365 ditë vetmi: Kurti feston një vit në pushtet, i ndëshkuar nga populli dhe me protesta të gjithanshme

365 ditë vetmi: Kurti feston një vit në pushtet, i ndëshkuar nga populli dhe me protesta të gjithanshme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbushur tashmë një vit të plotë në pushtet.

Ai ka qenë kryeministër i vendit në Qeverinë Kurti I prej datës 3 shkurt të vitit 2020 e deri më 1 qershor të po të njëjtit vit.

119 ditë zgjati gjithsej qeverisja e tij si kryeministër në Qeverinë Kurti I, edhe pse gjysma e atij mandati kishte qenë si kryeministër në detyrë pasi ishte shkarkuar nga koalicioni qeveritar, LDK-ja e udhëhequr atëbotë nga profesor Isa Mustafa.

Kurti u bë sërish kryeministër pasi fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 më 23 mars, dhe tashmë ka mbushur 246 ditë në pushtet, raporton Periskopi.

Qytetarët e Kosovës nuk morën ndryshimin që pritën e të proklamuar gjatë, dhe prandaj në zgjedhjet e 17 tetorit 2021 dhe në ato të balotazhti më 14 nëntor i dhanë një goditje të rëndë partisë së kryeministrit.

Dita e sotme, e zë kryeministrin nën trysninë e protestave të shumta. Sot, ishin punëtorët e Feronikelit ata që i shkuan te objekti qeveritar për t’i kërkuar që të mendonte për fatin e tyre pasi kompania kishte ndalur punën pas krizës energjetike.

Për të premten është paralajmëruar një protestë nga punëtorët e administratës publike, derisa më 4 dhjetor do të protestojnë mësimdhënësit përmes sindikatës së tyre, dhe e cila mund të eskalojë në grevë që do ta ndalte procesin mësimor.

Kujtojmë që protesta të mëdha ka pasur edhe nga fermerët që në verë kanë okupuar qendrën e Prishtinës me traktorët e tyre për shkak të zvogëlimit të subvencioneve në bujqësi. /Periskopi 

Shpërndaje në: