, ka theksuar Klosi.

Por, viti 2021 vjen me sfida së pari për ta rregulluar tregun e operatorëve. Sipas Blendi Klosit, eksponentët pa eksperiencë dhe pa shërbim të kualifikuar do të rishikohen vitin e ardhshëm për të pasur një vit të suksesshëm turistik.

Megjithatë, ekspertët e turizmit thonë se Shqipëria nuk ka shifra të sakta në turizëm. Ata i konsiderojnë lojë shifrash deklaratat që vijnë për milionat e turistëve të ardhur në Shqipëri.

“Qeveria përdor termin “vizitorë”, jo “turistë”. Organizata Botërore e Turizmit njeh për turistë ata udhëtarë që rrinë më shumë se 24 orë. Kjo është loja e shifrave që vazhdon të bëhet. Ne nuk kemi një bilanc të saktë të shifrave, por thjesht kemi njerëz që qarkullojnë”, thotë kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Shqipëri, Zak Topuzi, duke shtuar se në kufi nuk ka pyetësor të qartë për arsyen se pse dikush po hyn në territorin shqiptar dhe se nuk pyeten të gjithë dhe kësisoj shifrat nuk janë reale.

Policia e Shtetit në Shqipëri, kompetente për hyrjet dhe daljet në territorin shqiptar, thotë se të gjithë shtetasit shqiptarë apo të huaj pyeten në pikat e kalimit kufitar në Shqipëri për destinacionin final apo qëllimin e udhëtimit.

“Të gjithë personat në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë janë subjekt i verifikimit kufitar minimal dhe tërësor, ku përfshihet edhe verifikimi i destinacionit final dhe qëllimi i udhëtimit. Përjashtim nga rregullat e përgjithshme të verifikimit kufitar të cituar më sipër kanë vetëm kategori të veçanta të personave dhe mjeteve”, theksojnë burime të policisë së Shtetit në Shqipëri.

Shpërndaje në: